E Diel, 1 Nëntor 2026

Kokona i filmit, prezantohet albumi

Të premten, më 26 shkurt, ora 11.00, në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar festohet 76-vjetori i lindjes së operatorit Saim Kokona, "Artist i merituar", autor i 30 filmave artistikë e dokumentarë. Me këtë rast prezantohet albumi fotografik me krijimtarinë e drejtorit të fotografisë Kokona, botim i Arkivit Qendror Shqiptar të Filmit. Arkivi ka përgatitur edhe një projeksion 27 minuta, montazh me disa nga krijimet e tij më të mira në karrierën e gjatë artistike.


Saim Kokona u lind në Gjirokastër më 26 shkurt 1934. Në moshën 10-vjeçare shpërngulet familjarisht në Tiranë, ku mori edhe arsimin e parë. Kreu liceun artistik "Jordan Misja" për pikturë.


Studimet e larta mbaroi në Çeki për operator në vitin 1960. Nga viti 1960- 1991, vit në të cilin doli në pension, punoi në Kinostudion "Shqipëria e Re" si operator, ku realizoi 30 filma artistikë e po aq filma dokumentarë.


Ka punuar me regjisorë të shquar si Dhimitër Anagnosti, Vitor Gjika, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Xhanfise Keko, Rikard Ljarja, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani e shumë të tjerë. Ndër filmat e tij më të suksesshëm përmendim "Ngadhënjim mbi vdekjen" (1967), "Ndërgjegjja" (1972), "Brazda" (1973), "Beni ecën vetë" (1975), "Koncert në vitin 1936" (1978), "Radiostacioni" (1979), "Njeriu i mirë" (1982), "Taulanti kërkon një motër" (1984), "Apasionata" (1983), "Shpella e piratëve" (1990) etj. Filmat e tij dallohen për intuitën artistike, për mënyrën e xhirimit, këndet e vështrimit, kompozimin e kuadrit, të cilat futen thellë në botën shpirtërore të aktorit dhe që vijnë natyrshëm tek spektatori.


Saim Kokona është vlerësuar me çmime të ndryshme për karrierën e tij të gjatë si dhe mban titullin e lartë "Artist i merituar".
Aktiviteti i të premtes organizohet nga AQSHF, nën kujdesin e MTKRS, në bashkëpunim edhe me Teatrin Kombëtar.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›