Banda e Krishtlindjeve, tre të arrestuar për grabitjet me armë
Prangosen tre të rinj nga Durrësi, të cilët kryen dy grabitje të armatosura në rrugën Golem-Plepa Natën e Krishtlindjeve. Sulmuan rojen e një karburanti dhe një familje, së cilës i vodhën makinën
Tiranë Tre të rinj të dyshuar për dy grabitje me armë kanë përfunduar dje në prangat e policisë, falë një operacioni të mirëorganizuar mes policisë së Kavajës, Tiranës dhe Durrësit. “Maskat e Natës” është pagëzuar banda e tre të rinjve nga qyteti i Durrësit, të cilët mbrëmjen e Krishtlindjeve kanë kryer dy grabitje të armatosura në rrugën nacionale Golem-Plepa. Sipas policisë, autorë të dyshuar të këtyre dy ngjarjeve që kanë pasur si objektiv rojen e një karburanti dhe një automjet që lëvizte në këtë aks rrugor janë: Eduart Myftari, 19 vjeç; Sabedin Plaku, 23 vjeç; dhe Marjan Trendi, 19 vjeç; të tre banorë të qytetit të Durrësit. Policia tha se ka mundur të dokumentojë se tre të arrestuarit janë autorë të dy grabitjeve, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre është gjendur edhe një armë zjarri automatike, të cilën “Maskat e Natës” e kanë përdorur mbrëmjen e 25 dhjetorit. Duke shfrytëzuar atmosferën e Krishtlindjeve, grupi prej tre të rinjsh fillimisht ka grabitur nën kërcënimin e armës rojen e një karburanti në Golem. “Këta shtetas më datë 25 dhjetor 2011 rreth orës 20.00’ nën kërcënimin e armës kanë vjedhur rojen e karburant ‘Eurodrin’, i ndodhur në Golem dhe më pas janë larguar me një automjet”- tha zyrtarisht dje policia e Tiranës. Por vetëm disa orë më vonë, të rinjtë kanë qenë protagonistë të një tjetër grabitjeje, duke terrorizuar nën kërcënimin e armës një familje që udhëtonte në rrugën Golem-Plepa. Rreth orës 3:40 minuta të mëngjesit të datës 26 dhjetor, tre të dyshuarit nën kërcënimin e automatikut kanë ndaluar një automjet tip BMW. Fillimisht, ata kanë qëlluar një herë në ajër për të trembur drejtuesin e mjetit, Elvis Maçi, i cili ishte duke udhëtuar bashkë me familjen e tij. “Autorët e dyshuar u kanë kërkuar me forcë pasagjerëve, duke i kërcuar me armë të zbresin nga automjeti dhe, pasi kanë vjedhur këtë automjet, janë larguar nga Kavajë për në drejtim të qytetit të Durrësit”- tha zyrtarisht policia. Ndalimi i tyre është bërë falë shkëmbimit në kohë të informacioneve përmes strukturave të policisë, derisa u bë e mundur kapja e të dyshuarve në një lokal në fshatin Shënvlash të rrethit të Durrësit. Menjëherë pas ndalimit të tre të rinjve, policia ushtroi kontroll në banesat e tyre, ku ka mundur të sekuestrojë edhe armën e zjarrit tip automatik, e cila është përdorur në dy grabitjet e realizuara mbrëmjen e 25 dhjetorit. Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e të arrestuarit Marjan Trendi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një automjet tip ‘Benz’ me targa të falsifikuara të Kosovës, i cili rezulton i vjedhur. Në banesën e shtetasit Eduart Myftari përveç armës së zjarrit tip automatik, e cila ka shërbyer për të realizuar vjedhjen, u gjendën edhe disa kapuçë maskë, të cilat dyshohet se janë përdorur nga të arrestuarit mbrëmjen e grabitjes. Ndërsa në banesën e të arrestuarit tjetër si pjesë e këtij grupi, shtetasit Sabedin Plaku, policia sekuestroi dy pistoleta tip TT dhe model Francez, të cilat mbaheshin pa leje nga 23-vjeçari. Policia tha se dosja penale në ngarkim të tyre i ka kaluar për hetime të mëtjeshme Prokurorisë së Tiranës, për akuzat e vjedhjes me armë në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Zyrtarisht, uniformat blu deklaruan se strukturat e hetimit të krimit, në bashkëpunim edhe me prokurorinë, po vazhdojnë hetimet për dokumentimin e disa ngjarjeve të tjera të ndodhura në Tiranë, që dyshohet se mbajnë autorësinë e tre të arrestuarve.