Suksesi i Bashës përballë disfatës së Olldashit
Në garën për Bashkinë e Tiranës në 2011-ën, Lulzim Bashës iu regjistruan rreth 125 mijë vota nga KQZ-ja. Një kontribut të pazëvendësueshëm për këtë rezultat dhanë 21 mijë votat e LSIsë, e cila bëri një fushatë tejet energjike në përkrahje të Bashës. Por sidoqoftë, i bie që Basha të ketë marrë rreth 104 mijë vota të djathta. Ndërkohë koalicioni i PDsë, dy vjet më parë (në zgjedhjet e 2009-ës), kishte marrë vetëm 2 mijë vota më shumë në territorin e Bashkisë së Tiranës (rreth 106 mijë vota). Pra Basha, me gjithë 6 vjetët e konsumimit të pushtetit të PD-së, arriti t’i ruajë kuotat e koalicionit të PD-së brenda vijës së verdhë të Tiranës (shihni grafikun shoqërues). Katër vjet më parë, në garën për Bashkinë e Tiranës të 2007-ës, Sokol Olldashit i ishin regjistruar rreth 76 mijë vota nga KQZ-ja. Ai nuk pati përkrah LSI-në (përkundrazi, e pati përballë), por sidoqoftë, rezultati që arriti ishte shumë më poshtë kuotës që kishin kapur kandidatët e djathtë dy vjet më parë në territorin e Bashkisë së Tiranës. Në zgjedhjet e 2005-ës, ata morën plot 96 mijë vota brenda vijës së verdhë të Tiranës. Pra, Olldashi mori rreth 20 mijë vota më pak se sa kishin marrë së bashku kolegët e tij të djathtë dy vjet më parë. Ndërkohë, ai ka demonstruar se ka qenë një fushatist shumë efikas në gara të tjera, si para edhe pas 2007-ës. Olldashi fitoi në Shijak në 2005-ën, përballë kandidatit vendas Agron Duka, si dhe arriti një rezultat pozitiv të paprecedent në drejtimin e fushatës së qarkut Fier në 2009-ën. Deri më sot nuk është bërë ndonjë studim rigoroz për të shpjeguar diferencën mes suksesit elektoral të Bashës në 2011-ën dhe disfatës së Olldashit në 2007-ën, por unë po bëj një hamendje për një nga shkaqet kryesore të saj: Përveç ndihmës së 21 mijë votave të LSI-së, Bashën duhet ta ketë ndihmuar fakti që e la Berishën krejt në hije gjatë fushatës së 2011-ës. Ndërsa Olldashi e zhvilloi fushatën e tij të 2007-ës nën hijen e plotë të Berishës…
Shënim: Faktori KQZ ka qenë i njëjtë si në 2007-ën edhe në 2011- ën, në krye të saj kanë qenë njerëz tejet të besuar të Berishës në të dyja rastet…
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Shënim: Faktori KQZ ka qenë i njëjtë si në 2007-ën edhe në 2011- ën, në krye të saj kanë qenë njerëz tejet të besuar të Berishës në të dyja rastet…
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)