E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji: KQZ të shqyrtojë ankimin e PD-së për Shalën

Rreth një javë më parë, KQZ-ja nuk mundi të merrte një vendim për ankimin e demokratëve për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, ku sipas Kodit Zgjedhor vendimi për të nisur shqyrtimin e një çështje duhet të marrë të paktën katër vota.

Në padinë që përfaqësuesit ligjorë të PD-së depozituan në Kolegjin Zgjedhor i kërkonin trupës gjyqësore të detyrojë KQZ-në të shprehet lidhur me këtë çështje, pasi ajo nuk u shqyrtua më parë. Në mbledhjen e KQZ-së të datës 26 gusht përfaqësuesit e PS-së në Komision kundërshtuan autorizimin e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, i ngarkuar për të ndjekur procedurën ankimore.

Sipas nenit 26 të kodit zgjedhor, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ thanë se përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij. Më 21 gusht në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i "Koalicionit për të ardhmen", Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit "Aleanca për qytetarin", Dedë Tonaj, me 642 vota.

Mosshpallja e rezultatit përfundimtar për këtë komunë, ka sjellë vonesa në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të datës 8 maj, çka procesi ligjërisht nuk është mbyllur ende megjithëse shumica e të zgjedhurve vendorë kanë nisur tashmë punën. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-09-02 14:38
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›