E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi nervoz ndaj partive: Jo dhunë, por debat!

Kreu i shtetit flet në ceremoninë e dekorimit të disa personazheve të lëvizjes demokratike të viteve 1990-1991

Zhvillimet e fundit politike dhe situata prag zgjedhore kanë sjellë reagimin e Presidentit, Bamir Topi, ndaj partive kryesore. Në fjalën e tij, në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të ndryshme të vendit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm në lëvizjen demokratike të viteve 1990-1991, ai nuk kurseu tonet e ashpra. “Jemi në momente shumë të rëndësishme, kur vërtet njeriu ndonjëherë ndihet i paorientuar, kur debatet e vogla, pa substancë, ngrihen dhe dominojnë të gjithë qenien tonë, të gjithë ambientin familjar, ambientin shoqëror. Është momenti që t’u bëhet thirrje të gjithëve, është tepruar ndoshta me këtë fjalë ‘T’u bëjmë thirrje, thirrje, thirrje’. Jo, është detyrim. Secili ka detyrim, se nuk besoj të marrë njeri ndonjë injeksion që të futet me detyrim në politikë. Jo, ka hyrë me dëshirë”, theksoi Presidenti. Por, vijoi ai, kur të futesh në politikë, duhet të dish minimalisht të jesh i sinqertë dhe u bëj thirrje të gjithëve, që politika të jetë e sinqertë. Të jetë e sinqertë, tha ai, të bëjë debatin real dhe mbas debatit të ketë produkt! “Kjo është arsyeja që vazhdimisht, në mënyrë shumë frekuente dhe gjatë këtyre ditëve, unë kam bërë apel për 8 majin. 8 maji është dita e rinovimit të pushtetit vendor. Partitë demokratike, sipas rregullit në demokraci, të futen në garë, të respektojnë rregullat, të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndjen që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që, ata që kanë marrë votën e qytetarit t’i shërbejnë qytetarit. Dhe ky shërbim nuk është falas, sepse qytetari është i mbushur me dhjetëra taksa. Pra, nuk është se politikanët na kanë në dorë jetën ne të gjithëve, si qytetarë. Jo, kanë detyrimin për ta administruar taksën, sepse kështu është rregulli i demokracisë”, insistoi Topi. Në vlerësimin e kreut të shtetit, secili jep taksat, pranon një administrim të caktuar, një vizion politik, dhe pastaj kërkon llogari. Ndaj, vijoi ai, thirrja është vërtet e rëndësishme, për të gjithë ata që sot marrin pjesë në një garë elektorale dhe aq më shumë për ata që do të zgjidhen, qoftë në krye të komunave, të bashkive, por sidomos nëpër këshillat bashkiakë. “Kemi qenë dëshmitarë se si këshillat bashkiakë, në mjaft raste janë bllokuar për kapriçio, një telefonatë që vjen nga diku: ‘Shiko, mos merr pjesë ti atje’! Ndërkohë që bllokohen procedura, bllokohet zhvillimi i qytetit dhe pastaj rikthehemi. Dhe ndoshta ke të drejtë në këtë pikë, sepse sot Unaza e Tiranës është me vendimin e Kryeministrit të fundit të qeverisë komuniste, të Adil Çarçanit. Ke një të drejtë! Pra, që të mos hyjmë në situata të tilla, duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot”, insistoi Presidenti Topi. Duke ju referuar situatës prag zgjedhore, ai këmbënguli se njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. “Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, dhe Tirana, Durrësi, Korça, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, të gjitha kanë nevojë për projekte madhore”, tha Topi. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Këshilltari Ligjor i Presidentit, zoti Artur Metani, Kreu i Shtetit u dorëzoi “Medaljen e Mirënjohjes” në shenjë vlerësimi të veçantë, përkatësisht zotërinjve: Lulzim Brahja, Agim Buxheli, Bujar Kore, Fatmir Çepani, Eqrem Kavaja, Gani Xhengo, Gani Lami, Hysen Berberi (Pas vdekjes), si dhe zotin Jonuz Xhetani dhe zotin Bajram Kruja. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›