E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokëdhima një kandidat që rrit vlerën e Legjislativit

Hajro Limaj/publicist

-Me publikimin e listës së kandidatëve për deputetë të partive që konkurrojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit, z. Koço Kokëdhima, krijuesi dhe botuesi i gazetës më të madhe dhe më rezistente në Shqipëri, u prezantua në  Qarkun e Vlorës, i dyti pas kryetarit të Partisë Socialiste,Edi Rama. Kandidimi i tij, në skuadrën kombëtare të së Majtës solli reagimet e menjëhershme të kryeministrit dhe të medias që është krah tij. Dhe kjo ishte e pritshme dhe e natyrshme në luftën politike që bëhet për mbajtjen apo marrjen e pushtetit, pasi ai  është me një emër publik të veçantë, i cili  nëpërmjet pushtetit të katërt, medias, ku është i pozicionuar rëndshëm, ka bërë nxitur përplasje e debate mediatike me qeveritarët dhe politikanët e të djathtës. Por jo vetëm me të djathtës. Edhe me drejtuesit politikë apo qeveritarë, të të majtës që shkelnin mbi demokracinë kushtetuese, apo braktisnin idealet e të majtës, ku më të evidentuara janë ato me ish-kryetarin e PS-së, z. Fatos Nano. Por tani me një ndryshim: zëri dhe gjykimet e tij do të jenë brenda në sallën e kuvendit, si deputet, e jo më si botues e sipërmarrës. Si politikan e jo si analist e komentator, i cili nga kultura dhe përvoja që ka krijuar, do të jetë një zë i fuqishëm për një media të lirë e të pavarur, për një konkurrencë të ndershme dhe të barabartë të investitorëve dhe biznesmenëve.

Arsimimi i lartë në dy fakultete: Shkencat e Natyrës ,dega Matematike dhe Fakulteti i Gjeologjisë  i kanë dhënë mundësinë atij që të ketë mendime të avancuara dhe vizionare, të cilat i ka reflektuar mjaft mirë edhe në debatet televizive të zhvilluara ditët e fundit. Deputet, përfaqësues i popullit të bregdetit jugor, Himarës dhe Sarandës,  do t’i sjellë kësaj krahine më shumë të drejta, më shumë zhvillime dhe më shumë dinjitet. Ai origjinën e lashtë e ka nga Tërbaçi i Vlorës, por vetë lindi dhe u rrit në brigjet e Detit Jon, krahinës shqiptare të Himarës, të cilën ai e adhuron aq shumë. Këto cilësi e virtyte atë e kanë bërë shumë të pritshëm nga të gjithë qytetarët e Bregut në këto ditë elektorale; i cili i ka zënë me radhë të gjitha lagjet e fshatrave të bregdetit dhe qytetit të Himarës dhe Sarandës. Ai u rikthye me mall në krahinën e vendlindjes dhe të parëve të tij, për t’i përfaqësuar ata në Kuvendin e Shqipërisë, ku do t’u shërbejë atyre më shumë, duke u mbrojtur akoma më mirë liritë dhe të drejtat në rritje të tyre, politike, ekonomike, arsimore, kulturore, sociale, shoqërore. Do të kërkojë më shumë investime për ta mrekulluar këtë zonë me vlera të pa krahasueshme turistike. Do të këmbëngulë që të hartohen plane shumë të detajuara në zgjerimin e plantacioneve të ullinjve dhe portokalleve. Tjetër mision ai nuk ka në këtë ndërmarrje të re. Hyrja direkt në politikën aktive atij do t’i lehtësojë shumë më tepër  këtë objektiv që e ka shprehur nëpërmjet medias së tij, nga e cila është dëmtuar më shumë ekonomikisht se sa ka fituar. Këto veçori personale dhe lidhjet e hershme miqësore me kryetarin e PS-së, z. Rama, i cili kërkon të vijë në pushtet, janë shkaqet që u vu në objektivin e kritikës së partisë në pushtet. Ne, publicistëve na bëhet mjaft mirë që në kuvendin e Shqipërisë, të kemi deputet si z. Kokëdhima, një botues me integritet dhe vendosmëri, në mbrojtje të shtetit ligjor dhe të demokracisë kushtetuese.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›