Koha për qytetarin vendimmarrës
Në kohën kur besimi i publikut dhe i vetë aktorëve politikë tek institucioni i zgjedhjeve ndodhet në nivele minimale, vetë demokracia dhe sistemi i shtetit të së drejtës, si produkt i vullneteve zgjedhore, janë të kërcënuara.
Ato përballen me akuzën e ilegjimitetit, paaftësisë për të qenë garante të lirive qytetare dhe mungesës së instrumenteve, për të respektuar vullnetin e sovranit.
Qytetarët ideologjikë dhe ata apatikë nuk janë të prirur për analiza; ata kanë të drejtë të jenë viktimë e keqinformimit dhe interesave të ngutsha partiake, nëse shohin se të drejtat themelore, siç është edhe e drejta e votës, nuk është e garantuar.
Madje, është shndërruar në një plaçkë tregu, që shitet e blihet nga të gjithë të interesuarit. Kështu ndodh me zgjedhjet lokale në bashki e komuna, me zgjedhjet në institucionet më të larta publike e shtetërore dhe së fundi, edhe me zgjedhjet politike parlamentare. Në këto rrethana, vetë demokracia e shteti i së drejtës vihen në dyshim si arritje, si nocione, si modele qeverisëse dhe mbi të gjitha, si projekt i të ardhmes së sigurt.
Kjo fazë e rrezikut të keqinterpretimit për vlerat dhe rezultatet e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, përbën sot një nga sfidat kryesore të shoqërisë shqiptare, pjesës vendimmarrëse dhe pjesës publike të saj. Fenomeni është përsëritur në kohë të ndryshme në vende të ndryshme, ndaj ekzistojnë mekanizma e forma nga më të ndryshmet për zgjidhjen e saj afatgjatë.
Modeli ynë, ai i vendosjes para faktit të kryer, leximit të humbjes si tragjedi, i fitores si triumf i të mirës mbi të keqen, apo i pazareve me votën, nuk mund të jetë zgjidhje, nuk mund të ketë jetë të gjatë dhe nuk mund të prodhojë në asnjë rast e rrethanë besim te demokracia, vlerat dhe institucionet e saj.
Teorikisht, çdo zgjidhje duhet të nënkuptohet pa këtë model, por për shkak se ndodhemi në një terren shqiptar, atëherë jemi të detyruar ta pranojmë mjedisin dhe të llogarisim zgjidhjet bashkë me të.
Zgjidhjet janë dy: një utopike (shpresa se politikanët dhe individët pjesëmarrës në çdo formë të zgjedhjeve do të ndërgjegjësohen, do të ndryshojnë vetë, do të respektojnë çdo votë e mendim ndryshe) dhe një zgjidhje praktike (krijimi i kulturës së zgjedhjes, mendimit ndryshe, kulturës së konkurrimit dhe të respektit për tjetrin).
Varianti i parë vjen në kontradiktë me terrenin, trashëgiminë tonë komuniste, mungesën e përvojës dhe traditës, mungesën e elitave dhe dominimin nga mentaliteti provincial, i mundjes me çdo kusht të familjes rivale. Kështu, zgjidhja e vetme mbetet varianti i dytë.
Si mund të krijojmë kulturën e zgjedhjeve? Le t'u referohemi vendeve të tjera evropiane, praktikave të provuara dhe modeleve që kanë dhënë sukses.
Për shembull, në SHBA çdo vit zhvillohen 100-150 zgjedhje politike lokale apo qëndrore, që nga presidenti, kongresmenët, senatorët, guvernatorët, zgjedhjet brendapartiake, zgjedhjet paraprake, prokurorët, drejtuesit e organeve të sigurisë dhe qeverisjes komunitare, etj. Shumica e tyre janë zgjedhje lokale, pra brenda një shteti, një qyteti apo një komuniteti, dhe vetëm një numër i vogël vjen si zgjedhje kombëtare.
Kalojmë në Evropë. Në Britani e Francë, gjithashtu, gjatë dy viteve të fundit janë zhvilluar 60-70 procese zgjedhore politike, shumica në qytete, komuna, brenda vetë partive apo njësive të tjera politike. Në Itali zhvillohen zgjedhje çdo dy javë, edhe këto shumica në rajone të veçuara lokale, dhe vetëm disa në nivel kombëtar.
Në Gjermani, për shkak të natyrës federative zhvillohen 50-60 zgjedhje politike në vit, edhe këto shumica brenda landeve apo njësive të veçuara lokale. Rekord është Zvicra me më shumë se 100 zgjedhje vjetore, shumica referendume lokale apo kombëtare.
