Dati: Nuk do të heq kurrë dorë nga takat
Kushdo që e takon Rakidën, nuk mund të mos përqendrohet, qoftë edhe për një çast të vetëm në pamjen e saj të jashtme, mënyrën me shije të të veshurit, që është edhe një ndër pikat e dobëta të ish-ministres franceze të Drejtësisë dhe një nga femrave më të mbështetura nga Presidenti Sarkozi, me të ardhur në pushtet në vitin 2007. Megjithatë, më pas e kupton se ke përballë një grua jo vetëm të veshur shik, por mbi të gjitha një grua që pati një ngjitje të jashtëzakonshme në shkallët e pushtetit, duke pasur disa anë në disfavor si gjininë dhe origjinën. Ajo është një nga 12 fëmijët e dy prindërve nga Afrika Veriore që emigruan në Francë. Asnjëri prej tyre nuk dinte që të shkruante dhe të lexonte. Kjo nuk e ndaloi Sarkozinë që ta zgjidhte si një nga personat që do të përbënin kabinetin e tij të parë qeveritar pas ardhjes në pushtet dhe në një post shumë të rëndësishëm, të cilin për hir të së vërtetës, ajo nuk e mbajti pa shumë debate dhe kontradikta. Aktualisht ajo është 44 vjeçe, deputete në Parlamentin Europian, nëna e një fëmije, të cilit ende nuk i dihet atësia dhe veç kësaj dhe kryebashkiake e njësisë 7 në Paris. Kjo e bën Rakidën sigurisht të ketë edhe gjëra të tjera për t’u marrë, veç zgjedhjes dhe ndërrimit të veshjeve, megjithatë një pikë e dobët mbetet një pikë e dobët. Veçanërisht i pëlqejnë pantallonat e lëkurta, që janë edhe pak ekstravagante për moshën dhe profesionin e saj. E megjithatë, Rakida i vesh e madje edhe në vendet publike dhe në takimet zyrtare. Ndryshe nga sa mund të mendohet për një person të sërës së saj, asaj i pëlqen shumë që të flasë për veshjet, madje për një kohë më të gjatë se sa për vetë politikën dhe detyrimet e saj zyrtare. “Feminiliteti është pjesë e të qenit grua dhe pjesë e identitetit tim si femër. Nuk mund ta imagjinoj që të mos kem kujdes për veshjen dhe pamjen time të jashtme. Do të ishte jashtë natyre”, thotë Dati. Në fakt është e vështirë që të gjesh sot politikane, apo gra që kanë një status në politikë, që të mund të falsin shpengueshëm dhe pa komplekse për hobin e tyre për veshjen dhe pamjen e jashtme. Në këtë drejtim të paktën, shembulli i Datit është një përjashtim. Shpesh mashkullorizimi i pamjes së jashtme i një politikaneje konsiderohet si shenjë e seriozitetit të saj ndaj detyrës dhe mbi të gjitha ndaj kolegëve meshkuj, që në ambiente të tilla përbëjnë shumicën absolute. “Unë kam qenë përjetësisht e dhënë pas veshjes dhe modës. Që kur kam qenë e re dhe me mundësi financiare të kufizuara më ka pëlqyer që të vishesha mirë, me gusto dhe brenda natyrës femërore. Kur mora postin e ministres së Drejtësisë, paraardhësja ime, një zonjë shumë e bukur, kur më pa majë takave më paralajmëroi se shumë shpejt do të detyrohesha që të hiqja dorë prej tyre, pasi punët e shumta nuk do të më bënin që të ndihesha mirë fizikisht me to, por unë i buzëqesha dhe kur jemi takuar kohë më vonë, ajo ma riktheu buzëqeshjen, duke më uruar për këmbënguljen time në ruajtjen e asaj çka isha dhe çka më pëlqente, pavarësisht vështirësive”. Në fakt veshjet si për çdo njeri, edhe për Datin, janë në njëfarë mënyre pasqyrë e identitetit. Ato tentojnë që të tërheqin vëmendjen e njerëzve rrotull. është sikur Dati kërkon që t’u thotë të tjerëve se çfarë rruge të vështirë dhe gati të pamundur ka ndërmarrë ajo gjatë kësaj kohe. Se si nga hiçi është bërë një person shumë i rëndësishëm për politikën e vendit. Por ndërsa Dati nuk ka hequr dorë asnjëherë nga mënyra e saj e të veshurit, nuk mund të thuhet se e ka bërë këtë pa pasoja dhe pa kritika, veçanërisht nga pjesa femërore dhe elektorati. Në periudhën kur ishte ministre e Drejtësisë, ajo dha një intervistë në një revistë shumë të famshme franceze dhe bashkë me të, bëri një shërbim fotografik. Në të, ajo shfaqej si një modele koketë dhe jo si një grua që tashmë kishte një post e një përgjegjësi të madhe. Ky shërbim fotografik i solli shumë kritika dhe i minoi reputacionin. Në fakt ajo kishte synuar të arrinte të kundërtën përmes tij, por duket se dikush e kishte këshilluar keq. Opinioni në një vend si Franca është shumë i vështirë të ndryshojë. Po a u befasua ajo nga kritika të tilla? “Për mua ka çështje që janë shumë më të rëndësishme se sa kritikat për pamjen e jashtme, që në fund të fundit janë pjesë e privatësisë sime. Unë merrem me çështje të mëdha të Francës dhe jo me çështje të vogla të look-ut. Nëse njerëzit do të kishin vërejtje dhe kritika lidhur me këto, atëherë po që do të shqetësohesha, por për sa kohë që nuk kam pasur vërejtje për profesionalizmin tim, nuk dua t’ia di”
Megjithatë ajo është e bindur që në rastin e saj, media ka qenë shumë më agresive se në rastin, le të themi, të kolegëve të saj meshkuj. “Një femër në një post të rëndësishëm është gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe nuk shihet me tolerancë, por pritet se kur do të bëjë hapin fals, se kur do të gabojë. Kur një mashkull gabon, atëherë të gjithë mundohen që ta mirëkuptojnë, duke thënë se ‘gabimi është njerëzor’, por kur gabon një femër, atëherë ajo duhet që të shkojë menjëherë në gijotinë”.
