E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstituimi i këshillave të qarkut, deputetët e PS-së në bazë

Konstituimi i këshillave të qarkut  është një proces shumë i rëndësishëm duke parë se me sa pak vota ndahen dy koalicionet kryesore dhe lufta për të mbizotëruar në drejtimin e këshillave luhet edhe me votën e një këshilltari. Lufta që po bën koalicioni që është në pushtet për të marrë në drejtim këshillat edhe atje ku ka fituar kryetarët e bashkive e komunave Partia Socialiste, ka vënë në lëvizje këtë të fundit që të ndjekë procesin nga afër. Siç bëjnë të ditur burime zyrtare nga selia rozë, shumica e deputetëve janë shpërndarë nëpër rrethe këto ditë për të ndjekur nga afër procesin e konstituimit të këshillave bashkiakë dhe atyre të qarqeve në mënyrë që të mos lejojnë që të blihen këshilltarët socialistë apo aleatë të PS-së ose të mos lejojnë makinacione të tjera që mund të ndodhin gjatë votimeve. Një nga deputetët që po ndiqte nga afër procesin në Berat, Erion Braçe, ku dhe pse kryetari i bashkisë është socialist, lufta në këshill është e fortë për shkak të këshilltarëve që ka LSI në këtë rreth, ka njoftuar se procesi ka ecur pa probleme. Partia Socialiste sapo mori shumicën në Këshillin e Qarkut Berat. PS numëron tani pas zgjedhjeve të këshilltarëve në Komunën Poshnjë 26 këshilltarë nga 51 gjithsej. Ndërkohë që ende nuk janë zhvilluar zgjedhjet në Komunën Qendër-Skrapar. PS tani ka shumicën, potencialisht mund të arrijë në 30 këshilltarë. Kështu PS ka të sigurt kryetarin e këshillit të qarkut Berat!, shprehet Braçe. Ndërkohë burime nga selia rozë thonë për Temën se edhe në qarqe të tjera ku bashkinë kryesore e ka PS-ja është e sigurt që do të merret dhe drejtimi i këshillit të qarkut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›