Kol Dedgjoni: Pse isha kundër çmontimit në Gërdec

Dëshmitari Kol Dedgjoni në gjyq
Komisioni përcaktues i kostos së demontimit të municioneve, para ndërtimit të fabrikës së Gërdecit, ka vlerësuar në fillimet e punës së tij se demontimi në Uzinën e Poliçanit ishte me fitim.Por, më pas, në konkluzionet përfundimtare ky komision ka dalë me një përfundim të kundërt, se demontimi në uzinë nuk kishte fitim. Ky fakt u bë i ditur në seancën e djeshme në ngarkim të 29 të pandehurve për shpërthimin e Gërdecit, në 15 mars 2008 në Gjykatën e Tiranës, gjatë dëshmisë së një prej ish-anëtarëve të komisionit në fjalë. Dëshmitari Kol Dedgjoni tha dje se komisioni ku ai ka qenë anëtar, kishte vlerësuar si fitimprurës demontimin në kombinatin shtetëror në Poliçan. Ai mohoi të kishte marrë pjesë në përpilimin e konkluzioneve përfundimtare të komisionit dhe as ti kishte firmosur konkluzionet, ku thuhet se demontimi në Poliçan ishte me humbje. Ky fakt u konfirmua dje edhe nga prokurorët në proces, të cilët paraqitën para gjykatës konkluzionet e komisionit, në të cilat mungonte firma e dëshmitarit. Dedgjoni, njëkohësisht ish-anëtar i Komisionit të miratimit të çmimeve të municioneve për demontim, tha dje se ai kishte kundërshtuar çmimet e përcaktuara nga komisioni për municionin që do ti kalohej MEICO-s. Sipas tij, çmimet e vendosura nga komisioni ishin më të ulëta se çmimet me të cilat i kërkonte municionet uzina e Poliçanit. Dëshmitari përmendi një letër nga një kompani e huaj, pa ekstremitetet e një shkrese zyrtare, së cilës komisioni i ishte referuar në përcaktimin e çmimeve.
DËSHMIA
Në vitin 2007 kam punuar në Ministrinë e Brendshme në pozicionin e shefit të sektorit të programimit në Drejtorinë e Menaxhimit të burimeve të mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm. Në bazën e urdhrit 81 të Ministrisë së Mbrojtjes, isha anëtar i grupit të vlerësimit të kostos së demontimit për katër lloje municionesh.
Detyra e komisionit ishte vlerësimi i dokumentacionit të ardhur nga uzinat e demontimit të municioneve. Bëhej fjalë për uzinat e Policcanit, Gramshit dhe Mjekësit. Uzinat e mësipërme dërguan ofertat e tyre, pasi mendohej që demontimi të bëhej tek to.
Përgjigje për mundësi bërjeje të demontimit ka dhënë vetëm Poliçani, i cili paraqiti vlerësimin e kostos për të katër llojet e municioneve. Ndërsa dy uzinat e tjera thanë që nuk kishin mundësi të bënin demontimin. Mbi bazën e vlerësimit të uzinës Poliçan, janë dhënë edhe kostot. Mbi bazën e shpenzimeve të demontimit dhe produkteve që dilnin prej tij, tunxhi, bakri etj, duke i vlerësuar këto, kostoja dilte jo-negative. Demontimi dilte me fitim. Ne, si komision, dolëm në konkluzionin që demontimi të bëhet në uzinë. Komisioni konkludoi se demontimi në Poliçan është me fitim. Nuk di nëse grupi i punës ka bërë konkluzione me shkrim, por unë nuk kam firmosur, nuk kam qenë prezent në bërjen e konkluzioneve. Në shkurt të vitit 2007 kam qenë anëtar i komisionit të përcaktimit të çmimeve të municioneve për demontim. Unë e kam kundërshtuar vendimin 30 datë 09.02.2007 për miratimin e çmimit të shitjes për demontim, pasi nuk kam qenë dakord. Duke marrë shkas që demontimi në Poliçan dilte me fitim, çmimi i shites të ishte i njëjtë me ato të Poliçanit. Vlerësimi i çmimeve në të dy rastet nuk ishte i njëjtë. Çmimi i komisionit ishte me i ulët nga oferta që vinte nga Poliçani. Nuk kemi diskutuar për ndonjë ofertë, për ndonjë kompani të veçantë. Ka qenë një letër nga një kompani e huaj, që është diskutuar në komisionin e çmimit të shitjes së municioneve. Them letër, sepse ajo nuk ishte shkresë zyrtare, nuk kishte kokë dhe as vula. Mesa kujtoj, nga komisioni është vendosur që çmimet do të ishin ato të pasqyruara në atë letër. Unë nuk isha dakord pasi kishim diskutuar për ofertën e Poliçanit. Sasia e fishekëve të kërkuar në atë letër ishte më e madhe se sasia e fishekëve që ne kishim për demontim. Këto i kam dëgjuar në komision, pasi unë nuk kisha inventarët e depove të municioneve. I pandehuri Ylli Pinari nuk ka ndërhyrë ndonjëherë në lidhje me përcaktimin e çmimeve. Ai vetëm bënte kërkesën e çmimit, ne vendosnim, tha dëshmitari.
Komisionet e Gërdecit
Përpara se rajoni i Gërdecit të përcaktohej si vend i demontimit të municioneve, pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtes u ngritën grupet e punës për vlerësimin e kostos së demontimit, si edhe ai i përcaktimit çmimit të municioneve për demontim. Bazuar në vlerësimet e këtyre dy komisioneve më pas u përcaktua edhe vendi i demontimit të municioneve, si edhe përcaktimi i kontaktorëve, të cilët do të realizonin demontimin.
Armand Bajrami