Shifra të larta zgjedhjesh regjistrohen edhe në Austri, Francë apo edhe vendet e reja të BE-së, Polonia, Hungaria, Rumania e Bullgaria. Këtu futen zgjedhjet lokale, zgjedhjet rajonale, zgjedhjet parlamentare, presidenciale apo për parlamentin e BE-së, zgjedhje brenda partive, apo në nivele të tjera të vendimmarrjes politike.
Duke zhvilluar një numër kaq të madh zgjedhjesh, qoftë në nivel lokal, qoftë në nivel krahinor apo kombëtar, këto vende prej shekujsh apo dekadash e kanë krijuar traditën zgjedhore. Ndaj, sot zgjedhjet atje janë një proces rutinë, pa kontestime, pa probleme dhe askush nuk vë në dyshim besueshmërinë e tyre.
A mund të aplikohet ky model edhe në Shqipëri? Natyrisht që po. Ne zhvillojmë zgjedhje parlamentare çdo katër vjet, midis tyre edhe zgjedhje lokale, në ndonjë rast edhe zgjedhje të pjesshme lokale e parlamentare. Këto janë shumë pak për krijimin e një tradite të qëndrueshme zgjedhore.
Kushtetuta e Shqipërisë u krijon mundësinë çdo komuniteti, çdo njësie vendore, çdo grupi prej 25-30 mijë qytetarësh apo çdo 25-30 deputetëve për të kërkuar aplikimin e votimeve ekstra, shumica në formën e votimeve referendare për çështje e probleme të caktuara. Kjo traditë ende e brishtë në Shqipëri meriton të jetë fusha kryesore për veprim në të ardhmen.
Qeveria dhe opozita, duhet të bien dakord t'u krijojnë akses zgjedhor të gjitha qyteteve, bashkive, qarqeve, komunave apo fshatrave që duan të aplikojnë vendimmarrjen e lirë për çështje të tyre thelbësore, siç janë planet e zhvillimit, qëndrimi ndaj investimeve antiekologjike, rritja e autonomisë lokale, bashkimi ose ndarja me njësi të tjera vendore, etj.
Në një plan më të gjerë, qeveria dhe opozita duhet të mbështetin votën qytetare për dhënien e përgjigjes për çështje të tjera të diskutueshme, siç janë dënimi me vdekje, autonomia vendore, debati arsim publik e privat, sistemi i taksave lokale, integrimi në BE, pjesëmarrja në operacionet ushtarake ndërkombëtare dhe deri edhe tek problemet e martesave brenda seksit, arsimimi fetar apo reduktimi i rolit të partive politike.
Mund të ketë çështje, për të cilën të dy palët kanë opinion të përbashkët, ose e kundërta. Në dy rastet qytetarëve u jepet mundësia të zgjedhin, të votojnë lirshëm dhe vendimi final është shumë më përfaqësues, produkti është rritja e besimit të qytetarëve në vendimmarrjen politike, ngushtimi i hendekut klasë politike - qytetarë, forcimi i demokracisë dhe zhvillimi i kulturës së zgjedhjeve.
Nëse ky proces zgjedhoret edhe më shumë, me procese zgjedhore konkurruese edhe brenda vetë partive politike, brenda degëve lokale, brenda bashkive e qarqeve, brenda institucioneve kolektive apo brenda kompetencave të parlamentit për zgjedhjen e funksionarëve të lartë, atëherë produkti do të ishte shumë më i plotë, më i besueshëm dhe një garanci e madhe për epërsinë reale të vlerave të demokracisë.
Në kushtet kur në Shqipëri i vetmi institucion që zgjidhet direkt nga qytetarët ka mbetur kryetari i bashkisë dhe i komunës dhe kur të gjitha institucionet qëndrore politike nuk votohen direkt, por janë produkt indirekt, pra marrëveshjes dhe skemash politike, aplikimi i një strategjie të tillë të qartë, të kalimit të vendimmarrjes tek qytetarët, do të ishte hapi i vetëm në drejtimin e duhur.
Çdo nismë tjetër gjysmake, që kufizohet vetëm në një segment zgjedhor, apo vetëm për një çështje të kufizuar politike, nuk sjell asgjë më shumë se riciklimin e krizave dhe sjelljeve politike, me pasojë rënien edhe më tej të besimit tek vlerat e demokracisë dhe produkteve të saj.
Vetëm një strategji reale, që gjen zbatim dhe që niset nga synime të ndershme e të mira, i jep fund modelit aktual, ku politika dhe politikanët e pamandatuar direkt nga qytetarët, e trajtojnë shtetin, institucionet, pronën publike e private si dhe individët në shoqëri, si mall privat, me të cilën mund të sillen e mund të bëjnë çfarë të duan.