E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftimi i trafikut njerëzor, edhe jashtë kufijve

Trafikimi i qenieve njerëzore dhe lufta ndaj trafikantëve të emigrantëve ilegalë do të rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes, duke zhvilluar kështu në Tiranë takimin e 13-të të Grupit Këshillimor të Prokurorëve të Evropës Juglindore SEEPAG (South East European Prosecutor Advisory Group). Me qëllimin për të ndërtuar dhe forcuar një marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë dhe të orientuar nga një qëllim i vetëm, si dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar, marrëdhënia e bashkëpunimit do të përforcohet akoma më shumë për të luftuar krimin e organizuar ndërkufitar. Shqipëria ka qenë një vend burimi për gratë dhe vajzat e trafikuara për shfrytëzim seksual, si jashtë, ashtu edhe brenda vendit dhe ka vështirësi të mëdha në kontrollimin e kufijve dhe qarkullimit të njerëzve nën moshën 18 vjeç. Edhe pse sipas raportit të Departamentit të Shtetit Amerikan rreth trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri të bëra këtë vit, Shqipëria ka rënë nën nivelin e vitit 2002, lufta për parandalimin e tij vijon ende.

Do të jenë datat 20 dhe 21 nëntor 2008, ato në të cilat do të zhvillohet ky takimi, i cili si çështje kryesore do të ketë trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftën ndaj trafikantëve të emigrantëve ilegalë, pra personave që ndihmojnë të tjerët për kalimin e paligjshëm të kufirit. Ndërkohë Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Ina Rama, për këtë takim u shpreh se ndër prioritetet kryesore të punës së organit që drejton është nxitja e bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të rajonit, si përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar ndërkufitar.

“Sukseset apo dështimet e një vendi në luftën kundër krimit të organizuar nuk mund të jenë të shkëputura nga sukseset apo dështimet e vendeve përreth tij. Në kontekstin e ri ndërkombëtar të krijuar pas viteve’ 90-të askush nuk mund të pretendojë suksesin, duke luftuar krimin e organizuar brenda kufijve të vendit të tij”, – theksoi Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Ina Rama. Shqipëria është momentalisht presidente e radhës e SEEPAG-ut dhe se takimi i tanishëm pason atë të 26-27 qershorit 2008 të zhvilluar në Durrës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›