Koha për investime kapitale në sektorin e ujësjellësve

Fjala e ministrit Sokol Olldashi në Konferencën “Standardet e Performancës për Kompanitë e Ujit Ekulibri Midis të Mundshmes dhe Përputhshmërisë”
Është një kënaqësi e madhe për mua që në ditën e trete të konferencës së 9-të vjetore kam rastin të parashtroj disa opinione në lidhje me sektorin e ujit nga këndvështrimi i Qeverisë Qendrore. Dje diskutimet e konferencës, u përqëndruan tek sfidat që Shqipëria duhet të përballojë gjatë rrugës së saj per tu integruar në Bashkimin Europian, sfida që janë reflektuar edhe në temën e Konferencës suaj: “Standardet e Performancës për Kompanitë e Ujit – Ekuilibri Midis të Mundshmes dhe Përputhshmërisë”. Si drejtues i ministrisë përgjegjëse për sektorin e ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri, kam bindjen e plotë që Shqiperia po përjeton fazën e një evolucioni dhe zhvillimi të këtij sektori. Kam besim dhe mund të pohoj se sektori i furnizimit me ujë e ka kaluar tashmë fazën e emergjencës dhe aktualisht jemi të përqëndruar në sigurinë, qëndrueshmërinë dhe përputhjen në standarde të këtij sektori. Dje Ministrja Bregu, në fjalën e saj parashtroi gadishmërinë dhe përgatitjen për të hyrë në Komunitetin Europian, rolin e rendësishëm të sektorit të ujit në këët integrim, si dhe sfidat që ne duhet dhe do të përballojmë për të arritur Direktivat e Ujit të KE. Sot dua të paraqes disa çështje më konkrete që kanë lidhje me sektorin e ujësjellës kanalizimeve në Shqipëri, që nuk lidhen vetëm me përgatitjen tonë për të hyrë në KE, por edhe me punën tonë për t’u shërbyer qytetarëve siç duhet.
Shqetësimi i parë ka të bëjë me mbrojtjen e burimeve të ujit. Shqipëria nuk do te kete kurrë problem të burimeve të ujit nëse ato do të menazhohet siç duhet. Jo për ndonjë meritë tonën, jemi një vend mjaft i pasur me ujë kundrejt nevojave për sot dhe për nesër. Mbrojtja e këtyre burimeve gjithsesi është problem qe ne duhet ta marrim mirë parasysh në mënyrë që këto burime uje me nje cilesi mjaf të lartë të na shërbejnë në vijimësi.
Shqetësimi i dytë është që ne duhet të kemi kompani ujësjellësash të përgjegjshme, të afta dhe profesionale me një staf të trajnuar mirë profesionalisht për të performuar në perputhje me standardet e KE. Ne nuk shpresojmë që ta arrijmë këtë me një strukturë institucionale të kompanive të ujësjellësave me mbi 55 të tilla, shumica e tyre të vogla, dhe që shume prej tyre sot nuk kanë mundësinë të punësojnë qoftë një inxhinjer hidroteknik. Për këtë arsye, siç do të trajtohet më tej në programin e sotëm, ne duhet të reflektojmë në lidhje me strukturën e sektorit të ujit në Shqipëri duke patur fort parasysh agregimin e kompanive të ujit në kompani më të mëdha dhe që mbulojnë zona më të mëdha shërbimi. Kompani më të mëdha të ujit justifikojnë marrjen në punë të specialistëve në stafin e tyre, të cilët kanë ekspertizën e duhur të administrimit dhe mbrojtjes së burimeve, të trajtimit dhe transmetimin e ujit, rezervimin dhe shpërndarjen duke ofruar një shërbim pa ndërprerje të furnizimit me ujë, si dhe mbledhjen e ujrave të ndotura, transmetimin dhe pastrimin e tyre para derdhjes në ambientin pritës, det, lum apo liqen, qoftë ky.
