E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha e kometës në Rochester

Në 15 vjetorin e themelimit, Rochester International Film Festival do të paraqesë një numër të konsiderueshëm të filmave nga e mbarë bota, në mesin e të cilëve është edhe filmi shqiptar “Koha e kometës”.

Në këtë festival, i cili fillon më 30 prill dhe zgjat deri më 6 maj, për adhuruesit e filmave të huaj dhe atyre të pavarur, do të shfaqen 18 filma të gjinive të ndryshme, përfshirë këtu komedi, drama, trilerë dhe filma dokumentarë nga Europa, Azia dhe SHBA-të.
Siç njofton gazeta Post-Bulletin e Rochesterit, prefekti i Rochesterit, Ardell Brede e ka shpallur javën kur mbahet ky festival si Java e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Rochester.

“Këtë vit do të ketë më shumë bujë sepse është festivali i pesëmbëdhjetë dhe njerëzit duhet të përfitojnë nga kjo sepse filmat janë të mrekullueshëm,” ka thënë Alan Hoffman nga Rochester International Film Group, që e organizon festivalin.

Rochester International Film Group është organizatë joprofitabile e artit e entuziastëve të filmit nga Minnesota juglindore, e dedikuar për t’i shfaqur para publikut në Rochester filmat cilësorë ndërkombëtar dhe filmat e pavarur.

Përpos filmit shqiptar, “Koha e kometës”, i cili do të shfaqet të shtunën, me 2 maj, në kinemanë Wehrenberg Galaxy 14 Cine, do të shfaqen edhe filmat "The Storm," nga Holanda, "The Bone Man," nga Austria, të cilët do të shfaqen në ditën e hapjes së festivalit, ndërsa në ditën e dytë do të shfaqen filmat “The Over the Hill Band” nga Belgjika, "The Last Train Home" nga Kina, film ky që ka fituar çmimin kryesor në Amsterdam International Documentary Film Festival, pastaj "Forbidden Fruit" nga Finlanda, i cili ka fituar çmimet për aktorin më të mirë dhe regjisorin më të mirë në Festroia-Troia International Film Festival në Portugali, “Mid-August Lunch” nga Italia dhe komedia greke “Small Crime”.

Gjatë ditëve vijuese do të shfaqen edhe filmat "Letters to Father Jacob," fitues i çmimeve për skenar, regji, aktrim dhe film më të mirë në festivalet ndërkombëtare në Europë, Azi dhe Amerikë jugore, "Upperdog," një film i vendosur në Oslo të Norvegjisë, "The White Ribbon," një film rreth një serie të ngjarjeve të çuditshme në një fshat gjerman para Luftës së Parë Botërore dhe "No More Smoke Signals," që përqendrohet në një radio stacion në një rezervat amerikan.

Në mesin e filmave dokumentarë përfshihen "A War in Hollywood," i cili ekzaminon mënyrën se si ishte paraqitur në filmat e Hollywoodit Lufta Civile Spanjolle, "Pink Taxi," një shikim brenda një biznesi unik në Moskë, "Bananas!" që paraqet një çështje gjyqësore në Nicaragua dhe "Cooking History," i nominuar për filmin më të mirë dokumentar në 2009 European Film Awards.

Sa i përket filmit “Koha e kometës” në websajtin e organizatorëve të festivalit thuhet se ai ka elemente të romancës, tragjedisë dhe komedisë. “I vendosur pak para Luftës së Parë Botërore dhe i bazuar në romanin e shkrimtarit të nominuar për çmimin Nobel, Ismail Kadare, filmi lajmëron budallallëkun e luftës deri në nivelin e absurditetit të Shqipërisë së fillim-shekullit të njëzetë”, thuhet tutje në sinopsisin për filmin shqiptar, i cili pritet të zgjojë një interesim tek publiku i Rochesterit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›