Suedia në flakë
Nga Kristal Hykaj
Qindra makinave ju vu zjarri, një shkollë në flakë dhe të rinj të zemëruar duke hedhur gurë në drejtim të policisë. Kjo nuk është një ëndërr, por është realiteti i ditëve të fundit në Suedinë paqësore. Gjashtë netët e zjarrvënies dhe dhunës në periferitë e varfra të Stokholmit, ku shumica e banorëve janë emigrantë, kanë tronditur vendin nordik dhe kanë krijuar tituj gazetash ndërkombëtare.
Për më tepër, gjatë këtij viti, diskriminimi dhe racizmi i emigrantëve kanë qenë tema të debatuara në një vend ku 14% e popullsisë prej 9.6 milionë banorësh janë të huaj që kanë lindur në Suedi. Tani këto trazira mund të bëjnë emigracionin dhe integrimin një debat akoma me te rëndësishëm në politikën suedeze.
Në natën e 24 majit shumë makina ishin në flakë në rrethinat e Stokholmit, por më pak incidente u raportuan në krahasim me netët e mëparshme. Në vend të kësaj, trazira u përhap në qytete të tjera, duke përfshirë Orebro, 160 kilometra në perëndim të Stokholmit, ku të rinjtë e maskuar hodhën gurë mbi policinë dhe dëmtuan një stacion policor.
Trazirat, të cilat filluan në periferi të Husby, nuk janë aq të dhunshme dhe të përhapura si ato në Paris në vitin 2005 apo në Londër në vitin 2011. Por trazirat kanë tronditur banorët lokalë dhe politikanët, duke i vënë në qendër të vëmendjes në atë që shumë e shohin si një dështim për një kohë të gjatë të shoqërisë për integrimin e emigrantëve.
Në periferi papunësia është më shumë se dyfishi se mesatarja e vendit, të ardhurat janë shumë më të ulëta dhe banorët ankohen se janë lënë pas dore nga politikanët. Edhe pse Suedia është ende një nga vendet me barazinë më të madhe, nga raportet e fundit të OECD-së, të gjitha analizat e fundit tregojnë se pabarazia është në rritje.
Incidenti nga i cili morën hov protestuesit ishte shtënia me armë nga ana e policisë ndaj një banori 69-vjecar, të paarmatosur, të cilat fatkeqësisht rezultuan fatale. Të tjerë pretendojnë se protestuesit janë njerëz me problem të mëparshëm qe janë vetëm në kërkim të një justifikimi për të luftuar. Disa prej të rinjve të arrestuar gjatë trazirave kanë të dhëna penale.
Kryeministri, Fredrik Reinfeldt, ka dënuar dhunën, por nuk ofroi zgjidhje të reja për rrethinat. Emigracioni dhe integrimi janë çështje shumë e ndjeshme në politikën suedeze. Nuk ka mbështetje të gjerë popullore për të ndihmuar refugjatët. Në vitin 2012, 44 000 azil kërkues ishin pranuar nga vende si Siria, Afganistani dhe Somalia, duke e bërë Suedinë, një prej vendeve më mikpritëse në botë për azilkërkuesit. Disa muaj më parë ka patur një protestë publike që shpërtheu kur u zbulua se policia u përpoq për të gjetur imigrantët e paligjshëm duke pyetur rastësisht njerëzit e huaj në kërkim për të treguar kartat e tyre të identitetit.
Dukshëm, mëria kundër emigrantëve është në rritje. Demokratët suedezë, një parti anti-emigracionit, e cila shokoi klimën politike duke fituar 5,7% të votave në zgjedhjet e vitit 2010 (dhe për herë të parë duke marrë vende në parlament), ka fituar terren në mënyrë të qëndrueshme.
Demokratët suedezë fajësojnë trazirat në atë që ata thonë se është një “politikë e papërgjegjshme e emigracionit duke krijuar të çara të thella në shoqërinë suedeze”. Jimmie Akesson, lideri i partisë, ka bërë thirrje për një debat parlamentar mbi trazirat dhe tallet me ata të cilët besojnë në dialog dhe më shumë burime për rrethinat. Zgjedhjet nacionale dhe lokale të vitit të ardhshëm do të zbulojnë se çfarë mendojnë votuesit për këtë temë kaq të nxehtë që po shkakton trazira në vendin më paqësor në botë.
Suedia edhe standardi i demokracisë që ka ndërtuar, mirëqenia që i ofron banuesve të saj edhe zbatimi i përpiktë i ligjit e kanë ngritur këtë komb në majat e renditjeve botërore përsa i përket pjesës dërmuese të standardeve. Ama çdo medalje ka dy anë të saj. Fatkeqë sot po shihet ana e errët. Kjo periudhë është me rëndësi të madhe për shoqërinë suedeze edhe për klasën politike të saj pasi do të tregoj pjekurinë edhe maturinë e mirëmenaxhuarit të një situate vullkanike e cila kërkon zgjidhje imediate edhe një planifikim afatgjatë që të tilla incidente të mos ripërsëriten.
*Pedagog i Makroekonomisë, Fakulteti Ekonomik i Tiranës