Mashtrimi me amnistinë fiskale
Kryeministri Berisha kërkoi që mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit për miratimin e tre ligjeve të integrimit ta përdorë për fushatë elektorale duke i kërkuar opozitës të miratojë veç tyre edhe ligjin e Amnistisë Fiskale. Kjo amnisti nuk ka qenë këto 2 vite në rend dite, ndonëse pritej që me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të bëhej një e tillë. Në fund të fundit do kishte kuptim si një gjest simbolik në ndihmë të biznesit. Por, kaloi 100 Vjetori, kaloi dhe viti i ri dhe nisi periudha e vitit zgjedhor.
Javët e fundit kryesocialisti Edi Rama u angazhua që të gjitha gjobat e marra nga biznesi nga data 1 mars deri më 23 qershor nuk do të njihen. Kjo erdhi për shkak se gjatë kësaj periudhe qeveria nisi ti kërcënojë me gjoba bizneset që mbështesin opozitën.
I zënë në faj, kryeministri Berisha, pasi e dendi biznesin me gjoba dhe e rrënoi ekonomikisht, kërkoi të kalojë në kundërsulm që të bëjë të mirin duke propozuar një amnisti të shtrirë më tej në kohë.
Me një mazhorancë të rrudhur në 67 mandate, kryetarja Topalli hodhi për votim një ligj të vitit 2011 dhe deklaroi se data 31.12.2011 bëhet datë 31.12.2013, duke e paraqitur këtë si amnisti !!!
Por, çfarë është në të vërtetë ajo që miratoi të enjten Partia Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë? Asgjë më shumë sesa një mashtrim. Dhe ja përse:
Në vitin 2011, me ligjin nr. 10418, datë 21.04.2011, Kuvendi i Shqipërisë miratoi amnistinë Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor. Afat i zbatimit të tij ishte data 31.12.2011. Në seancën e jashtëzakonshme të ditës së enjte mazhoranca e djathtë bëri vetëm një ndryshim, datën 31.12.2011 e shtyu deri më datë 31.12.2013. Por, këtu është edhe mashtrimi, me të cilin Berisha së pari, dhe Jozefina më pas, do duan ta përdorin për efekte elektorale.
Kjo amnisti nuk ka efekte për biznesin ashtu siç u miratua, pasi kleçkën e ka brenda.
Po të shikosh me vëmendje nenet që përbëjnë ligjin në fjalë, ata kanë kufij limit se në cilën periudhë aplikohet falja. P.sh., detyrimet e biznesit të vogël falen deri më datë 31.12.2010. Detyrimet e TVSh-së për biznesin e madh falen plotësisht deri më datë 31.12.2008, deri më datë 31.12.2009 u falen pasi të kenë paguar 30% të shumës dhe deri më datë 31.12.2010 pasi biznesi të ketë paguar 50% të shumës. Po kështu veprohet me të gjitha detyrimet e tjera që përfshijnë Tatim Fitimin, TAP-in, dividentin, kapitalin, faturat e energjisë, ujit, gjobat rrugore etj. të cilat nuk po i citoj të gjitha, por që secili mjafton të shfletojë ligjin në fjalë (nenet 18 deri 31) për ta kuptuar mashtrimin.
Ajo që fitojnë bizneset nga shtyrja e datës deri më 31.12.2013, është për ato biznese të cilat nuk kanë qenë në dijeni të këtij ligji. Por, duke ditur se ky ligj u shty njëherë deri më datë 31.03.2012, në Shqipëri kanë mbetur një pjesë shumë e pakët biznesesh të cilat nuk kanë përfituar nga ligji i vitit 2011. Duke qenë se data 31.12.2010 ishte afati i fundit i faljes së të gjitha llojeve të gjobave e detyrimeve, data 31.12.2013 është thjesht shtyrje e asaj që thotë neni 35 i ligjit, të cilin e po e citoj: E drejta e subjekteve që të përfitojnë nga legalizimi dhe falja, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mund të ushtrohet deri në datën 31 dhjetor 2011.
Ajo që mazhoranca duhet të kishte bërë, është të ndryshonte datat deri kur shtyheshin faljet sipas secilës kategori p.sh, deri më datë 31.05.2013, e jo thjesht të rivendoste në afat datën kur bizneset duhet të aplikojnë për falje.
Padyshim që Berisha do e përdorë këto ditë këtë amnisti në çdo takim me biznesin, por që do i pëlcasë në dorë kur vetë biznesi ta shohë me sytë tij në sportelet e shtetit që e gjitha ka qenë një mashtrim. Si e gjithë qeverisja e Sali Berishës.