Megjithatë, tradicionalisht duket se francezët presin që politikanët e tyre të mishërojnë një sens rezervimi dhe serioziteti dhe një politikan që në njëfarë mënyre del nga vatha, shihet së paku me mosbesim dhe kriticizëm. Ka nga ata analistë që mendojnë se sjelljet e Datit nuk janë aq të pafajshme nga çmendon vetë ish-ministrja. Sipas tyre, ajo ka përdorur pamjen e jashtme për të nxitur karrierën politike, ka përdorur privatësinë e saj për të mbështetur anën publike, ndryshe nga ministre të tjera femra të kabinetit që nuk e ngatërruan kurrë punën me jetën personale dhe lidhjet personale. Megjithatë Franca nuk është vendi tipik ku një grua mbështetet në politikë. Edhe tentativa e Sarkozisë për të caktuar katër gra në kabinetin e parë dështoi, pasi pak vjet më pas ato u zëvendësuan me meshkuj. Edhe në Asamblenë Kombëtare, vetëm 185 e të zgjedhurve janë femra. Pjesa tjetër mbizotërohet nga meshkujt. Kur Segolen Royal, kandidatja socialiste për presidencën e republikës kandidoi dhe humbi përballë kandidatit të së djathtës, Sarkozi gjatë gjithë fushatës asaj iu bënë pyetje si: kur ju jeni me fushatë kush kujdeset për fëmijët e të tjera si këto. Sigurisht që pyetje të tilla nuk iu bënë kurrë kandidatëve meshkuj, Sarkozisë të së djathtës dhe Bayrou të qendrës. Vetë Dati a është përballur ndonjëherë me një seksizëm të tillë? “Jo të këtij lloji, sepse kam pasur një trajektore shumë të veçantë. Kam ardhur nga një familje shumë modeste, me një origjinë modeste dhe rritja ime është në progresion. Unë kam qenë e para nga fëmijët e familjes sime që linda në Francë. Gjatë rrugës jam ndeshur me paragjykime nga më të ndryshmet, me të cilat u mësova, por mendoj se nuk është seksizmi problemi kryesor që has një grua në Francë kur kërkon që të bëjë politikë apo të ngjisë shkallët e larta të pushtetit. Kush do mund ta përdorë feminilitetin si një armë suksesi dhe jo si një shkak për humbje”.
Për shumë analistë, një nga fuqitë e mëdha të Datit është pikërisht origjina e saj dhe fakti që ajo nuk vjen aspak nga një klasë elitare, si pjesa më e madhe e politikanëve francezë që i përkasin familjeve, apo klaneve të caktuara politike, që kanë bërë politikën në këtë vend prej shumë kohësh. Një fytyrë e re pa një të kaluar elitare i bën për vete njerëzit, sepse u bën që të besojnë se është i mundur realizimi i ëndrrave.
Pas përvojës së vështirë dhe jo pa probleme në Ministrinë e Drejtësisë, Dati sot merret me probleme më të vogla, por jo më pak të rëndësishme. çështjet e saj janë ato të energjisë dhe të së ardhmes së financave. “Jam shumë e dhënë pas sfidave të mëdha dhe dua që të merrem me këto çështje kyçe tani që është edhe momenti më i vështirë”. Për sa i përket mëmësisë, ajo thotë se ardhja në jetë e së bijës nuk e ka penguar në punën e saj, vetëm se e ka bërë një person më të lumtur. “Nuk është se më parë kam qenë e trishtuar, por ime bijë është një lumturi më shumë”, thotë Dati. E vetmja keqardhje që ajo ndjen është se e ëma, që ndërroi jetë nëntë vjet më parë, nuk jetoi aq gjatë sa ta shihte të mbesën. Sot ajo mund ta konsiderojë veten një grua shumë të realizuar dhe mbi të gjitha një gjë e bën, ndër të tjera që të ndihet krenare me veten. Pavarësisht punëve, lodhjes dhe paragjykimit, nuk hoqi kurrë dorë nga takat dhe sipas saj nuk ka ndërmend që ta bëjë kurrë një gjë të tillë.
#