Kofi Annan përkrahu ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë
Kosovë- Përveç luftës dhe gjenocidit në Ruandë dhe në ish-Jugosllavi, një segment të librit e përbën edhe lufta në Kosovë dhe kundërshtimet diplomatike të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit rreth ndërhyrjes dhe autorizimit nga organi ekzekutiv i OKB-së si ruajtës i paqes dhe sigurisë në botë, raporton Zhurnal.
Sipas kësaj agjensie lajmesh që i referohet librit të tij, Kofi Annan, ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake në Kosovë edhe pa një sanksionim nga ana e Këshillit të Sigurimit. Duke rikujtuar sulmin e Serbisë mbi Kosovën, Annan thotë se fushata (serbe) para se gjithash kishte një qëllim: të largojë dhe të vrasë sa më shumë shqiptarë të Kosovës’. Ish shefi i OKB-së përmend pastaj fjalimet e tij të ndryshme para, gjatë dhe pas intervenimit të NATO-së duke e bërë të qartë se, ndonëse në një pozitë neutrale ai megjithatë mbështeste ndërhyrjen ushtarake dhe këtu bënë një analogji me siç thotë, intervenimin e kirurgut për shpëtimin e jetës.
Nga mesi i fushatës bombarduese të NATO-së kundër pozicioneve ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, Anan thotë se ishte angazhuar për një rol më aktiv diplomatik të Kombeve të Bashkuara, mirëpo Shtetet e Bashkuara nuk e fshehën se donin që OKB dhe unë të jemi sa më larg menaxhimit të konfliktit, raporton Zhurnal.
Pas thirrjes që kishte bërë për ndaljen e fushatës serbe dhe tërheqjen e trupave nga Kosova me kushtin e ndaljes së bombardimeve të NATO-së, Annan thotë se kishte pasur reagime pozitive nga Jacques Chirac dhe Gerhard Shroder, mirëpo Albright dhe Clinton patën hezitime lidhur me intervenimin tim.
Për lexuesit që duan të identifikojnë heronjtë dhe kriminelët, libri ofron material të mjaftueshëm, vlerëson librin gazeta Christian Science Monitor.
Libri është një rrëfim i sinqertë i Annanit për ngjarjet më të rëndësishme të 20 vjetëve të fundit që paraqiten qartë dhe në mënyrë koncize, shkruan Zhurnal.