Rama: Ideja e periudhës tranzitore për anëtarët e rinj të BE-së është pozitive, e kam propozuar unë

Në konferencën e përbashkët me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, kryeministri Edi Rama komentoi progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe qëndrimin e Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos lidhur me procesin e zgjerimit të unionit.
Rama tha se nuk e sheh si negative idenë e vendosjes së një periudhe prove apo tranzitore për vendet e reja anëtare të BE-së. Ai theksoi se kjo nuk është një ide e re, por pjesë e mendimit evropian prej kohësh.
“Do të lutesha që të mos merret si mungesë modestie, por këtë ide e kam hedhur vetë shumë më parë dhe e kam përsëritur sa herë kam pasur mundësi. Kjo nuk është një ide që e kam shpikur unë, por që ka rrënjë të thella në historinë e mendimit evropian”, tha Rama.
Sipas tij, një periudhë tranzitore mund të jetë një zgjidhje e arsyeshme për të lehtësuar procesin e vendimmarrjes brenda BE-së, duke shmangur frikën e disa vendeve anëtare për bllokime të mundshme pas zgjerimit.
“Ata duan të njëjtën gjë si ne një BE më të fortë por kanë frikë se me 30 apo 32 anëtarë do të bëhet më e vështirë marrja e vendimeve. Prandaj, një rrugë e ndërmjetme është e arsyeshme dhe pozitive”, u shpreh kryeministri.
Rama shtoi se Shqipëria ka bërë propozime konkrete dhe është gati të marrë pjesë në çdo diskutim që ndihmon për të përshpejtuar procesin e integrimit.
“E rëndësishme është të mos kemi frikë nga vetoja, as ne e as ata. Ne duam të ulemi në tryezë si të barabartë dhe të kemi akses të plotë në strukturat e BE-së”, përfundoi Rama.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, nënvizoi rëndësinë e traktatit të anëtarësimit si hap themelor për çdo vend që bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
“Siç e dini, një hap themelor për një vend që bëhet shtet anëtar është traktati i anëtarësimit në BE, i cili përfshin ndryshime teknike apo kushtetuese që përshtatin mënyrën si funksionon BE-ja. Traktati i fundit u nënshkrua 14 vite më parë, dhe ne po marrim parasysh përvojat e mëparshme për të përgatitur valët e reja të zgjerimit”, tha Gonzato.
Ai shtoi se Komisioni Evropian po shqyrton mënyra për të përforcuar sundimin e ligjit në vendet që do të bëhen anëtare të reja, në mënyrë që të mos ketë hapa pas në këtë drejtim.
“Komisionerja ka folur për mekanizma të fortë mbrojtës që sigurojnë që vendet e reja anëtare të kenë rrënjë të thella në sundimin e ligjit. Ndryshimet që mund të bëhen në traktatet e anëtarësimit nuk do të cenojnë themelet e Bashkimit Evropian, sepse për këtë do të duhej një rishikim i plotë i traktateve, dhe nuk po flasim për një gjë të tillë”, shtoi ambasadori Gonzato.
/rtsh.al/