E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokaina, Shqipëria mes Italisë e Greqisë për çmimin

Raporti i OECD-së tregon një rritje të përdoruesve të kokainës në Shqipëri, edhe pse ajo tregtohet me çmim të lartë në rrugë, nga 80-105 dollarë

Shqipëria renditet mes Italisë dhe Greqisë sa i takon çmimit të kokainës. Çdo vit, zyra e krimit dhe drogës e OECD-së, organizatë që përfshin vendet më të zhvilluara të globit, publikon një raport të detajuar mbi prodhimin dhe konsumin e drogave të jashtëligjshme në mbarë botën. Këtë vit raporti tregon se, pavarësisht luftës që qeveritë në gjithë globin bëjnë ndaj trafikut të drogës, konsumi i saj vazhdon të rritet. Sipas OECD-së, aktualisht janë mbi 210 milionë njerëz më botë, që çdo vit përdorin droga të jashtëligjshme, nga të cilat vdesin rreth 200 mijë prej tyre. Por e dhëna më interesante ka të bëjë me çmimin e saj. Sipas raportit, tregohet çmimi i rrugës për një gram kokainë. Çmimi i kokainës varion nga 62 euro për gram në Britaninë e Madhe deri në 155 euro në Norvegji. Sipas Policisë së Shtetit, kokaina tregtohet në rrugë nga 80-105 dollarë për gram, çmim ky që qëndron diku në mesin e tabelës, afër fqinjëve të saj, Italisë dhe Greqisë. Në Europë tregu i kokainës përllogaritet rreth 33 miliardë dollarë, 3 herë sa Prodhimi Kombëtar i Shqipërisë. Shqipëria ka një peshë të papërfillshme në këtë treg. Por në raport me numrin e popullsisë, konsumi në Shqipëri, sipas OECD-së, është relativisht më i lartë. Sipas vlerësimeve të vitit 2009, përdorimi i kokainës në Shqipëri qëndron në 0.8 për qind, që do të thotë 0.8 vetë në çdo 100 persona përdorin kokainën, kur në Bosnjë dhe Bullgari shifra është 0.6, ndërsa në Rumani dhe Serbi respektivisht 0.1 dhe 0.5 për qind. Lajmi i mirë është se krahasuar me të ardhurat për frymë, çmimi i drogës në Shqipëri është ndër më të lartit në Europë, çka kufizon deri diku përdorimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›