E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri penal/ Sadushi: Ka mbivendosje ligjore dhe rrit forcën shtetërore sesa garanton lirinë. Rrezikon të bëhet reformë pa përmbajtje

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, gjatë tryezës konsultative për projekt-draftin e Kodit të ri Penal, ka paraqitur qëndrimin institucional të Gjykatës, duke kërkuar rishikimin e procesit të hartimit mbi baza më të qarta metodologjike dhe profesionale.

Sadushi theksoi se kritikat nuk duhet të interpretohen si kundërshtim ndaj reformës, por si “detyrim profesional e moral për ta bërë atë më të drejtë dhe më të besueshme”.

“Ky qëndrim, sado kritik, nuk duhet të shihet si refuzim ndaj reformës penale, por si detyrim profesional dhe moral i gjithë trupës gjyqësore, si një thirrje për ta bërë atë më të drejtë, më të qartë dhe më të besueshme, sepse drejtësia nuk matet me shpejtësinë e miratimit të ligjeve, por me cilësinë e mendimit intelektual, që shoqëron çdo dispozitë që prek të drejtat dhe liritë e njeriut. Hartimi i tij nuk është një ushtrim teknik, por një provë e pjekurisë juridike dhe morale të shtetit”, tha Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje se procesi aktual i hartimit të Kodit nuk është mbështetur në një metodologji të qartë dhe gjithëpërfshirëse, siç ndodh në praktikat më të mira evropiane.

“Procesi aktual i hartimit të projektit nuk duket se është mbështetur mbi një metodologji të tillë. Relacioni shpjegues përmend nevojën për reformë, por nuk shpjegon mënyrën e ndërtimit. Mungon dokumenti orientues që përcakton filozofinë e re të drejtësisë penale dhe analiza e ndikimit kriminologjik, ekonomik e social të ndryshimeve të propozuara. Konsultimi institucional ka qenë i kufizuar dhe i pjesshëm. Si pasojë, projekti, ndonëse voluminoz dhe me risi, mbetet i paqartë në disa pjesë dhe i pabarazpeshuar në filozofi, duke rrezikuar që në vend të thjeshtojë sistemin penal, ta bëjë më të vështirë në zbatim”, tha Sadushi.

Sadushi bëri me dije se analiza e Gjykatës së Lartë për projektin është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore, që sipas tij përbëjnë bazën e një politike penale moderne dhe të drejtë. Sipas tij, një Kod Penal që nuk flet qartë, nuk mund të garantojë drejtësi.  

Ai theksoi se mungesa e qartësisë në përkufizimin e veprës penale dhe në trajtimin e elementëve të fajësisë apo bashkëpunimit hap rrugë për interpretime subjektive dhe zbatim arbitrar. Ai tha se kodi rrezikon të rrisë forcën shtetërore sesa vë theksin te garantimi dhe mbrojtja e lirisë.

“Një Kod Penal që nuk flet qartë, nuk mund të garantojë drejtësi. Projekti aktual, me mbi 950 nene, shpesh të mbingarkuara e të paqarta, rrezikon të zhvendosë theksin nga mbrojtja e lirive, drejt forcimit të ndërhyrjes shtetërore. Edhe pse riafirmon ndalimin e dënimit pa ligj, mungon një dispozitë që të përmbledhë filozofinë moderne të së drejtës penale: se ndëshkimi është mjeti i fundit, ndërsa liria është parimi themelor. Vërehet se dispozita kyçe përmbajnë formulime të paqarta, që krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme nga gjykatat. Në disa dispozita thelbësore, që përkufizon “veprën penale”, ndërthuren në mënyrë të pasaktë elementë materialë me nocione procedurale, duke cenuar qartësinë dhe koherencën e normës, ndërsa në dispozitat që trajtojnë përgatitjen, tentativën, bashkëpunimin dhe format e fajësisë etj, gjuha e përdorur krijon paqartësi dhe hapësirë për interpretime subjektive. Në fushën penale, ku në lojë është liria e njeriut, çdo paqartësi është rrezik, sepse hap rrugë për interpretim ose zbatim me analogji, gjë që është e ndaluar”, tha ai.

Sadushi shtoi se projekti përzien dispozitat materiale me ato procedurale dhe në disa raste nuk përputhet me ligjet e tjera, duke krijuar dublime dhe vështirësi në zbatim.

“Një Kod Penal i ri nuk mund të qëndrojë i shkëputur nga trupi i së drejtës. Në disa pjesë të projektit vërehet një përzierje e paqartë midis dispozitave materiale dhe atyre procedurale, si dhe mospërputhje me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet e tjera. Po ashtu, përfshirja e disa shkeljeve të Kodit Rrugor si vepra penale krijon dublim normativ dhe e ngarkon pa nevojë sistemin penal”, u shpreh Sadushi.

Ai tha se qëllimi i sistemit penal nuk është hakmarrja, por rikthimi i individit në shoqëri.

“Suksesi i një sistemi penal nuk matet me ashpërsinë e dënimeve, por me aftësinë për të rikthyer njeriun në jetë shoqërore. Drejtësia kërkon baraspeshë: dënimi duhet të jetë i drejtë, jo thjesht i rreptë. Shteti ndëshkon vetëm kur nuk ka mjete të tjera për të parandaluar. Një sistem penal i drejtë nuk matet me numrin e veprave të reja, por me racionalitetin e kufizimit të ndërhyrjes. Ligji penal duhet të veprojë vetëm kur çdo mjet tjetër dështon. Vetëm atëherë ai është shprehje e drejtësisë, jo e forcës së shtetit.

Qëllimi i dënimit nuk është hakmarrja, por rikthimi i njeriut në shoqëri. Një sistem i tillë, në vend që të garantojë barazi, rrezikon të krijojë pabarazi të reja, sepse i trajton njësoj raste që janë të ndryshme në natyrë dhe rrethana. Dënimet për dhunën në familje, të trefishuara në projekt, nuk garantojnë mbrojtje më të mirë, nëse ligji mbetet i paqartë”, tha ai.

Në përfundim, kreu i Gjykatës së Lartë kërkoi rishikimin e projektit të Kodit Penal me transparencë dhe përfshirje të gjerë profesionale, duke e konsideruar këtë proces “jo si pengesë, por si garanci për cilësinë, integritetin dhe koherencën e sistemit penal”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›