Koktej molotovi kundër një kafeneje
Një shishe, e mbushur me përzierje ndezëse, është hedhur në kulmin e një lokali, kafenesë “Vojvoda”, pronë e një femre të përkatësisë etnike serbe, në rrugën “Vardarska’ në veri të Mitrovicës.
Policia njofton se rasti është raportuar rreth orës 2, pas mesnatës ndërsa njësitë e para policore në vend ngjarje kanë siguruar vendin e ngjarjes dhe kanë iniciuar hetimet fillestare.
“Në vendngjarje janë ftuar edhe teknikët e kriminalistikës të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të incidentit ndërsa kanë siguruar provat e gjetura materiale. Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz, e as për dëme të shkaktuara materiale me këtë akt kriminal”, njofton policia.
Besohet se personat ende të paidentifikuar, kanë hedhur përzierjen ndezëse mbi kulmin e lokalit ndërsa zjarri nuk ka arritur që të përhapet pasi ishte reaguar menjëherë në lokalizimin e tij.
Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë duke u ndjekur nga hetuesit e stacionit policor veri në Mitrovicë.
Deri në këto momente, nuk është raportuar për të dyshuar të mundshëm, e as për motivet e këtij akti kriminal, ka thënë Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.