Koincidenca, PS sërish numri 33 në fletën e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratojë sot fletën e votimit për kryetar të Bashkisë, si dhe atë për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Megjithëse vendimmarrja përfundimtare i përket KQZ-së, tashmë drejtoria përkatëse pranë këtij institucioni ka hartuar modelet paraprake për të dyja votimet, si në mazhoritar, pra për kryetar bashkie, ashtu edhe në proporcional për anëtarë të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Do të jenë vetëm 36 subjekte zgjedhore, që janë përfshirë në fletën e votimit për Këshillin dhe që pretendojnë të kenë përfaqësuesit e tyre në të. Ndërkohë që fleta e votimit për kryetar të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit do të ketë vetëm tre kandidatë dhe më konkretisht Edi Ramën, Lulëzim Bashën dhe Hynsi Milloshin.
Fleta për Këshillin
Fleta e votimit për Këshillin Bashkiak të Tiranës do të ketë ngjyrë jeshile, ndërsa në të zgjedhësit do të kenë mundësi të përzgjedhin mes 36 subjekteve politike, pavarësisht se në KQZ fillimisht për zgjedhje u regjistruan plot 56 parti. Fleta është e ndarë në tre blloqe kryesore, të cilat pasqyrojnë dy koalicionet e vetme politike, si dhe subjektet politike që kanë vendosur të garojnë të vetme. Kështu, KQZ ka renditur koalicionet sipas shkronjave nistore dhe në krye të saj kanë vendosur koalicionin e djathtë “Aleanca për Qytetarin” dhe të dytin koalicionin opozitar “Aleanca për të Ardhmen”. Për këtë renditje nuk janë marrë parasysh vetëm shkronjat nistore të dy fjalëve kyçe, por edhe të fjalëve të tjera, siç janë edhe lidhëzat. Një gjë e tillë ka bërë që koalicioni i djathtë të renditet në një pozitë më të favorshme, sesa ai i majtë, çka pritet që sot gjatë diskutimit në mbledhjen e KQZ-së, të shkaktojë dhe debate apo kundërshtime të përfaqësuesve të majtë. Më pas, në fund fare është renditur edhe blloku i partive që kandidojnë të vetme dhe më konkretisht, LZHK, Dashamir Shehit dhe, PKSH e Hysni Milloshit. Ndërkohë që, si për koincidencë, Partia Socialiste, ashtu si dhe në zgjedhjet e 2009, do të ketë sërish numrin 33, një numër që siç rezultoi nuk i solli shumë fat. Nga ana tjetër, PD, nga numri 10, që kishte në zgjedhjet e shkuara parlamentare, kësaj here do të ketë numrin 13. Numrat do të kenë një rëndësi të madhe në ditën e votimit, pasi nëpërmjet tyre subjektet politike do të orientojnë dhe zgjedhësit e tyre në fletën e votimit. Fleta e votimit për Këshillin Bashkiak do të jetë në formatin A3.
Fleta për kandidatin
Ndryshe nga fleta e votimit për Këshillin Bashkiak, ajo për kryetar të Bashkisë së Tiranës, nuk ka ndonjë surprizë të madhe nga draftet e përllogaritura më parë. Ajo do të jetë e formatit A4, në ngjyrë të verdhë, dhe në të do të jenë përfshirë tre kandidatët e regjistruar për këtë garë. Më i favorizuar për nga vendi që zë në fletën e votimit, duket kandidati i së majtës, i cili renditet i pari dhe në vendin më të dukshëm në fletë. Pas tij, në renditje është kandidati komunist, Hysni Milloshi dhe në fund fare është kandidati i së djathtës, Lulëzim Basha. Përveç emrave të kandidatëve, në fletën e votimit janë përfshirë edhe emrat e të gjitha partive që e mbështesin atë.