Kolegji shqyrton në 6 korrik ankimimin e PS-së

Kolegji zgjedhor ka vendosur të marrë në shqyrtim më datën 6 korrik ankimimin e Partisë Socialiste për shpalljen të pavleshme të zgjedhjeve në 284 qendrat e votimit në kryeqytet.
Në shortin e hedhur gjatë paradites të sotme është vendosur që relator i çështjes të jetë gjyqtari Astrit Kalaja ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë gjyqtarët Dhurata Haveri, Marie Qirjazi, Sashenka Jonuzi dhe Petraq Dhimitri.
Ndërkohë Partia Socialiste ka dorëzuar sot në Kolegjin Zgjedhor ankimimin sipas së cilit kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë.
Ankimimi është një analizë prej 61 faqesh e gjithë procesit në 284 qendra votimi, shoqëruar kjo me dokumente dhe filmime të procesit të numërimit në KQZ që sipas saj vërtetojnë edhe manipulimet e bëra.
Në kërkesën e saj PS-ja vëren se në 284 qendra votimi janë gjetur shkelje të shumta, që nga mosrakordimi i numrave deri te mungesa e kodit të pestë, apo zhdukja e zarfit me fletët e votimit të pavlefshme.
Ndërkohë duke iu referuar Kodit Zgjedhor, nëse KQZ-ja apo Kolegji shpallin pavlefshmëri qoftë edhe në një qendër votimi, e gjithë Tirana kalon në rivotim për shkak të ndikimit që ka ajo qendër votimi në rezultatin e zgjedhjeve.