Shfryhen koalicionet,PS zyrtarisht me 13 parti, PD me 19
“Kokoshi katandiset një thelë”. Kështu mund të përkufizohet beteja për koalicione sa më të mëdha mes dy kampeve kryesore politike në vend. Nga 23 dhe 22 forca, të cilat përmbanin respektivisht koalicioni i majtë dhe ai i djathtë, ditën e regjistrimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tashmë numri i tyre është reduktuar ndjeshëm. Në fletën e votimit për Këshillin Bashkiak të qytetit të Tiranës, koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen” do të ketë vetëm 14 forca politike, ndërsa koalicioni tjetër i shumicës së djathtë “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 20 subjekte politike.
“Aleanca për të Ardhmen”
Nga 23 forca, me të cilat arriti një marrëveshje paraprake, Partia Socialiste për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës do të ketë në koalicion vetëm 13 prej tyre. Plot 10 nga subjektet që pranuan të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit, nuk janë përfshirë në fletën e votimit për qytetin e Tiranës, ku dhe janë renditur subjektet politike për çdo koalicion. Nuk kemi të bëjmë me një tërheqje zyrtare të tyre nga kjo marrëveshje, apo nga koalicioni, por me një seleksionim që ka bërë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vendosur në fletën e votimit vetëm ato subjekte që kanë paraqitur dhe regjistruar listat shumëemërore për Këshillin Bashkiak të kryeqytetit. Më konkretisht, në fletën e votimit për koalicionin opozitar janë përfshirë: Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, Partia Demokristiane e Shqipërisë, Partia e Gjelbër, Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, Partia G99, Partia Ligj dhe Drejtësi, Partia Reformatore Demokratike, Partia Socialdemokrate, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Socialiste e Vërtetë 91. Ndërkohë që kanë mbetur jashtë tij Partia Ardhmëria Shqiptare, Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet, Partia e Pajtimit Kombëtar, Partia e Unitetit Kombëtar, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve të Shqipërisë, Partia Rruga e Lirisë, Partia Socialiste e Moderuar dhe Partia Toleranca e Re e Shqipërisë. Megjithëse, për vetë këto subjekte që nuk janë përfshirë në këtë listë, kjo ka qenë një zgjedhje duke u nisur nga pretendimet që mund të kenë në Tiranë, për vet koalicionin kjo mund të ketë një impakt negative, pasi atij do t’i mungonin votat e mbështetësve të tyre, çka do ndikonte në rezultatin përfundimtar për ndarjen e mandateve mes dy koalicioneve. Sipas sistemit aktual zgjedhor, çdo votë e çdo subjekti që është pjesë e një koalicioni nuk humbet, pasi ato mund të favorizojë subjektet kryesore të këtij bashkimi partish, në rastin konkret të PS-së.
“Aleanca për Qytetarin”
Tkurrje në kryeqytet ka pësuar edhe koalicioni i shumicës qeverisëse “Aleanca për Qytetarin”, megjithëse jo në të njëjtat nivele, si ai i koalicionit kundërshtar. Nga 22 subjekte që u regjistruan në këtë koalicion, në fletën e votimit për Këshillin Bashkiak të Tiranës, ai do të ketë vetëm 20. Kjo pasi dy subjekte, dhe më konkretisht Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian dhe Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar, nuk janë përfshirë në fletën e votimit si pjesë e këtij koalicioni, pasi nuk kanë paraqitur lista shumë emërore për kandidatë për Këshillin Bashkiak. Për shkak se numri i subjekteve që nuk janë regjistruar në Tiranë është më i vogël sesa ai i opozitës edhe ndikimi negative për këtë koalicion pritet të jetë më i vogël. Megjithatë duhet sqaruar se mospërfshirja në fletën e votimit, për votimin në proporcional për kryeqytetin, nuk do të thotë që kjo pasqyrë e koalicioneve mund të jetë dhe në qarqet e tjera. Kjo pasi ligji i lejon subjektet politike që të regjistrohen vetëm në ato zona apo qarqe, ku dhe kanë mbështetje.
Koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”
1 Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, AAK, Gjet Ndoj
2 Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar, PBPPSH, Selami Jenishehri
3 Partia Bashkimi Rebublikan Shqiptar, PBR, Zane Llazi
4 Partia Demokracia Sociale PDS, Paskal Milo
5 Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, PDBMSH, Sabri Jacaj
6 Partia Demokristiane e Shqipërisë, PDK, Nard Ndoka
7 Partia e Gjelbër, PGJ, Edlir Petanaj
8 Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, PPSHR, Marko Dajti
9 Partia G99, Ervin Mete
10 Partia Ligj dhe Drejtësi, PLiDr, Spartak Ngjela
11 Partia Reformatore Demokratike, PRDSH, Skënder Halili
12 Partia Socialdemokrate, PSD, Skënder Gjinushi
13 Partia Socialiste e Shqipërisë, PSSH, Edi Rama
14 Partia Socialiste e Vërtetë 91, PSV 91, Petro Koçi
Koalicioni “Aleanca për Qytetarin”
1 Aleanca Demokratike, AD, Neritan Ceka
2 Aleanca Europiane Ekologjike, AEE, Sazan Guri
3 Bashkimi Liberal Demokrat, BLD, Arjan Starova
4 Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, Ilir Meta
5 Lidhja Demokristiane Shqiptare, LDK, Nikoll Lesi
6 Partia Agrare Ambjentaliste, PAA, Lufter Xhuveli
7 Partia Aleanca Demokristiane, ADK, Zef Bushati
8 Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, ADS, Gaqo Apostoli
9 Partia Aleanca Popullore, PAP, Fatjon Softa
10 Partia Balli Kombëtar, PBK, Adriatik Alimadhi
11 Partia Balli Kombëtar Demokrat, PBKD, Artur Roshi
12 Partia Demokracia e Re Europiane, PDRE, Koci Tahiri
13 Partia Demokratike, PD, Sali Berisha
14 Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, PDIU, Shpëtim Idrizi
15 Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, PDM e Re, Fatmir Hoxha
16 Partia Konservatore, PKONS, Armando Ruco
17 Partia Lëvizja e Legalitetit, PLL, Ekrem Spahiu
18 Partia Ora e Shqipërisë, POSH, Zef Shtjefni
19 Partia Personat me Aftësi të Kufizuar, PPAK, Afrim Jeshili
20 Partia Republikane Shqiptare, PR, Fatmir Mediu