Kolec Traboini: Gjuhëtarët e Tiranës nuk e duan gegnishten
Poeti: Gjithçka në art në konsiston në dashurinë për jetën
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Poeti Kolec Traboini është nga ata krijues që shpreh shpirtin fenomenologjik me të gjithë qartësinë e mendimit filozofik e artistik dhe me dhuntinë e njerëzores. Është autor i 20 librave me poezi, prozë, esé, ku përfshihen 12 vëllime me poezi, nga të cilat tre antologji poetike me bashkautorë, të mirëpritura dhe të vlerësuara nga kritika e kohës, audienca e lexuesve dhe dashamirësve të poezisë dhe letërsisë. Poeti Kolec Traboini është një ndër lirikët më të zjarrtë të vargjeve lirike shqiptare i letrave shqipe, kjo dallohet e ndjehet te vëllimet e tij poetike Itaka Grua dhe Lule Pellazgjike. Gjithashtu pena poetike e Traboinit dallohet për tonin qytetar e intelektual, është nga zërat poetikë më të rreptë i gjendjes sociale në stilin migjenian, kujtojmë poemën Koha e prostitutave krejt e veçantë ne poezinë bashkohore e me një forcë të madhe në idetë e mjetet shprehëse e emocionale. Në këtë intervistë poeti i vargjeve lirike shqiptare Kolec Traboini na rrëfen udhëtimin e tij interesant në botën e artit, veçmas asaj të letërsisë, ku sikundër edhe shprehet: Gjithçka në art konsiston në dashurinë për jetën, madje edhe kur në rrethana të caktuara për qëllime të larta je i detyruar ta japësh atë. Poeti në këtë intervistë bën një apel të dhimbshëm njerëzor, për vlerësimin e poetit Frederik Rreshpja, duke e konsideruar si një nga lirikët më të mëdhenj të gjysëmshekullit të kaluar. Për më shumë ndiqni intervistën.
Nëse do të duhej të prezantoje veten para lexuesve si do ta bënit këtë. Do tju pëlqenit të quheshit poeti, shkrimtari, kineasti apo gazetari Traboini?
Njeriu i tunduar nga arti provon veten në të gjitha fushat, por kjo nuk do të thotë se mund të stamposet me një mori epitetesh siç ndodh rëndom. Krijuesi është dalëzots i shpirtit të vet, është njeriu në kërkim të përhershëm të mënyrave dhe formave të shprehjes, në këtë sens nuk mund ta vendosësh as vetëm në një kuadër se do të ndjehej ngushtë. Mes këtyre arteve ku e shpreh veten, autori ka diçka që e dallon dhe ajo është fryma e tij. Poetët në çdo gjini të shkruajnë, në çdo formë arti të shprehen, do të ndjehen si të tillë, sepse në të gjitha do të interferojë ndjesia e thellë e fryma poetike, sinqeriteti deri në brishtësi. Mendoj se e bëra përzgjedhjen…
Atëherë le të fillojmë me frymën poetike, çfarë është me pak fjalë qëllimi dhe esenca e jetës së një poeti?
Kur nis e shkruan ai që duhet ta meritojë të quhet poet, ka bërë një marrëveshje me vetveten e kjo është shfaqja e gjithçkaje që përjeton në shpirt para atyre që e lexojnë. Mosrespektimi i kësaj marrëveshje, pra nëse ai që shkruan kërkon të bëjë të mençurin, të diturin, të zgjedhurin dhe i fsheh trazimet brenda vetes, tregon se është bërë zgjedhje e gabuar. Ky është ndryshimi mes poetit dhe atyre që shkruajnë thjesht se ua kanë mësuar alfabetin. Poetikën mund ta mësosh në shkolla, por shpirti nuk i përfill zanatçinjtë. Ai është si nëna që e krijon fëmijën në shtatzani pa e prekur një herë me dorë. Nëse do të insistojmë një përqasje me mjeshtëritë do të isha i detyruar të bëja këtë përzgjedhje: arti poetik është si një kudhër kur rrihet gjithnjë hekur i skuqur.
Çfarë mendime keni për poezinë; a mund ta perifrazoni atë; cili është raporti i autorëve me poezinë; dhe sa në poezi shprehet vetvetja?
