E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha që i duhet Bashës

A ka një preferencë të Berishës ndaj Bashës dhe a do të ndikojë kjo në emrin e kryetarit të nesërm të Partisë Demokratike? Nuk është nuhatje e madhe të identifikohen që të dyja si të vërteta. Berisha e ka promovuar Bashën, e ka përgatitur për të ardhmen duke e vendosur në të gjitha pozicionet domethënëse të pushtetit, ashtu siç edhe i ka ofruar mbrojtjen e tij ndaj kulisave dhe stërkëmbësave që sjell pozicioni në majën e pushtetit. Edhe Olldashi është promovim i Berishës dhe i kishte gjithë mundësitë të ishte i preferuari i tij, por i mungonte klasi i nevojshëm për të cilin ka nevojë një udhëheqës që pretendon të jetë në të ardhmen kryeministër i vendit. Olldashi i ngjan në disa gjëra Berishës: i egër, i dhunshëm, agresiv, fodull në komunikim, i paskrupullt në artikulim, militant. Por vetëm kaq. Dhe Berisha nuk ka ndërmend të çojë PD-në e viteve që vijnë, me një kopje të gjymtuar të tij. Ai e di se koha e modelit të tij ka perënduar. Po të ishte për modelin e vet, Berisha nuk ka pse aspiron për atë që ofron Olldashi. Aq gjë, ende ai mundet ta bëjë vetë, më mirë se kushdo. gjithçka që Berisha do të donte të ishte. Verior, por lindur e rritur në Tiranë, është rastësi e Bashës, por mungesën e së cilës kundërshtarët jo pak herë ia vinin në dukje Berishës, duke i shkaktuar kompleksim në marrëdhënien e tij me kryeqytetin. Basha ka studiuar në Perëndim dhe është martuar me një grua nga jugu i Shqipërisë, çka i jep hijen e një udhëheqësi bashkues. Jo rastësisht, dy njerëzit më me ndikim në psikozën shqiptare, Skënderbeu dhe Hoxha, ishin me gra nga krahina të përkundërta nga prejardhja e tyre. Simbolika në politikë, ka rëndësinë e vet. Berishës i është dashur të luftojë për çdo arritje të tij në jetë, ndërkohë që Bashës gjithçka po i ofrohet në pjatë argjendi. Por këtë Basha ka ditur ta shpërblejë me përunjësi dhe mirënjohje ndaj tutorit politik të tij. Ndaj Basha, është tipi i udhëheqësit i cili Berisha mendon se do t’i jetë mirënjohës në të ardhmen, dhe mund ta çojë të djathtën në fitore, në kushtet kur ambienti politik do të vijë drejt zbutjes, zgjedhjet do bëhen gjithmonë e më të rregullta, dhe elektorati do të kërkojë më shumë fytyra të paqta dhe fotozhenike, se udhëheqës të fortë. Simpatia e shprehur e Berishës për Bashën, mjafton që ta startojë në garë, me distancën që i garanton fitoren. Por Berishës i duhet kjo garë për legjitimitetin e pasardhësit të tij, por edhe për të parë sa beniamini i tij, është në gjendje të notojë në ujërat e helmatisura të politikës shqiptare, tashmë që mentorit i duhet të përgatitet të jetë së shpejti i vetmuar e mjeshtrit të madh t’i kenë rënë fuqitë, humbur shkëlqimi dhe rënë ndikimi. Pasi gjithë sa do të vijnë pas një fitoreje të Bashës, nuk është fundi, por vetëm fillimi. Pas kësaj, nis Golgotha e së djathtës. Si fillim, do t’i duhet të mbajë të shtrënguara radhët e partisë, e cila do të ketë tensione centrifugale që vijnë nga humbja. Pas kësaj, duhet menduar modernizimi i partisë. Modeli i deritanishëm, ishte i vlefshëm vetëm në kushtet e pranisë së Berishës. Hapi pasardhës i tij, do të jetë unifikimi i së djathtës, e cila përbëhet nga dezertorë të sprovuar si Nard Ndoka, karaktere të vështira si Dashamir Shehu, pinjollë që e mendojnë veten të vetmit trashëgimtarë të saj, si Bamir Topi. Dhe nëse ia del, prapë numrat elektoralë nuk i premtojnë fitoren në përplasje zgjedhore. Ajo që duhet të bëjë Basha pas kësaj, është të mundësojë shkërmoqjen e së majtës, pasi edhe për shumë vjet, për të mos thënë dekada, e djathta shqiptare nuk mundet të qeverisë pa u bashkuar me një fetë të së majtës. Numrat janë kokëfortë. Dhe për këtë kërkohet dekompozimi i marrëdhënies midis Metës dhe Ramës dhe më pas zotërimi i intrigës politike nga bosi i ri i PD-së që të mundet të përfitojë dhe ndjellë segmente të së majtës, për të qeverisur bashkë. Pikërisht zotërimi i intrigës politike, ishte dhuntia që më shumë se gjithçka e ndihmoi Berishën, historikisht në minorancë elektorale, të sundonte tre të pestat e kohës postdiktaturë. Dhe më shumë se fitorja e garës me Olldashin, unifikimi i së djathtës, apo pritja e shpërbërjes së koalicionit të majtë, është shpejtësia me të cilën Basha do të mësojë intrigën politike, faktori që do ta sjellë në pushtet, kohë mësimi e cila do të përkojë me kohën që PD do të qëndrojë në opozitë. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›