E Diel, 1 Nëntor 2026

“Strategjia Antikorrupsion, bazë e qëndrueshme për politika e aksione qeveritare, antikorrupsion”

30-06-2011 / Gazeta 55

Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë publikon të dhënat e monitorimit mbi Strategjinë Antikorrupsion të Qeverisë

“Krijimi i Strategjisë Antikorrupsion, ishte një sukses i qeverisë”.
Këtë përfundim e ka bërë të ditur dje, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, e cila ka monitoruar implementimin e Strategjisë Antikorrupsion dhe planin e veprimit të vitit 2010 në pesë institucione. Pjesë e këtij monitorimi ka qenë jo vetëm hartimi dhe zbatimi i këtyre masave, por gjithashtu edhe respektimi i afateve kohore të përcaktuara, parashikimi i aseteve financiare, si edhe përcaktimi i aseteve njerëzore.
Ky monitorim, mësohet se është kryer në dy faza, gjatë periudhës korrik 2010 - prill 2011 dhe në fokusin e tij ka pasur, implementimin e Strategjisë Antikorrupsion dhe funksionimin e planit të veprimit në pesë institucione shtetërore. Monitorim është mundësuar nga financimi i Ambasadës Britanike në Tiranë, si dhe nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë ka zgjedhur të monitorojë implementimin ose funksionimin e Strategjisë Antikorrupsion në pesë institucione, Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave.
Sipas raporti të publikuar dje nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se “Strategjia Antikorrupsion është rishikuar disa herë ndërsa forma e saj e fundit përbën një bazë të mirë dhe të qëndrueshme për plotësimin e politikave dhe aksioneve antikorrupsion. Plani i veprimit ka funksionuar mirë në disa institucione por jo të gjitha institucionet kanë të njëjtën shpejtësi”.
Sipas kreut të Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, Sami Nezaj, mësohet se, “plani i veprimit është zbatuar plotësisht në masën 80 për qind”.
Nga publikimi i djeshëm i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se për këtë monitorim, u përzgjodhën 59 masa në pesë institucione ose ndryshe 14 për qind e të gjitha masave në 35 për qind të institucioneve të angazhuara me aksionet e Strategjisë Antikorrupsion për vitin 2010.
Nga drejtues të kësaj qendre, mësohet gjithashtu se, përzgjedhja nuk është bërë në të gjitha aksionet apo masat e këtyre institucioneve por në disa sektorë që lidhen me transparencën dhe lidhur me ato masa që kanë një impakt të madh te qytetarët apo sektorë të rëndësishëm të administratës publike. Konkretisht, te ministria e Transporteve janë përzgjedhur aksione që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve dhe transparencën si shërbimi i monitoruar i komunikimit me publikun dhe krijimi i regjistrit te planifikimit të territorit. Te ministria e Shëndetësisë janë monitoruar ndër të tjera sektorë dhe reforma që kanë lidhje me tregun, tenderimet dhe transparencën në barnat, procedurat e prorkurimit publik, planifikimin e nevojave në institucionet shëndetësore, zbatimin e sistemit të referimit etj. Te ministria e Mjedisit janë monitoruar integrimi i parimit të transparencës me publikun në të gjitha aktet e reja ligjore dhe transparenca me publikun lidhur me  vendimmarrjen mjedisore. Te ministria e drejtësisë janë monitoruar reforma në dy inspektoriatet e kontrollit gjyqësor, reforma në sektorin e përmbarimit. Ndërsa te ministria e Financave është monitoruar një pjesë e planit të veprimit në drejtorinë e tatimeve siç janë rritja e e-shërbimeve në tatime, forcimi i kapaciteteve të agjencisë së investigimit, krijimi i kodit të etikës etj.

Rekomandime
-Të përcaktohen qartë afatet kohore të implementimit të aksioneve apo masave.
-Të përcaktohen qartë asetet financiare aty ku është e mundshme.
-Të ketë një feedback më të shpejtë për realizimin e aksioneve apo masave.
- Të konsiderohen  rrjedhimet e implementimit të disa masave.
-Zbatimi i masave antikorrupsion të ndiqet me një strategji komunikimi për çdo institucion.
-Të ketë strategji informimi për planin e veprimit në administratën publike e më pas edhe në publik, shoqëri civile dhe media.
-Të krijohet akses i lehtë për shoqërinë civile që është përfshirë në implementimin e strategjisë si nëpërmjet monitorimit por edhe asistencës në forma të tjera.
-Krahas shtrirjes së strategjisë në tri vjet të ruhet edhe komponenti njëvjeçar i saj për të shmangur shtrirjen në kohë të planit të veprimit ku është e mundshme të realizohet brenda një viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›