Poezia, lirika e shpirtit është si qielli ku fluturojnë të gjithë zogjtë, ngjashëm qielli i poezisë është hapësira ku fluturojnë të gjithë dëshirat sado mistike të jenë. Më së shumti është i kaltër …eh, po dhe nxin ngandonjëherë, dhe atëherë, mjerë zogjtë e dashuruar mbetur pa strehëz. Për mua ka rëndësi që të shpreh çfarë kam me shpirt me çdo kusht e në çdo rrethanë. Anipse edhe vetë përpiqem të shpjegohem, të gjitha teorizimet mbi poezinë më duken veç retorikë. Askush deri tani nuk i ka dhënë një definicion të saktë. Ka edhe groteske të tilla kur ata që sapo kanë shkruar një tufëz vargje naive e kanë botuar një librushkë nisin e flasin për mjeshtrinë e poezisë dhe i flasin seriozisht në televizionet kombëtare. Mjerim i madh është kur media kultivon injorancën. Nëse hedhim vështrimin jashtë, vë re se poezia amerikane është shumë e thellë në mendime, por jo dhe aq në ndjesi. Përpiqem ti njoh, madje edhe i përkthej herë pas here për ti kuptuar më mirë. Më i fuqishmi i të gjithëve në poezinë moderne ishte ai që quhej poeti i ndyrë i rrugës me emrin Bukovski dhe unë e pëlqej aq shumë, sepse as nuk do tia dijë çfarë thonë për të, i thotë gjithë botës intelektuale akademike: Shko tej!”. Të tjerët janë ndryshe. Ai është më shumë europian, sepse është pinjoll i një babai gjermani përzier me grua polake. Unë i kam jetuar të dyja edhe Amerikën edhe Europën dhe them se arrij të dalloj ndryshimet mes tyre. Poezia amerikane është temperamenti amerikan, të vetmin revolucion të vërtetë në poezi e kanë bërë brezi e Beat Generation. Të tjerët, përjashto Bukovskin, që e thamë më lart, janë më të qetë. Poezia amerikane është jeta amerikane. Madje Xhim Morrison ka më shumë temperament se shumë poetë të atij vendi të madh që natyrisht lind gjigandë në proporcionet e veta. E kjo më bën të mos çuditem që kur u shfaq Khalil Gibran me poezinë e tij mistike arabe, e pritën si një perëndi në qiellin e poezisë e prozës filozofike amerikane e cila i pranon prurjet e artit nga gjithë bota dhe shpesh bëhet frymëzuese e saj.
A mund të ndahet poezia nga autori në gjykim estetik në sensin – poezia është frymë, autori është trup?
Sado të përpiqemi ti ndajmë, vepra dhe autori janë të ngjizura të njëra-tjetra. Autori mund të ndërrojë jetë, por ka jetën e dytë brenda veprës. Simpatia për veprën, do apo nuk do, të çon në simpatinë drejt autorit dhe e kundërta. Më ka lindë një problem i kësaj natyre kohët e fundit kur nisa të merrem me një libër mbi poetët Kujto Poetin. Mendova gjatë dhe pasi e shoshita me veten time vendosa ta lë jashtë autorin Farudin Gunga. Dikush mund të thotë se i ndjeri ka qenë poet i mirë, por unë kam mendimet e ndjesitë e mia. Ai mund të ketë qenë poet i mirë, por më i mirë se për ne shqiptarët mund të ketë qenë për serbët të cilëve u shërbeu me devotshmërinë e një skllavi. Çfarë më duhet mua retorika atdhetare kur i fut thikën pas shpine popullit tënd. Kësisoj mendoj se nuk ka një prerje me thikë të veprës nga autori. As vdekja e autorit nuk e ndan atë nga vepra e tij. Po të kërkoni me vëmendje në atë çfarë shkruhet në vepër do ta gjeni autorin patjetër. Nuk mund të ketë Iliadë pa Homer. Nuk mund të ketë Ana Karenina pa Leon Tolstoj. Nuk mund të ketë Migjen pa vargje të lira as vargje të lira jashtë Migjenit.
Ju keni shqipëruar mjaft poetë të huaj në një libër që keni në dorëshkrim Nga Safo tek Bukovski. A ruani mendimin se shqipërimet veçmas poetike mund të rishqipërohen nga autorë të ndryshëm për shkak se shpesh këto shqipërime janë shumë larg poezive në origjinal?
Ruaj mendimi që edhe shqipërimet mbajnë vulën e kohës, të nivelit të shqipëruesit e disa faktorëve të tjerë që me kalimin e dekadave anashkalohen. Por dua të them diçka për shqipërimet poetike temë të cilën e kam trajtue edhe në një bisedë televizive. Gjatë viteve të rinisë kur rrëmbenim e lexonim çdo gjë, padyshim edhe poezitë e shqipëruara i kishim në preferencë. Por ashtu siç jemi mrekulluar nga ca shqipërues, ashtu dhe jemi zhgënjyer nga të tjerë, sepse kemi lexuar poezi të autorëve të mëdhenj dhe thonim: si qenka i madh ky poet me këtë lloj poezie, të varfër në shprehje, me shumë celebrale se emocionale. Ma do mendja se kanë qenë përkthyer nga njerëz që e kishin