Këto profesionistë të afirmuar duhet të jenë të imunizuar nga ndërhyrjet politike dhe t’i raportojnë një bordi të pavarur të zgjedhur nga këshillat lokale të qeverisjes vendore, që do të jenë pronarë të kompanive të ujit. Shqetësimi i dytë është që nëse realisht duam që sektori i ujit të funksionojë, duhet që të gjithë të kemi ndaj tij një reagim të përgjegjshëm dhe të koordinuar. Qeveri qendrore, pushtet lokale, ndërmarrjet e ujësjellësit, donatorë të ndryshëm, gjë që për fat të keq nuk ndodh sot në dy bashkitë më të mëdha të vendit, Tiranë dhe Durrës. Qeveria ka realizuar në pjesën më të madhe transferimin e pronësise të kompanive të ujësjellës kanalizimeve qeverive vendore. Aktualisht po punohet me mbështetjen e asistencës së huaj për zhvillimin e një program të trainimit dhe certifikimit të sektorit të ujit, dhe së shpejti do të fillojë puna për hartimin e një politike te agregimit te kompanive te ujit ne njësi me te medha shërbimi. Po investojmë dhe do të rrisim financimin e buxhetit për sektorin e ujit. Pra, po bëjmë detyrën tonë.
Por, ndërsa qeveria qëndrore është tërësisht e vetëdijshme për problematikën dhe nevojat që ka sektori i ujit, në rastin e Tiranës duhet që edhe bashkia të bëjë detyrën e vet. Që nga shtatori i vitit 2007 Bashkia e Tiranë po dëshmon një sjellje totalisht të papërgjegjshme, duke refuzuar përgjegjësitë e veta ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit dhe duke përdorur për këtë refuzim vetëm pretekste të turpshme. Në themel të refuzimit të bashkisë për të ushtruar përgjegjësitë e veta ligjore nuk ka asgjë tjetër përvec mungesës së gatishmërisë për t’u marrë me një problem jetik për qytetarët. Nuk është i vërtetë pretendimi i bashkisë se Tiranës për më shumë pavarësi në menaxhim. I kemi dhënë ligjërisht shumicën vendimmarrëse, sikurse ua kemi dhënë bashkive të tjera të mëdha të vendit, kryesisht të qeverisura nga socialistë, e që po ecin mjaft mirë. Nuk është i vërtetë pretendimi i bashkisë së Tiranës për bilancin e rënduar të ndërmarrjes së ujësjellësit Tiranë, pasi është ndërmarrja me bilancin më pozitiv financiar dhe me një fitim të qartë neto. I vetmi problem real që ka ndërmarrja sot, është në fakt i shkaktuar nga vetë bashkia dhe nga mungesa e frikshme e planifikimit të qytetit që e ka përcunuar Tiranën përgjatë dekadës së fundit dhe që e ka vënë ndërrmarrjen e ujësjellësit në pamundësi për të shërbyer në zonat skajore të qytetit. Kjo është një situatë që duhet të zgjidhet njëherë e mirë dhe ligjërisht duhet që bashkia e Tiranës të kuptojë që misioni i vet nuk janë vetëm lejet e ndërtimit, por mbi të gjitha shërbimet ndaj nevojave bazike të cdo qytetari të Tiranës.
