Koha që të kuptohet mirë mesazhi i Rilindjes për Shqiptarinë
Robert Qafzezi/artist
-Kombi shqiptar ndodhet sot pa unitet kombëtar, pa unitet fetar, pa unitet popullatash, me trojet të copëtuara, në tentativa për të bërë shtet me rezultate deri më sot që lënë shumë për të dëshiruar...Pra kombi shqiptar aktualisht nuk ka asnjë politikë reale dhe akoma ai vazhdon të përpëlitet në injorancën e thellë të historisë duke ngjarë me një person që e kanë hipur pa biletë në një tren nate drejt Evropës, po që shikimin vazhdon ta ketë nga Orienti.
“Plagët” e lashta të historisë tragjike janë po aty ku kanë qenë dhe disa janë edhe të “infektuara” artificialisht nga një pjesë e madhe e politikanëve e historianëve pa dimension apo me dimensione tepër të vogla që kanë dalë rastësisht në sipërfaqe të këtij “lumi” të rrëmbyer të historisë e që nesër do të zhduken përsëri në valët e tij, pa lënë asnjë gjurmë, përveçse ndonjë “infeksioni “apo dëmi. Sot detyra e të gjithë atyre njerëzve të mençur e që e duan kombin e tyre është që të udhëheqin ndërgjegjen e tij drejt rrënjëve të vërteta, atyre më të thella e të pafalsifikuara nga armiqtë e shumtë e për të nxjerrë në sipërfaqe në mënyrën më të prekshme pozitiven, të mençurën, atë më kombëtaren që na bashkon dhe jo përçarjen shekullore. Shteti shqiptar u udhëhoq këto vite të tranzicionit me një amatorizëm të plotë, nga njerëz që nuk kanë as më të voglën njohuri mbi historinë kombëtare dhe me injorancë të plotë rrënuan shumë arritje të historisë, të vëna me mund e gjak si ajo e autoqefalisë së Kishës Ortodokse...
Amatorizmin qeveritar, qorrllëkun dhe egoizmin e qeveritarëve, populli do t’i paguajë faturën, e cila sapo ka filluar të dalë në sipërfaqe...Shqiptarëve, që i dhanë pavarësinë Greqisë sot u jepet e “drejta” që të futen në Evropë nëpërmjet “tutorit” grek. Kjo është e papranueshme, e patolerueshme, është një lloj gjunjëzimi që duan t’i bëjnë kombit të copëtuar shqiptar dhe mëkëmbjes së tij. Diplomacia shqiptare e dobët si rezultat i një politike servile, apo një politike pa politikë ka bërë të mundur luhatjet në “aksin” qendror të kombit shqiptar, rezultatet e së cilës kanë dhënë shenja prej kohësh. Prandaj mungesa dhe hezitimi i marrjes së masave në mënyrë të prerë do t’i kushtojë shumë shtrenjtë në të ardhmen e afërt. Shqiptarët duhet të jenë krenarë, e jo të jenë inferiorë për historinë e tyre evropiane; ata kanë nxjerrë figura si ajo e heroit kombëtar Skënderbeut që ja ka zili tërë bota e civilizuar. Ata duhet të krenohen me Nënë Terezën, figurë gjigante e vërtetë e krishterimit dhe nuk kanë nevojë që ky krishterim t’u vijë nga “rubineti” grek, por nga ana tjetër, vandalizmi ndaj objekteve të kultit është i papranueshëm dhe i dënueshëm në tërë botën e sotme.
Shqiptarët e mençur të Rilindjes, jo më kot vunë si prioritet “shqiptarinë” e pastaj fenë; le të jenë trojet tona, gjuha jonë zakonet tona, bujaria jonë ato elemente që do gatuajnë fort elementin kombëtar, të pathyeshëm e që na ka mbajtur gjallë gjithmonë në momente të vështira. Elementi kombëtar nuk mund kurrsesi të forcohet me egoizmat e kapriçot e disa qeveritarëve; ata janë të përkohshëm, ndoshta pothuajse të pa-ekzistencë në kuadrin e gjerë të kombit. Partitë politike shkojnë e vijnë, me gjithë qeveritë dhe shpesh, nuk lënë asnjë gjurmë në historinë e kombit. Vetëm ndërgjegjja e thellë e tij, në një zgjim të fuqishëm, mund të arrijë edhe vetë të “pamundurën”, atë më sublimen për të cilën ka ardhur koha sot. Komuniteti Evropian nuk është thjesht një bashkim bankar, nga i cili edhe mund të përfitohet. Ai është një komunitet vlerash shpirtërore dhe kulturore, të cilat nuk i takojnë thjesht të sotmes; ato kanë një histori të përbashkët të lashtë, e cila bën të ndjerit në një familje natyrore.