E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokaina në verë, trafiku hetohet në kufi e dogana

Hetimi për trafikun e kokainës së fshehur brenda shisheve të një marke të njohur të verës franceze, përfshin doganat dhe pikat e kalimit kufitar. 

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë se oficerët gjyqësorë po verifikojnë në dogana dhe në pikat e kalimit kufitar për të mësuar origjinën prej nga vjen në Shqipëri vera e markës së njohur franceze. Një shishe e tillë është konsumuar prej Tomi Rrumbullakut dhe mikeshës së tij, Diana Xibraku, më 12 janar 2008, në një lokal në Golem, ku dy personat gjetën vdekjen si pasojë e konsumimit të narkotikut të tretur në pijen e njohur alkoolike. Hetimet për një trafik ndërkombëtar kokaine të fshehur në shishet e verës filluan pikërisht, pasi policia ra në gjurmë të përqendrimit të lartë të narkotikut në shishen e konsumuar nga dy viktimat e ngjarjes së Golemit. Oficerët e policisë dhe hetuesit e antidrogës po përpiqen të saktësojnë linjat prej të cilave vera e markës së njohur franceze të vitit 1953 hyn në Shqipëri. Sapo të saktësojnë këtë fakt, hetuesit pritet të verifikojnë më pas nëse në këtë linjë ka persona të cilët trafikojnë në mënyrë të kontrolluar shishe të verës franceze të kthyer në tretësirë me përqendrim të lartë kokaine, e cila më pas avullohet në laboratorë të sofistikuar për të ricikluar narkotikun e pastër. Dyshimet e policisë janë se pas këtij trafiku fshihet një organizatë e fuqishme, e cila për të mashtruar autoritetet doganore, policinë dhe kontrollet kufitare e fsheh kokainën në shishet e verës, të cilat lëvizen të kontrolluara derisa i dorëzohen marrësit, anëtari i organizatës, i cili më pas nxjerr kokainën nga vera përmes avullimit dhe e hedh atë në tregun e shitjes së narkotikëve. Deri më tani përjashtohet mundësia që futja e kokainës në verë e më pas qarkullimi i kontrolluar i shisheve të jetë një proces i realizuar në Shqipëri. Veç doganave dhe pikave të kalimit kufitar po hetohet mundësia e mbërritjes së shisheve të tilla në rrugë ilegale ose përmes pakove të ndryshme postare.              t.s

DËSHMITARËT
Duke iu referuar rastit të vdekjes së Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut, pasi ata konsumuan verën që kishte marrë me vete 54-vjeçari, policia ka marrë në pyetje të afërm dhe persona të tjerë me dijeni, lidhur me origjinën e shishes së verës. Megjithatë askush nga këta nuk ka pohuar të kishte dijeni për fakte që mund të ndihmojnë hetimin, ndërsa në momentet e fundit të jetës Tomi Rrumbullaku duket se ka bërë një tentativë për të fshehur shishen e verës së përgjysmuar, duke e hedhur atë në koshin e plehrave të restorantit ku gjeti vdekjen.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›