Topi: Mungesa e dialogut, vështirësi për integrimin
Mungesa e dialogut politik dhe e vullnetit për bashkëpunim ndërmjet aktorëve të politikës po sjell vështirësi të mëtejshme në proceset integruese të Shqipërisë.
Kështu është shprehur për situatën politike në vendin tonë presidenti Bamir Topi, ndërsa ka folur gjatë punimeve të samitit të krerëve të shteteve të vendeve të europës juglindore që po mbahet në Mal të Zi. Në këtë mënyrë kreu i shtetit ka thënë se palët politike nuk po tregojnë vullnetin e duhur për këtë çështje.
“Ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe evropiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por gjithsesi kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla” ka theksuar Topi.
Duke folur për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit, Topi ka theksuar se përballimi i reformave të brendshme ekonomike dhe njëherësh i kostos së krizave ekonomike rajonale apo më gjerë, përbëjnë një sfidë të dyfishtë e të vështirë për ekonomitë e vendeve të rajonit.