E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koka: LSI-PS në këshillin bashkiak të Durrësit vendime në interes të qytetarit

DURRES- Bashkimi i votave të LSI dhe PS është tashmë një realitet edhe në këshillin bashkiak të Durrësit. Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së Lefter Koka në një intervistë për News 24 shprehet se ky vendim u mor pas shkarkimit të anëtarit të KQZ-së Ilirian Muho, gjë e cila dëmtoi rëndë ligjin e kodin zgjedhor. Një arsye tjetër e këtij bashkimi sipas Kokës është për të shpëtuar qytetin e Durrësit.

“Në fillim të prillit LSI iu përgjigj pozitivisht ftesës së PS për një aleancë parazgjedhore, shumë shpejt u ndeshëm me një reagim të pakuptimtë e nervoz të Partisë Demokratike. Ky reagim kulmoi me kërkesën antiligjore për largimin e njërit prej përfaqësuesve të KQZ, propozuar ky nga LSI. Ky veprim i papërgjegjshëm cenoi kodin zgjedhor, cenoi rëndë demokracinë në vend, e ngjalli pasiguri për zgjedhje normale më 23 qershor. Ndodhur përballë një individi e një partie në largim, ku për 8 vjet bënë të pamundurën për të kontrolluar çdo pushtet, politik, ekonomik, pra kontrolluan të gjitha institucionet e pavarura, rritën varfërinë dhe papunësinë në vend. Të gjitha këto në shërbim të një individi në dëm të Shqipërisë e shqiptarëve. Ndaj ne sot, për të shpëtuar Durrësin nga monopolizimi i ndodhur kudo, në një port që nuk është më i durrsakëve, për një hekurudhë të rrënuar, për një transport rrugor të diskriminuar, për një flotë peshkimi gati mesjetare dhe ajo që është më kryesore gati në kufijtë e të parikuperueshmes, shkatërrimi i administratës publike mbushur kjo me militantë arrogantë. Të vendosur së bashku me Partinë Socialiste, sot fillojmë procedurat ligjore për t’ja kthyer këshillat bashkiak dhe këshillin e qarkut, mazhorancës reale, PS dhe LSI. Ne jemi të bindur se qytetarët e Durrësit pavarësisht bindjeve politike do të dinë më 23 qershor të bëjnë me zgjuarsi ndryshimin e madh, për ti rikthyer Durrësit dinjitetin e munguar. Thirrja ime për të gjithë pushtetarët vendor, drejtuesit e Institucioneve në qarkun e Durrësit është: Mos u bëni preh e klithmave të dëshpëruara të kryetarit tuaj, ky pasion për pushtet i ka rrëzuar atij arsyen. Durrësi e Shqipëria janë para së gjithash", sqaroi Koka.

Lidhur me vonesat për vendimmarrje të krijuar nga e djathta e djeshme në këshillat bashkiak, çfarë do të ndodhi tashmë që do të nisin procedurat ligjore për ndryshimet?

Siç jeni në dijeni, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë në një koalicion qeverisës me PD dhe për pasojë shumë vendime janë marrë me propozime politike. Ajo që unë sapo sqarova është që mazhoranca reale sot në këshillat bashkiakë dhe ato të qarkut është pra, mazhoranca ndërmjet dy forcave politike të majta PS dhe LSI, ndaj shumë shpejt ne do të ndryshojmë raportet dhe vendimmarrja do të jetë në shërbim të qytetarëve jo vetëm të Durrësit por në këshillat e gjithë qarkut.

A ka për qëllim ky ndryshim raporti ndryshimin në këshillat bashkiak dhe ato të qarkut?

Sigurisht që përballë këtij fenomeni, sic është rasti i kërkesës për ndryshim të anëtarit të Këshillit Qendror të Zgjedhjeve të gjithë institucionet janë të uzurpuara nga një individ i vetëm dhe në shërbim të një personi të vetëm. Ndryshimi do të vijë më 23 qershor.
(m.a/k.haxhiaj/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›