E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor pranon kërkesën e PD për rinumërim në Lezhë

TIRANE- Kolegji Zgjedhor ka vendosur sot pushimin e çështjes për sa i përket padisë së PS-së, e cila kërkonte rivotim në qarkun Lezhë. PS nuk u përfaqësua në seancë, ndërsa i paraqiti trupës së Kolegjit një shkresë ku deklaronte tërheqjen nga ankimimi për rivotim.

Pas tërheqjes së PS-së nga kjo padi, Kolegji ka vendosur të pushojë çështjen, ndërsa mori në shqyrtim një tjetër ankimim, atë të PD-së që kërkon rinumërim për këtë qark. 

Pasi shqyrtimit të provave Kolegji vendosi të pranojë ankesën e PD për rinumërim të 10 QV, për shkak të parregullsive dhe shkeljeve të shumta të konstatuara gjatë numërimit në këtë qark.

KOLEGJI ZGJEDHOR TËRHIQET PËR TË SHQYRTUAR PROVAT
Ora 12:30- Mësohet se Kolegji Zgjedhior është tërhequr për të shqyrtuar provat që PD ka paraqitur.

Sipas PD prova janë tabelat e dala nga ZAZ pas rinumërimit nga KQZ dhe procesverbali i mbledhjes së KQZ. Ndërkohë që pritet vendimi i Kolegjit për këto prova. 

KERKESA ANKIMORE E PD
Ora 11:00- Përfaqësuesi i PD-së, juristi Ivi Kaso paraqiti ankesën, ku PD i kërkon trupës gjyqësore të Kolegjit që të rinumërojë të gjitha kutitë për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në këtë zonë zgjedhore.
"PD kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të të gjitha qendrave të votimit në Lezhë. Praktikisht, të njëjtat fletë që u panë në KQZ dhe u rinumëruan e rivlerësuan, t’i rivlerësojë e rinumërojë Kolegji dhe t'i përfshijë në rezultat', thuhet në kërkesën e PD-së.

BYLYKBASHI: TËRHEQJA E PS, PËR TË MBULUAR MASKARADËN E LEZHËS
Ora 10:30- Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi akuzoi PS-në se po ushtron presion mbi Kolegjin Zgjedhor.

“Jam i sigurt që këto janë vetëm arsye taktike të Partisë Socialiste se nga fillimi deri në fund është përpjekur të mbulojë atë maskaradë të cilën e zbuluam në sytë e publikut në KQZ. PS bëri një kërkesë taktike për pavlefshmëri ndërkohë që referoi për prova shkeljesh të rënda në qarkun e Lezhës. Sot Kolegji Zgjedhor mori një tjetër vendim haptazi nën influencën e Partisë Socialiste. Sa herë PS ka kërkuar dicka ky kolegj ka marrë vendim dhe e ka pranuar atë kërkesë dhe kjo është diçka që tregon një presion të jashtëzakonshëm, që PS me arrogancë po ushtron mbi organin e vetëm ankimor që ka mbetur në këtë vend, pasi shkatërroi KQZ. Tashmë ky kolegj certifikoi këtë kërkesë taktike për të mbuluar vjedhjen e madhe që ndodhi në Lezhë", tha Bylykbashi.

Pas rinumërimit të kutive nga KQZ një javë më parë, PD rriti diferencën e votave mes dy koalicioneve, nga 39 në 740 vota. Vendimi i KQZ-së i 10 korrikut për qarkun Lezhë çoi në ndarjen e mandateve: 4 për aleancën e djathtë dhe 3 për atë të majtë.

Dy ditë më parë, PS njoftoi për tërheqjen nga kërkesa e saj ankimore për pavlefshmëri dhe rivotim në qarkun e Lezhës, me qëllim që t'i hapet rruga çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përmbylljes së shpejtë të procesit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›