E Diel, 1 Nëntor 2026

“Piramida”, Berisha: Ndërtimi i Kuvendit të ri, vendimi më i drejtë

TIRANË- Ndërsa çështja për ngritjen ose jo të kompleksit të ri parlamentar vijon të mbetet pezull, në pritje të vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së se, në prag të 100- vjetorit të pavarësisë së vendit, do të ndërtohet tempulli i demokracisë shqiptare. Kryeministri i vendit u përqendrua në përgatitjet e parakohshme për 100-vjetorin e Pavarësisë, duke anashkaluar debatin kryesor të ditës, Kolegjin Zgjedhor.

”100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ishte dhe mbetet ngjarja më e madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve. Kjo ngjarje duhet të pritet, të festohet në mënyrën më dinjitoze dhe me të gjithë angazhimin e merituar, për një kremtim sa më të qytetëruar e më dinjitoz të kësaj ngjarje të madhe. Kjo është një ngjarje që shënon ditëlindjen, sepse pavarësitë konsiderohen si datëlindjet moderne të kombeve. Kombi është mijëravjeçar, por pavarësia shënon ditëlindjen e tij të re. Duhet të shqyrtohet dhe të trajtohet në të gjitha rrafshet, të shkruhet në muret e kohës, nderimi që iu bë kësaj ngjarje në 100-vjetorin e saj. Nderimi që i bëhet Shqipërisë 100-vjeçare, shtetit 100-vjeçar shqiptar, shtetit të ri. Paraprakisht, janë shpallur dhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme”, - tha dje Berisha. Ai theksoi se ndërtimi i Kuvendit të ri, (që do të thotë prishja e Piramidës aktuale) ishte vendimi më i drejtë për shtetin shqiptar. “Nuk mund të kishte vendim më të drejtë, më të goditur, më të arsyetuar dhe nuk mund ta nderoje me asgjë më shumë shtetin shqiptar në 100-vjetorin e tij, sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e Parlamentit, ndër më modernët në Europë; ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, i cili duhet të pasqyrojë e të gërshetojë traditën, por edhe format më bashkëkohore të arkitekturës të stadiumeve sportive”, - tha ai. Kreu i ekzekutivit shtoi se kjo festë kërkon nderim shumëpalësh. “Për 100-vjetorin e pavarësisë, do të krijohet një Komision Shtetëror, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por edhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet, nga Kosova, shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga diaspora. Pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarë kombëtare. Kjo është universalisht dhe botërisht e njohur. Tashmë është e ditur se kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë e Shqipërisë u bënë në Kosovë. Kjo është e vërteta. Tashmë është shumë e ditur dhe e njohur fakti se Ded Gjo Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme për pavarësinë në të gjitha trevat shqiptare, një pjesë e të cilave sot janë në Malin e Zi. Po kështu, trevat shqiptare që ndodhen sot në Maqedoni kanë kontributin e tyre të madh. Diaspora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në pavarësi...”, tha Berisha. Për pasojë, kryeministri kërkoi që historia të rishihet. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që historia me vërtetësi të rivlerësojë veprën e tyre të madhe. Në organizimin e kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë do të angazhohen ministri dhe agjenci të shumta, institucione kërkimore shkencore, institucionet artistike, shoqëria civile. Ne do të bëjmë gjithçka që të nderojmë me dinjitetin më të madh veprën e pavdekshme të atyre që bënë të mundur Shqipërinë e pavarur. Shqipëria e pavarur ishte arritja më e madhe në shekuj e shqiptarëve”,- tha ai

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›