Një tjetër shqetësim është që ne duhet të kemi një sektor shërbimi të ujesjellesave dhe kanalizimeve, që aktualisht është i subvencionuar nga Qeveria Qendrore, i cili të jetë i financuar nga tarifa të cilen ai i faturon dhe mbledh nga konsumatorët e këtyre shërbimeve. Kjo është totalisht në përputhje me principin e KE që thotë që “përdoruesi paguan” për shërbimet. Kjo çështje e cila që zakonisht i referohet arritjes “qëndrueshmërisë financiare”, ose “mbulimit të plotë të kostove operative” merr një rëndësi të veçantë. Nëse Shqipëria dëshiron të përfitojë nga fondet e investimeve kapitale të Komunitetit Europian është e nevojshme të përmbushë standardet e KE. Qeveria Shqiptare është e vetëdijshme në lidhje me burimet e saj financiare të kufizuara për të afruar procesin e hyrjes në Komunitetin Europian dhe për domosdoshmërinë e përmbushjes së të gjitha direktivave të KE. Kjo kërkon një ndryshim që në konceptimin fillestar të sistemeve të furnizimit me ujë, veçanërisht në zonat e mëdha urbane, por jo vetëm këtu. Shumë shpesh, në projektet që paraqiten pranë Ministrisë se Punëve Publike, pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve për financim hasen zgjidhje të ditës, pra zgjidhje që na japin një kapërcim të situatës së sotme, por që nuk na japin një zgjidhje afatgjatë dhe të menduar mirë edhe në funksion të kostove. Marrim rastin e Durrësit, sepse duhet që zgjidhjet t’i gjejmë që në burim. Çfarë zgjidhje do t’i japim qytetit të Durrësit që është një qytet që ka probleme serioze të furnizimit të ujit dhe për të cilin ne jemi duke punuar.Do të gjejmë një zgjidhje të thjeshtë duke shtuar dy burime nëntokësore dhe duke përmisuar sa do pak situatën e furnizimit me ujë të Durrësit, apo do të shkojmë drejt një zgjidhje afatgjatë.Dhe kjo na con në një tjetër problem. A është zgjidhja afatgjatë për zonat e mëdha urbane përdorimi i ujit nëntokësor apo është zgjidhje afatgjatë për zonat urbane përdorimi i pasqyrave sipërfaqësore të ujit?A jemi në gjëndje të mbulojmë zona të mëdha urbane sic është Tirana ,Durrësi, Elbasani, Fieri thjeshtë me burime nëntokësore,dhe me cfarë kosto i mbulojmë dhe sa kjo kosto do të rëndojë mbi përdoruesit e ujit pra mbi qytetarët. Unë do t’i ftoja në këtë aspekt të gjitha njësitë vendore, dhe ndërmarrjet që janë të përfshira në propozimin e zgjidhjeve për furnizimin me ujë në të ardhmen, të nisin të konceptojnë zgjidhje që do të funksionojnë në afatgjata dhe që do të funksionojnë me kosto sa më të ulëta. Është e rëndësishme pra që kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve në Shqipëri të vazhdojnë progresin në drejtim të funksionimit të tyre në një mënyrë sa më komerciale, kështu ato do të bëhen të pavarura finaciarisht bazuar në tarifat që faturojnë dhe mbledhin për shërbimet e tyre.
Qeveria Shqiptare do të bejë gjithshka për të mundësuar investimet kapitale në sektor që të mund të arrihen nga kompanitë e ujësjellës-kanalizimeve standardet e përcaktuara në Direktivat e Ujit, por do të jenë kompanitë individuale të ujësjellësave që do të shlyejnë këto investime kur financimi i tyre është në formën e kredisë, prandaj është e nevojshme që ndërmarrjet të funksionojnë bazuar në principet e tregut. E njëjta gjë vlen për subvencionet. Ne do të vazhdojmë programin tonë të subvensionimit, por jo pa fund. Sipas programit të bërë publik prej dy vjetësh subvencioni do të vijë duke u pakësuar, deri në zero, ndërkohë që as që mund të mendohet më që në fund të vitit qeveria do të mbullojë faturat e papaguara të sha-ve. Edhe për këtë arsye është e nevojshme që ndërmarrjet të funksionojnë ekonomikisht mirë dhe jo të konsiderohen si xhepa pa fund ku drejtuesit vendore mund të bëjnë qoka punësimesh në prag fushate. Ndërmarrjet e ujësjellësave duhet të jenë vënde ku punojnë stafe profesionistësh, që ofrojnë shërbim dhe paguhen për shërbimin që ofrojnë, nuk mund të jenë lista borderosh të gjata ku ne mund të fusim militantë për t’i futur më pas në komisionet e votimit. I ftoj njësitë e qeverisjes vendore që ti konceptojnë ndërmarjet si të tilla dhe që ti trajtojnë si të tilla nëqoftëse duan realisht që këto ndërmarrje të funfsionojnë dhe të kenë një bilac pozitiv.
Përfitoj nga rasti të përgëzoj dhe falenderoj Organizatorët e Konferencës që po bëjnë përpjekje për rritjen e vëmendjes në lidhje me kostot për përputhjen me standardet e KE për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, duke kontribuar me ndihmën fillimisht në dhënien e një platforme diskutimesh për të përcaktuar planin e veprimit të nevojshëm për të përballuar këto sfida në të ardhmen”.
...