E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria mbështet paqen dhe sigurinë mes dy popujve në Lindjen e Mesme”

30-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Brisha pret në një takim Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Avigdor Lieberman. Berisha e vlerësoi vizitën e Lieberman si një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet politike shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve.
Nga ana e tij, Lieberman, e falënderoi përzemërsisht kryeministrin Berisha për pritjen  ngrohtë dhe për atmosferën shumë miqësore që ka rrethuar vizitën e tij në Shqipëri. Duke i shprehu mirënjohje Kryeministrit Berisha, ai theksoi se vendi i tij, Izraeli, vlerëson marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë për lidhjet dhe mbështetjen tradicionale të shqiptarëve ndaj komunitetit hebre.
Në takim u ri-konfirmua vullneti i të dy qeverive dhe vendeve për t’i thelluar e konsoliduar më tej marrëdhëniet shumë të mira politike, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin ekonomik e të gjithanshëm në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve. Në veçanti shkëmbimi i eksperiencave në fushën e arsimit, kërkimit shkencor e zhvillimit teknologjik, në Teknologjinë e Komunikimit dhe Informacionit (ICT), në fushën e mjekësisë, si edhe thithja e investimeve izraelite në fusha si ajo e turizmit, bujqësisë, energjetikës, etj., u vlerësuan si potenciale të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në të ardhmen.
Berisha e falënderoi zëvendëskryeministrin Lieberman për nxitjen e bizneseve dhe investitorëve izraelitë për të ardhur dhe investuar në Shqipëri, shprehej e të cilit ishte dhe grupi i zgjeruar i biznesmenëve që e shoqëruan Lieberman në këtë vizitë. Kryeministri e njohu atë me reformat e thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat kanë bërë të mundur një zhvillim të shpejtë e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha e garantoi Lieberman se investitorët izraelitë do të kenë në Shqipëri mbështetjen e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare, në mënyrë që investimet e tyre të shndërrohen në sukses për ta dhe për Shqipërinë.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në rajonin e Lindjes së Mesme. Kryeministri Berisha e siguroi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të  Jashtme të Izraelit Avigdor Lieberman se Shqipëria do të vijojë të mbështesë fuqishëm zgjidhjen e mbështetur dhe nga komuniteti ndërkombëtar për dy shtete, të cilët të jetojnë në paqe të qëndrueshme mes njëri – tjetri dhe në siguri.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ndjek me vëmendje të gjitha përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme duke shpresuar që ky proces të vazhdojë në interesin më të mirë të të dy popujve, izraelit dhe atij palestinez, si dhe paqes, sigurisë e bashkëpunimit në këtë rajon.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›