E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oskar-i në rozë

Regjisorja është në garë me 9 kandidatura kundër ish-bashkëshortit James Cameron. Kjo do të ishte një fitore shumë e pritur femërore në kategorinë kryesore. Por nga nata e yjeve, që do të zhvillohet më 7 mars, u përjashtua producenti: u kishte dërguar e-mail-e anëtarëve të Akademisë kundër “Avatar”-it Bigelow: “Do të jem unë gruaja e parë?”

është ndezur një “duel i fortë” mes dy ish-bashkëshortëve, James Cameron dhe Kathryn Bigelow, i cili pritet të marrë fund natën e madhe të ndarjes së çmimeve “Oskar”, më 7 mars. Filmi “Avatar” i regjisorit James Cameron, kundër “The Hurt Locker” të Bigelow-t, janë të dy në majë të klasifikimit me nëntë kandidatura secili, përfshi këtu edhe kandidaturat për filmin dhe regjinë më të mirë. Me sa duket, ky është një duel aq i fortë, saqë pardje pati edhe viktimën e parë: një nga producentët e filmit “The Hurt Locker”, Nicolas Chartier, nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oskar”, pasi u kishte dërguar e-mail-e anëtarëve të Akademisë, duke i ftuar të mbështesin filmin e tij dhe jo “një film prej 500 milionë dollarësh” (dukej qartë se e kishte fjalën për “Avatar”-in). Lajmi bëri shumë bujë, pasi momentalisht gjendja në Akademi është tepër e tensionuar.
Janë dy filma krejtësisht të ndryshëm (njëri është fantazi teknologjike, të ardhurat e të cilit kanë arritur në 2 miliardë dollarë, ndërsa tjetri ka inkasuar 12.5 milionë dollarë) dhe dy ish-bashkëshortë, njëri mashkull e tjetra femër. Ekzistojnë të gjithë përbërësit për ta bërë edhe më kureshtare këtë çështje. Sa për dijeni, vetëm tri femra kanë qenë kandidate si regjisore për çmimin “Oskar” para Bigelow-t: Lina Wertmuller, Jane Campion dhe Sofia Coppola, dhe dy të fundit kanë fituar çmimin për skenarin, jo për regjinë.

Bigelow dhe Cameron u martuan në vitin 1989 dhe u ndanë në 1991-shin. Ndërsa Cameron realizonte filma të rinj nga ana teknologjike, si “Aliens” dhe “Terminator”, Bigelow, 58 vjeçe, drejtonte filma si “Blue Steel”, “Point Break”, “Strange Days”. Pas filmit “K-19” kishte nga ata persona në Hollivud të cilët e konsideronin të mbaruar. Pastaj iu deshën pesë vjet për të përgatitur “The Hurt Locker”, me producentin Mark Boal, 20 vjet më i vogël se ajo, me të cilin regjisorja është e lidhur aktualisht. Filmi “The Hurt Locker” është kandidat për 9 nominime “Oskar” (disa prej kandidaturave tyre janë: skenari origjinal më i mirë, fotografia më e mirë, montazhi më i mirë, kolona zanore më e mirë, muzika më e mirë, montazhi më i mirë zanor, etj.).

Mendoni se do të triumfoni në një industri të dominuar nga meshkujt?

Shpresoj që po. Por jam realiste, madje skeptike. Sa femra punojnë sot në Hollivud në pozicione të rëndësishme? Janë shumë pak. Natyrisht që do të vijë dita kur një regjisore do të marrë në shtëpi një statujë të artë, ashtu siç u zgjodh në Amerikë një President me ngjyrë. Përqindja e regjisoreve femra në Hollivud ka mbetur e palëvizur që prej vitit 1987: rreth 8%, pra nuk ka ndryshuar asgjë në 30 vjet. Do të ishte e padrejtë që kandidatura ime të interpretohej si diçka pa vlerë, ose jo aq e fuqishme sa kandidaturat e regjisorëve meshkuj. Ky do të ishte një budallallëk.

“The Hurt Locker” është një film që dominohet prej meshkujve, por lufta shihet me
syrin e një gruaje...

Ky film më dha mundësinë të tregoja edhe një herë se ç’do të thotë të jesh ushtar, dhe ta shihja luftën jo në mënyrë ideologjike apo politike, por si qenie njerëzore. Meshkujt e femrat luftojnë dhe rrezikojnë jetët e tyre. Instinkti për të mbijetuar kapërcen çdo lloj kufiri.

Cili do të jetë filmi juaj i ardhshëm?

“Triple Frontier”, një thriller politik, që shpresoj të xhirohet të zonën kufitare në Amerikën e Jugut, mes Paraguait, Argjentinës dhe Brazilit. Një zonë ku ndodh gjithçka. Një gjeografi misterioze. Ndërkohë vazhdoj t’i bëj edhe një pyetje vetes: Kush përfiton më shumë nga ky film? Ju jap fjalën se do të shihni gjëra të bukura.

“The Hurt Locker”
Filmi i 2008-ës i regjisores Bigelow (6 çmime “Bafta”, “Oskar”-i britanik) ka marrë 9 kandidatura për “Oskar”

Avatar
9 kandidatura edhe për kultin e James Cameron, që vjen natën e ndarjes së çmimeve me një sukses planetar dhe mbi 2 miliardë dollarë

E preferuara
Kathryn Bigelow ka lindur në vitin 1951. Regjisorja ka qenë e martuar me James Cameron, sot konkurrenti numër një në garën për “Oskar”

Ndryshimi
Prej 30 vjetësh në Hollivud nuk ka ndryshuar asgjë, për femrat. Për momentin, kandidatura ime është shumë e rëndësishme

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›