E Diel, 1 Nëntor 2026

Furgonët taksi, ndal konkurrencës së paligjshme

Elbasan Drejtuesit e furgonëve taksi në Elbasan janë hedhur në protestë për t’i thënë ndal konkurrencës së paligjshme. Një përfaqësi e tyre kërkuan takim me përfaqësuesit e bashkisë për të zgjidhur problemet që i shqetësojnë. Ata pohuan se shkak i kësaj proteste është konkurrenca e pandershme që po bëhet me këtë lloj shërbimi në Elbasan. “Bashkia duhej të na kishte pajisur me licencë 5-vjeçare, ashtu siç veprohet edhe në qytetet e tjera të vendit. Ne kërkojmë licencim në bazë të kritereve të përcaktuara, ndalim të dhënies me përparësi të licencës për fugonat 6+1, lejim të qarkullimit në bulevardin kryesor të qytetit dhe ndalim të aktivitetit të furgonëve dhe taksive pa licencë”, pohon njëri nga protestuesit. Shoferët shprehen se paguajnë rregullisht taksat dhe se kjo lloj konkurrence po i çon ne falimentim. “As policia bashkiake dhe as ajo e rendit nuk ndërhyjnë. Jemi taksapaguesit më të rregullt në shtet dhe ajo që po bëhet në kurrizin tonë po na çon drejt falimentimit. Nuk dimë se kush i pajis me leje disa taksi e furgonë piratë. Kërkojmë zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, ndryshe protesta jonë do të përshkallëzohet deri në bllokim të rrugëve nacionale”, ka kërcënuar një nga përfaqësuesit.

Nga ana e saj bashkia deklaron se është për zgjidhjen e problemit, por sipas këtij institucioni kërkesë për licencim kanë paraqitur mbi 280 taksistë, ndërkohë që sipas ligjit është përcaktuar 1 taksi në 1000 banorë. Bashkia ia ka faturuar fajin ministrive dhe dikastereve përkatëse që, sipas saj kanë, vendosur këtë ligj. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›