E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha kur nuk isha Dhimitër Xhuvani

Jo rrallë ndërronte udhën kur ndeshte që nga larg ndonjë mik të tijin, për të mos e vënë në siklet përballë syve aso kohe, kur çdo gjë ishte nën totalitarizëm. Sepse ai ishte i damkosur, siç është shprehur edhe vetë, i ndjeri, artisti Dhimitër Xhuvani. Në një intervistë Xhuvani rrëfen pak nga përvoja e tij nën trysninë diktatoriale, pasi si artist i duhej të ruhej më shumë për të mos shkelur në dërrasë të kalbur. Tregon periudhën e zezë të botimit të serishëm, e kujtime të hidhura prej sistemit.

Si e shihni qëndrimin e vetë shkrimtarëve dhe intelektualëve të tjerë ndaj një gjendjeje të tillë: me një rezistencë më të madhe, a do të mund të ndikonin në zbutjen ose mënjanimin e një klime kaq të rëndë krijuese?

Shkrimtarët dhe artistët mendoj se duhej të bënin më shumë për të mbrojtur veten e tyre dhe njëri-tjetrin. Kjo nuk ishte një gjë e lehtë përballë një diktature dhe dhune të tillë. Unë që isha një i damkosur dhe i dënuar, kur takoja në rrugë ndonjë koleg timin, vetë ktheja rrugë përpara se këtë gjë ta bënte ai. Nuk doja që askënd ta vija në pozitë të vështirë sa të hamendej të më takonte a të mos më takonte, të më jepte dorën a të mos ma jepte dorën, do të më fliste a s’do të më fliste... Kishte raste që dikush takohej me këta disidentë, por gjendej edhe dikush që denonconte për këtë gjë. Deri këtu ka qenë ligësia.

Megjithatë, duhej të kishim bërë më shumë për njëri-tjetrin për t’u mbrojtur më mirë të gjithë. Kjo nuk është bërë. Për shembull, kur më nisën për në Bistricë që të punoja, më thirri Shevqet Musaraj në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe më tha: “Si do ta shkruajmë tashti ne këtë librezën tënde të punës? Është puna që do të të ndjekë tërë jetën prapa, do të mbetet në biografinë tënde! Prandaj të gjejmë një formulë që të bëjmë punën tonë dhe ti të mos dëmtohesh!”. Dhe e gjetën këtë farë formule: “Shkon me dëshirën e tij, vullnetarisht!”. Unë kam pasur fat edhe më të hidhur kur jam kthyer në Tiranë. Ndërkohë, sa ndodhesha i internuar në Bistricë, më vdiq babai, më vdiq nëna, m’u sëmur djali i vogël... Më duhej të kthehesha patjetër në shtëpi. Nuk mund të hyja si punëtor në Tiranë. Vetëm ky episod është një dramë e tërë. Përmes miqve e sigurova lejen e punës, por nuk më lejonte komiteti ekzekutiv të hyja si punëtor. Atje më thoshin se nuk isha fuqi punëtore, por shkrimtar – Dhimitër Xhuvani. U thosha se unë nuk jam Dhimitër Xhuvani – shkrimtari, gazetari, mjeku, mësuesi... Unë jam Dhimitër Xhuvani – saldatori i kategorisë IV, elektricisti, hekurkthyesi! Shkova në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe kërkova një vërtetim që do të dëshmonte se unë nuk isha më Dhimitër Xhuvani, i cili dikur ishte shkrimtar, pra që donte të mos ishte më shkrimtar! Më jepni një vërtetim që unë jam saldator! Lidhja e Shkrimtarëve as këtë vërtetim s’mund të ma jepte. Më në fund, drejtori i fermës më pranoi duke e marrë rrezikun mbi vete. Punoja në shtëpinë time si ilegal! Dhjetëfish më i hidhur është fati i Kujtim Spahivoglit, njërit nga regjisorët tanë më të shquar. E dërguan në Fier nja pesë-gjashtë vjet. Tërë lufta kundër tij u kthye vetëm pse ai donte të jetonte në Tiranë dhe të hante një copë bukë pranë nënës së sëmurë e të vetmuar. Çka nuk i punuan atij njeriu, por sa i fortë që kishte qenë derisa i duroi të gjitha ato të zeza. Sa më kokëfortë që bëhej ai, aq më shumë këmbëngulnin edhe këta që të mos realizonte asgjë, sa shkuan deri aty dhe ia rrënuan edhe shtëpinë. Ia nxorën dhe ia hodhën librat në rrugë. Nënën ia nxorën dhe ia lanë në oborr... Dhe Kujtimi mbeti rrugëve, kurse nënës i dhanë një dhomë e kuzhinë. E detyruan të rrinte ilegalisht tek e ëma! Shumë raste të tilla ka pasur në Shqipëri. Secili më i hidhur se tjetri.

Po ndonjë rast tjetër?

