E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje e re në Komunitetin Mysliman, Rusheku akuza Selim Muçës



Pas disa muajve në dukje qetësie, Komuniteti Mysliman i është rikthyer polemikave mes rrymave të ndryshme që tentojnë drejtimin e myslimanëve shqiptarë. Këtë herë përplasja ka ardhur pas shkarkimit nga detyra të nënkryetarit të komunitetit, z. Sami Rusheku, dy javë më parë, e cila është kundërshtuar dje fuqishëm nga Rusheku, i cili hodhi edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të komunitetit, Selim Muça.

Përplasja

Nënkryetari Rusheku ka akuzuar dje në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e Komuniteti Mysliman Shqiptar, Selim Muçën, duke deklaruar se ai ka një përfshirje të dyshimtë në biznesin e shitjes së trojeve të komunitetit, duke u përqendruar në rastin e pronave të komunitetit në qendrën e Tiranës. Sipas Rushekut, mënyra e menaxhimit të pronave të komunitetit mysliman nga kryesia e tanishme është shumë e dyshimtë dhe nuk ekziston asnjë transparencë, duke hedhur dyshimi për afera joligjore me pronat e komunitetit.

“Selim Muça po e zhyt çdo ditë e më shumë Komunitetin Mysliman Shqiptar drejt dekadencës”, – tha z. Rusheku, i cili kundërshtoi vendimin e kryesisë së komunitetit për shkarkimin e tij. Sipas tij, mbledhja e datës 9 nëntor ku u vendos shkarkimi i tij është kryer jashtë procedurave, duke mos lajmëruar paraprakisht për mbledhjen dhe duke thyer rregulloren e brendshme të komunitetit. Për më tepër, nuk ekzistonte asnjë argument për shkarkimin e tij, sipas z. Rusheku, çka përbën një tjetër shkelje të komunitetit.

Debati i pronave

Debati më i madh në gjirin e Komunitetit Mysliman ka të bëjë me pronat. Komuniteti është pronari i dytë më i madh në vend, pas shtetit shqiptar dhe gjithnjë ka pasur akuza të ndërsjellta për menaxhimin dhe keqpërdorimin e pronave. Drejtues të komunitetit janë akuzuar për korrupsion, ndërkohë që ata vetë kanë deklaruar se menaxhimi i pronave është transparent dhe më i miri i mundshëm.

Grupe në komunitet akuzojnë drejtuesit për një sërë rastesh, që përbëjnë shkelje sipas tyre. Këto raste kanë të bëjnë me shitje trualli si pronat vakëf, në krah të hotel “Drinit” dhe në trekëndëshin ku ndodhet Dhoma e Tregtisë, ku është kërkuar nisja e procedurave hetimore. Ata gjithashtu akuzojnë se futja në banka e mijëra eurove të përfituara nga shitja e pronave vakëf, duke marrë prej tyre interesa, pra përfitimi me anë të fajdesë, është një akt i ndaluar rreptësisht në Islam, sikurse edhe vendosja e pagesës për turistët që duan të vizitojnë xhaminë e Et’hem Beut. Ilir Hoxholli thotë se edhe frika e tanishme e drejtuesve të komunitetit, të cilët sipas tij, shkelin statutin, ka të bëjë pikërisht me këto elemente. “Haxhi Selim Muça ka një hije dyshimi mbi vete. Ne na bën të dyshojmë mostransparenca që tregohet në rastin konkret me vakëfin te Dhoma e Tregtisë. Unë kërkova që të na shpjegohej nëse është dhënë kjo tokë, dhe reagimi ishte “ç’të duhet ty?”. Ndërkohë që flitej për një transparencë normale, të na thuhej që është dhënë me kaq. Unë kam marrë të dhëna që ajo tokë është dhënë për shesh ndërtimi, që do të thotë se ka një kontratë mes pronarit dhe firmës së ndërtimit”, – thotë ai.

Ndërkohë që Komuniteti Mysliman deklaron se nuk ekziston asnjë problem i tillë. Transparenca, sipas tyre, ekziston në komunitet dhe menaxhimi i pronave është një ndër prioritetet kryesore të institucionit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›