“Koha për mosbindje civile”, Berisha: Është rruga e vetme për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës

Demokratët mblodhën këtë të shtunë kuvendin kombëtar për të votëbesuar Sali Berishën pas humbjes së thellë të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Në këtë kuvend nuk pati as rivalë e as kritikë dhe votëbesimi ishte kryesisht një akt formal për të zyrtarizuar se Sali Berisha do të udhëheqë demokratët drejt zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Lideri i opozitës Sali Berisha shfrytëzoi kuvendin për t’iu dhënë përgjigje pikëpyetjeve që demokratët kanë pas 10 viteve në opozitë dhe 6 betejave elektorale të humbura përballë Edi Ramës. Dhe dilema kryesore është, a mund të fitojë zgjedhjet Partia Demokratike?
“Po më thoni ju mua. Kush del fitimtar në një betejë një luan apo një grusht hienash që presin t’ia mbathin sa më parë. Do të fitojmë.”
Një tjetër pikëpyetje që lideri historik i demokratëve, Berisha, sqaroi është rruga që do të ndjekë opozita për të fituar zgjedhjet.
“Po si do fitojmë. E kemi demonstruar se si. Me mosbindje civile, se mosbindja civile është tmerri i diktatorëve.”
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, theksoi se kusht për fitoren është bashkimi i çdo force opozitare. Berisha shpjegoi se beteja kundër qeverisjes socialiste nuk është beteja e një partie, por është beteja që shoqëria shqiptare duhet të bëjë kundër një diktature.
“Ne mund të jemi të ndryshëm, por Edi Rama është armiku ynë i përbashkët. Mos mendoni se Edi Rama rrëzohet me fjalime, deklarata apo me zgjedhje.”
Prandaj ju ftoj të bashkoheni në aksionin pa kthim me mosbindje civile për shpëtimin e demokracisë, ne do të fitojmë.”
Por procesi i bashkimit, së pari brenda PD duket ende i vështirë dhe 15 deputetët që mbështesin Gazment Bardhin e bojkotuan kuvendin. Por pavarësisht kësaj Berisha u kujdes që të vlerësonte betejën e tyre në parlament.
“I përshëndes deputetët e grupit që me mosbindje civile e zhytën në legalitet parlamentin e diktaturës.”
Dy vite pas rikthimit në krye të demokratëve, Sali Berisha nuk ia ka dalë të bashkojë Partinë Demokratike. 10 deputetë sot njohin Lulzim Bashën si kryetarin e tyre dhe 15 deputetët që mbështesin Gazment Bardhin kanë pranuar të bashkëpunojnë me Berishën në parlament, por nuk e njohin si kryetarin e PD. Mbetet për tu parë nëse do t’ia dalë apo jo Sali Berisha të bashkojë PD dhe opozitën në betejën e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në pranverën e vitit 2025./vizionplus.tv