E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Sundimi i ligjit, esencial për integrimin e Kosovës

Nga Express më 27 maj 2011 në ora 11:16

(E plotësuar) Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ka vlerësuar se sundimi i rendit dhe ligjit është tejet i rëndësishëm për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ashton i bëri këto komente sot në Prishtinë, pas takimit që ka zhvilluar me shefin e EULEX-it, Xavier Bout de Marnak. Me këtë rast, ajo rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen e BE-së për Kosovën.

“27 vendet anëtare e mbështesin plotësisht EULEX-in si dhe punën që po bënë në sundimin e rendit dhe ligjit, pasi kjo çështje është esenciale për ecjen drejt proceseve integruese”, ka thënë Ashton, transmeton KosovaPress.

Më herët, Ashton ka takuar kryeministrin Hashim Thaçi, ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku dhe ministrin e Jashtëm, Enevr Hoxhaj, pas të cilave takime nuk ka pasur prononcime.

Baronesha Ashton, gjatë ditës do të vizitojë Prizrenin, ku mes tjerash do të drekojë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me disa ministra të kabinetit qeveritarë. Ajo do të flasë edhe për gazetarët.

Ashton sot vjen në Prishtinë

Shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, sot vjen për një vizitë në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite, ajo të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me zyrtarët e tjerë të lartë të Kosovës.

Po ashtu, zonja Ashton, do të ketë takime edhe me udhëheqësit e misionit të BE-së në Kosovë - EULEX.

Marrëveshjet në qershor

Kryediplomatja e BE’së, Catherine Ashton ka biseduar të enjten me zyrtarët më të lartë serbë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka thënë se marrëveshjet mes palëve priten para pushimeve verore. Ashton takohet sot në Prishtinë me Kryeministrin Hashim Thaçi. Ajo do të vizitojë edhe Prizrenin.

Nga Valmir Klaiqi

Rezultatet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ishin arsyeja e vizitës së Baroneshës Catherine Ashton në Beograd mbeten nën hije të lajmit për arrestimin e kriminelit Ratko Mladic.

Të gjitha deklaratat e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, pas takimeve me Boris Tadicin dhe zyrtarë të tjerë serbë, kishin të bëjnë me arrestimin e të kërkuarit për krime lufte nga Tribunali i Hagës.

Megjithëkëtë, për qëndrimin e saj rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka folur kryenegociatori serb, Borislav Stefanovic.

“Vizita është pjesë e aktiviteteve të saj, shkëmbimit të mendimeve. Kemi marrë inkurajim që të vazhdojmë në këtë drejtim”, ka thënë Stefanovic, pas takimit me Ashtonin, në hotelin “Hayat”.

Sipas fjalëve të tij, vizita e Shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian i ka kontribuar mënyrës në të cilën do të eliminohen pengesat aktuale rreth temave të cilat janë në rend ditë të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Stefanovic është i bindur se deri në pushimet verore do të zgjidhen disa çështje siç janë telekomunikacioni, kadastra, regjistrat civilë, liria e lëvizjes. Ai ka thënë se për këto zgjidhje, të dyja delegacionet do të bisedojnë gjatë takimit të ardhshëm në Bruksel, i paraparë të mbahet pas dy javësh.

“Shpresoj se para pushimeve verore do të arrijmë rezultate konkrete, të cilat do të jenë sukses i tërë rajonit, Bashkimit Europian, Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Stefanovic.

Bashkë me Baroneshën Ashton, në Beograd kanë udhëtuar edhe lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper si dhe Drejtori për Ballkanin, Miroslav Lajcak.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin serb, Ashton dhe bashkëpunëtorët e saj kanë bërë një shëtitje në qendër të Beogradit, nën përcjellje të forcave të mëdha të sigurisë.
Shefja e diplomacisë së BE’së arrin sot në mëngjes në Prishtinë. Fillimisht do të takohet me Kryeministrin Hashim Thaçi, ndërkaq pastaj me Shefen e Delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri. Në agjendën e Baroneshës janë edhe takimet me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli dhe Ministren për Integrim Europian, Vlora Çitaku.

Baronesha do të vizitojë edhe Misionin e BE’së për sundim të ligjit si dhe do të takojë përfaqësuesit e BE’së në Prishtinë.

Ashton do të vizitojë edhe Prizrenin, ku do të flasë në një konferencë shtypi bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi.

Pavarësisht se palët janë pajtuar në parim për zgjidhjen për lëvizje të lirë që qytetarëve mes dy vendeve, Beogradi duket se do ta zvarrisë këtë marrëveshje së paku deri në takimin e radhës në Bruksel.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka deklaruar se Kosova është e gatshme që kjo marrëveshje të mbyllet dhe më pas të zbatohet nga të dyja qeveritë nën mbikëqyrjen e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›