E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokaina streson zemrën. Edhe 19-vjeçarët janë të rrezikuar nga infarkti

Nuk i bën keq vetëm trurit. Kokaina e dëmton aq shumë organizmin, saqë një nga dëmet e menjëhershme pas konsumimit të saj është infarkti akut i miokardit. Atakët e zemrës janë vënë re te personat me moshë nga 19 deri në 40 vjeç, pavarësisht dozës së konsumuar

Njerëzit që e përdorin mendojnë se në fund të fundit nuk u bën dhe aq keq. Por kokaina e dëmton aq shumë organizmin, saqë një nga dëmet e menjëhershme pas konsumimit të saj është infarkti akut i miokardit, më i lartë në 60 minutat pasi është marrë kokaina. Atakët e zemrës janë vënë re te personat me moshë nga 19 deri në 40 vjeç. Në bazë të studimeve të bëra është zbuluar se ky shqetësim nuk ka lidhje me dozën e marrë, mënyrën e pirjes, ose kohën e përdorimit, por me karakteristikat fizike. Rasti mund të jetë fatal edhe për një person i cili nuk e di që ka shqetësime të veçanta. Problemet e krijuara nga droga nuk marrin fund kur ajo nuk konsumohet më. Efektet e krijuara nga përdorimi i substancave narkotike mund të lënë pasoja të mëdha, si fizike, ashtu dhe psikologjike. Edhe ai që nuk konsumon më drogë prej kohësh mund të ndiejë “momente boshllëku”. Përdorimi i rregullt i drogës mund të zvogëlojë aftësinë e një njeriu për t’u përqendruar, për të punuar dhe mësuar, madje për një kohë të shkurtër mund të marrë një jetë. Megjithatë, pavarësisht rreziqeve dhe fushatave të pafundme, njerëzit vazhdojnë t’i përdorin. Të gjithat llojet e drogave janë helme. Sasia që konsumohet përcakton efektin: një dozë e vogël vepron si stimulues, një dozë mesatare vepron si qetësuese, ndërsa një dozë e madhe vepron si helm dhe mund të vrasë një person.

Studiuesit e Universitetit të Sienës kanë marrë parasysh të gjitha parimet e studimeve shkencore mbi dëmet e kokainës. Nga analizat e publikuara në revistën “Europad”, është zbuluar se përveç efekteve të njohura negative mbi ndryshimin e funksioneve cerebrale, janë edhe ato të lidhura me zemrën dhe arteriet. “Katër në dhjetë persona, mes atyre që i nënshtrohen një ndihme të shpejtë për probleme që lidhen me substancën, shfaqin dhembje në gjoks dhe 25 për qind e të gjitha rasteve jo fatale të atakëve të zemrës tek të rinjtë, shoqërohet me përdorimin e ‘miellit të bardhë’”, thotë drejtori i departamentit të neuroshkencave në Universitetin e Sienës.

Mes komplikacioneve kardiovaskulare që lidhen me përdorimin dhe abuzimin e kokainës janë: ishemi, infarkti i miokardit, por edhe dhembja në kraharor një orë pas pirjes së substancës narkotike. Kjo tregon se përqendrimi i kokainës në gjak është rritur. Megjithatë, pacientë të tjerë janë shprehur se kanë ndjerë të njëjtën dhembje shumë orë pas pirjes, pra kur niveli i substancës në gjak ishte ulur, ose në atë moment ishte i papërfillshëm. “Të gjitha efektet lidhen me toksikimin kardiovaskular të kokainës që ‘streson’ sistemin simpatik, pra me fjalë të tjera atë pjesë që kontrollon dërgimin e gjakut në zemër. Në këtë mënyrë rritet adrenalina dhe muskujt e lirë janë më të ndjeshëm ndaj çdo lloj stimuli kontraktimi”. Me pak fjalë karakteristikat e organizmit tonë sjellin gjithmonë takikardinë. Pastaj përzierja me tymin e cigares dhe alkoolin nxit një efekt më të fortë në krahasim me atë të dhënë nga tymi i cigares ose kokainës të pira njëkohësisht.

Mjekët janë të shqetësuar për dëmet e mundshme, por i tremben edhe shifrave. Në vitin 2008 janë kontaktuar më shumë se 1 milion konsumatorë në gjendje të mirë shëndetësore dhe 300 mijë konsumatorë të rregullt. Vetëm në vitin 2001, ishin mbi 400 mijë ata që e përdornin kokainën të paktën një herë në vit. Këto shifra janë nxjerrë nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve të Pizës dhe janë bërë publike në 2009-n. Duke qëndruar te studimi, konsumatori tipik është mashkull, i papunë, me moshë nga 15 deri në 35 vjeç. Por rritja më e madhe (nga viti 2001 deri në 2008-n) është vënë re nga moshat 35 deri në 44 vjeç. Në këtë moshë numri i personave që e kanë provuar substancën është dyfishuar: nga 0,1 për qind që ka qenë në vitin 2001, sot ka arritur në 1%. Pjesa më e madhe e atyre që konsumojnë kokainë përdorin edhe substanca të tjera: 74% pi çdo ditë cigare, ndërkohë që 85% shijojnë në maksimum kanabisin. Prej vitit 2003 është rritur nga 10 deri në 15% edhe përdorimi i heroinës nga konsumatorët e kokainës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kombinimin me alkoolin: mes pijeve të forta konsumi i kokainës është 15 herë më i përhapur në popullsinë e zakonshme.

Rreth 7.5 milionë të rinj europianë pohojnë se e kanë përdorur të paktën një herë në jetë dhe pesë vende - Gjermania, Italia, Danimarka, Spanja e Mbretëria e Bashkuar, kryesojnë klasifikimin, pasi të rinjtë në këto vende, nga 15-34 vjeç, janë konsumatorët më të mëdhenj, duke kapërcyer 5 përqindëshin e numrit të përgjithshëm. Edhe rastet e vdekjes si pasojë e përdorimit të drogave, që prej shumë vitesh po shënonin rënie, duket se tani po rriten.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›