Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin: PS duhej të kishte kërkuar pavlefshmëri në maj
Kolegji Zgjedhor ka zbardhur sot vendimin për padinë e fundit të Partisë Socialiste, e cila kërkoi nga KQZ të merrte në shqyrtim ankesën e tyre për pavlefshmëri të rezultatit zgjedhor. Ka qenë një nen në Kodin Zgjedhor, i miratuar me konsensus, që nuk lejon të rivendosen afate për ankimim, i bërë me qëllimin për të mos lejuar zvarritjen e zgjedhjeve, që ka rrëzuar Partinë Socialiste.
Në vendimin e Kolegjit thuhet se PS duhej të kishte kërkuar pavlefshmëri që pas datës 23 maj brenda tre ditëve. Kolegji thekson se sipas Kodit Zgjedhor nuk mund të ketë rivendosje në afat sa u përket ankimimeve.
Kolegji Zgjedhor çmon se me daljen e vendimit të KQZ-së, nr.711, datë 23.05.2011, që ka vendosur miratimin e tabelës së rezultateve dhe ka shpallur kandidatin fitues, paditësit i ka lindur e drejta për kërkimin e pavlefshmërisë në referim të neneve 160, 161 të Kodit Zgjedhor.
Kundër këtij vendimi, paditësi për garantimin e të drejtës së tij të pretenduar të cenuar, në cilësinë e subjektit zgjedhor, me vullnetin e vet ka zgjedhur të mbrohet me kërkimin në përputhje me nenin 123 të Kodit Zgjedhor, duke kundërshtuar vendimin për nxjerrjen e rezultatit dhe nuk ka kërkuar pavlefshmëri të zgjedhjeve.
Kolegji konstaton se neni 123 dhe neni 160/2 i Kodit Zgjedhor kanë të përbashkët afatin treditore të së drejtës për tu ankuar apo për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve në KQZ. Ky afat fillon nga dita e shpalljes së rezultateve nga KQZ. Paditësi nuk ka respektuar afatin për kërkimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, parashikuar në nenin 160 të Kodit Zgjedhor dhe ky afat nuk mund të zgjatet se është afat prekluziv. Në bazë të nenit 125 me titull Llogaritja e afateve, të Kodit Zgjedhor, që përfshihet në pjesën X të tij të titulluar Ankimi në rrugë administrative i vendimeve të Komisioneve Zgjedhore, pika 5 përcaktohet se nuk mund të ketë rivendosje në afat.
E drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve apo të korrigjimit të rezultatit në shkelje të dispozitave të neneve 123-160 të Kodit Zgjedhor me kalimin e afatit treditor, sjell rënien në dekadencë të së drejtës së subjektit për të ushtruar ankim apo për të kërkuar pavlefshmëri, thuhet në vendim.