E Shtunë, 31 Tetor 2026

John Galliano: Moda që do të vijë

Me fillimin e javës së modës franceze, stilisti që kujdeset për firmën e tij dhe atë të “Dior”-it, tregon si dhe pse po ndryshon sistemi i modës, duke bashkangjitur edhe pasionin e tij për internetin dhe teknologjitë e reja

Të martën u hap java e modës parisiane. Në gjashtë ditë do të zhvillohen sfilata me emrat më të mëdhenj të luksit dhe stilistëve më të famshëm. Për një javë, Parisi do të transformohet në skenën e modës, ku do të ketë jo vetëm sfilata, por edhe prezantime të reja, ngjarje të rëndësishme dhe mbrëmje festive, që do t’i japin një ngjyrim të ri kryeqytetit francez (sidomos nga ana ekonomike).
Dihet që një nga protagonistët e padiskutueshëm të shfaqjes është stilisti i famshëm John Galliano. Mbrëmjen e prezantimit të koleksionit të ri të syzeve (të shoqëruara me një video revolucionare në internet, një montazh që transformon fytyrat e modelëve në atë të stilistit dhe anasjelltas), Galliano tregon si dhe përse moda po ndryshon.

Linja juaj e re e syzeve po “shfrytëzon” internetin dhe teknologjitë e reja. çfarë mendoni për ndryshimin e mjeteve të komunikimit që po transformojnë edhe sistemin e modës?

Mendoj se ka ardhur momenti i modës teknologjike. Në këtë epokë kur koha ecën me shpejtësi, duhet të reflektosh, të kapesh diku, të frymëzohesh dhe të mendosh për veshjet. Në jetën tonë ndikojnë shumë gjëra, por unë kushtëzohem sidomos nga mënyrat e reja, të cilat “mund ta hedhin në erë” modën. E kam fjalën për teknologjitë revolucionare që po ecin njësoj me shpejtësinë e dritës. Moda duhet ta përqafojë të gjithë këtë me entuziazëm. Kohët e fundit, interneti dhe mediat e reja më kanë ndihmuar të zhvilloj ide të reja. Për mendimin tim janë mënyra e vetme që ne mund të shohim vërtet të ardhmen.

Në fillim të kësaj jave të re mode, çfarë mendoni për sfilatat? A nuk duhet të kënaqin fillimisht dëshirën e publikut?

Po, është e vërtetë. Gjatë viteve të fundit ka ndryshuar gjithçka. Këtu përfshihet edhe interneti, sajtet dhe bloget. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me radhën e parë të sfilatave. Sistemi i modës ka ndryshuar i gjithi në krahasim me 10 vite më parë. Gjithsesi, mendoj se derisa femrat të vazhdojnë të ëndërrojnë, të dëshirojnë të jenë të bukura, do të ketë ende sfilata. Ndjesia që qëndron brenda një salle, duke parë me shumë interes një sfilatë, është krejtësisht e ndashme nga ekrani i një televizori ose kompjuteri. Por duke qenë se një shfaqje mund të transmetohet drejtpërsëdrejti edhe në internet, atëherë duhet menduar për gjithçka, të rinovohet forma dhe të provohen sfilata të tjera.

Po stinët? Me shpejtësinë e internetit dhe globalizimin, a nuk do të ishte më mirë të mos mendohej për dimrin dhe verën si kategori të përkohshme?

Do ta shohim se ç’do të ndodhë: fillimisht janë koleksionet e rëndësishme, më pas vijnë pre-koleksionet, “prêt-à-porter” dhe “haute couture”. Le të themi se për momentin unë punoj për 30 koleksione në vit. Mendoj se sa më shumë variacione të kesh, aq më shumë zgjon dëshirat e publikut. Sa më shumë zgjedh, aq më i vetëdijshëm bëhesh për klientin tënd. Kështu që për mua vlen rregulli: sa më shumë gjëra bëj, aq më shumë më shtohet frymëzimi. Shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe me klientët e mi. Moda është e shpejtë, “ikën”. Duhet të jetë gjithmonë e pranishme për të mbijetuar. Ky është roli i saj dhe ambicia së bashku.

çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj?

Kam qenë një fëmijë shumë i përkëdhelur. Një djalosh që nëna e vishte çdo ditë me shumë kujdes. Më lyente, më lante, më lustronte dhe parfumonte. Unë e ndiej veten me fat nga të gjitha eksperiencat fetare të fëmijërisë, bashkësinë e parë, lutjet e para, meshën e orës 09:00, atë të orës 11:00. Më tërhiqte çdo gjë që ndodhte aty brenda. Në kishë lindi interesi im për rrobat dhe entuziazmi për të veshur të tjerët. Ende sot, në udhëtimet e mia kisha vazhdon të jetë burim kurioziteti, çudirash dhe frymëzimi.

Cili ishte qëllimi juaj pasi u diplomuat?

Kur dola nga "Saint Martins" doja të bërtisja dhe t‘i tregoja botës se isha më i miri, duke treguar se shkolla që kisha frekuentuar më kishte treguar rrugën për të shprehur vetveten. Por deri në atë moment nuk kisha bërë gjë tjetër veçse kisha dizajnuar. Në shtëpinë time shihje kudo vetëm skica, skica, skica. Por kur më në fund dikush më tha “është momenti që të krijosh veshjet e tua”, m’u duk sikur fluturova. Pastaj iu përgjigja: “Po unë nuk di të qep, nuk e di as se si është e ndërtuar një makinë për të qepur”. Ndërsa ata më thanë: “Ti nuk duhet të bësh asgjë tjetër veçse të presësh veshjet në mënyrë agresive, kurioze, saktësisht si dizajnet e tua”. Dhe vendosa ta bëja këtë. Isha shumë i emocionuar. Për t‘i bërë më të çuditshme veshjet, fillova që t‘i prisja me dorën e majtë. Kështu lindi “bias cut”, ose prerja e shtrembër e Galliano-s. Sfilata pas mbarimit të kursit u quajt “Les incroyables”. Ajo u frymëzua nga revolucioni francez. Falë atij koleksioni mitik jam këtu sot. Ishte një lloj parandjenje, një fat i paracaktuar. Ai u pëlqeu të gjithëve dhe më pas përfundova në vitrinat e “Browns”, dyqanit më trendi të qytetit.

Pse shkuat në Paris?

Sepse kisha dëshirë të bëhesha i njohur në të gjithë botën dhe Parisi është qendra e botës kur flitet për modën. Doja të gjeja dikë që të financonte ëndrrat e mia dhe të drejtoja vetë një shtëpi mode. Sot ndihem me fat që jam pjesë e së madhes “Christian Dior”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›