Fati i Kasëm Trebeshinës ka qenë shumë më i hidhur se fati ynë. Ai ka qenë disa herë në burg, disa herë i internuar, disa herë ka bërë grevë urie... që të vdiste. Trebeshina ka qenë një natyrë shumë krenare. Unë për veten time e kam pranuar edhe kompromisin, sepse kam dashur të rroj. Sigurisht që edhe Trebeshina ka dashur të rrojë, por natyrat njerëzore janë të ndryshme. Ai ka hak që është kaq i irrituar. Trebeshina deri sot nuk ka parë një ditë të bardhë! Kurse unë fillova të botoja... ǒka do më shumë një shkrimtar sesa të botojë!?

Sa kanë ndikuar të gjitha këto në procesin e mëvonshëm krijues te ju? Përjetimet nga “rasti” i romanit tuaj “Tuneli”, a i keni bartur si një ngarkesë, si një “faj” dhe a kanë krijuar tek ju ndonjë ves?!

Sigurisht. Ka qenë një personalitet i madh, shefi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Petrit Hakani, nga Elbasani. Ai kishte simpati ndaj meje, prandaj e kishte lexuar “Tunelin” dhe sigurisht që i kishte pëlqyer. Kishte thënë: “Më vjen keq që i trembën dorën këtij djali!”. Nuk mund të më mbronte, por atë fjalë e tha.

E mbaj mend si periudhë të zezë dhe shumë të vështirë, kur m’u tha larg e larg që unë duhej të shkruaja dhe të botoja. Kjo ndodhte për arsye politike, sepse emri im lakohej në sferën e diasporës shqiptare. Tash ndërronte kjo politikë për ta heshtur çështjen dhe për ta mbyllur sherrin. Natyrisht që punën e botimit të sërishëm e prita si një gjë shumë të madhe. Shkrova një tregim dhe ia çova Dalan Shapllos në “Drita”, duke e qëruar së bashku derisa nuk dinim më ç’të hiqnim e ç’të linim në të. Kështu ndodhi me tregimin e parë, me të dytin, me të tretin...

Duhej të mos lihej një pikë e vetme dyshimi për asgjë. Po në këtë kohë shkrova një dramë: “Dasma e madhe e dritave”, që bënte fjalë për elektrifikimin e Shqipërisë. Dramën ia dhashë Teatrit të Elbasanit, ku punoja atëherë si elektricist, pasi isha kthyer nga Bistrica. E shikuan, e rishikuan nëpër njëqind dylbi çdo fjalë. Dhe pas kushedi sa mbledhjesh, arritën në konkluzionin se kisha përfituar nga dënimi e riedukimit, por ende nuk isha bërë socialist. Nga revizionisti tek “Tuneli”, kisha arritur të bëhesha një socialdemokrat! Teatri i Elbasanit nuk e vuri në skenë. E mori Teatri i Gjirokastrës. Me sukses u shfaq dy herë, kurse natën e tretë u ndalua. Shkaku i ndalesës ishte çështja e dy personazheve: Priftit – kallajxhi dhe elektricistit. Në një dialog të shtruar, ky i fundit kishte mbetur humbës përballë një ish prifti! Këtu ishte ajo pikë që s’mund të kalonte. Drama u shpall me elemente reaksionare. Në fakt këtu edhe kishte një fije të vërtetë, sepse në rolin e elektricistit ishte angazhuar një aktor amator, kurse atë të priftit e luante një aktor shumë i talentuar, i cili me lojën në skenë e mbyti rolin e elektricistit. Pas Gjirokastrës e mori Teatri i Korçës. Nga droja se po përsëritej ajo që kishte ndodhur në Gjirokastër, këtyre të Korçës u thashë që rolin e elektricistit ta bënte një aktor i fortë, kurse atë të priftit ta linin në hije... Mirëpo këtu bëmë një zgjidhje me një mizanskenë, ku elektricisti ia vë këmbalecët priftit dhe e mbyt! Kjo ishte si pasojë e asaj droje për të cilën më pyetët. Nuk mund ta gënjej veten e të them se pas “Tunelit” nuk mbeti droja pa një ndikim tek unë.

A mund të zini në gojë reflektimin e kësaj droje të ndonjë rast kur e ka dëmtuar më rëndë veprën tuaj?

Reflektimi më brengosës i drojës është shfaqur tek romani im “Shtegu i bardhë”. Aty pohohet në mënyrë shumë të hidhur teoria e mbështetjes në forcat e veta. Heroin kryesor të këtij romani e bëra kandidat – komunist, sepse s’më shkonte dora ta bëja tamam komunist! Ai bën një heroizëm në fund. Do të doja që një ditë të ulem dhe ta ripunoj këtë roman, t’i heq censurën, të cilën e di se ku dhe pse e kam futur. Këtu e kam bërë kompromisin më të madh dhe e kam dëmtuar veprën time nga ana ideore. Ndërsa në veprat e tjera jam përpjekur të shkoj deri te ai tehu që mund të lejohet, kurse cakun e kam lënë te nënteksti.

Po te “Tuneli” a do të bënit ndonjë prerje, retush?

Do të hiqja ose do të ndreqja ndonjë frazë. Kurrgjë më shumë. Do të dëshiroja të mbetet si vërtetësi e një kohe. Por duhet të dihet se edhe “Tuneli” u shkrua nën censurën. Ky është një fakt që s’bën të harrohet as të mohohet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›