Koleksioni i përrallave të përjashtuara
Midis Drinit dhe Vjosës (Zëischen Drin und Vojusa: Märchen aus Albanien, Leipzig 1922) është një libër që, duke iu referuar ad litteram titullit, duket sikur do të përmbajë shenjimet e ndonjë udhëpërshkruesi. Për më tepër që autori i tij ishte austriak dhe pjesë e interesimit kulturor austro-hungarez, që ishte përqendruar kryesisht në Shqipërinë e Veriut, ose më saktë në Shqipërinë katolike dhe vazhdonte të kryente detyrat e saj në përputhje me capitulazione-t e hershme ndërperandorake, që i kishin njohur të drejtën e Cultus Protectorati-t. Por në çdo rast, këto interesime nuk zbritnin poshtë Vjosës (një limitus ulter quam non edhe për interesimet shkencore të M. ufflay-t, K. Jireek-ut dhe L. Thaoczy-t).
Dhe me të vërtetë, autori i librit, Maximilian Lambertz-i, e ka përshkuar Shqipërinë gati një shekull më parë, gjatë kohës që në Ballkan e në Europë zhvillohej Lufta e Parë Botërore. Por jo si ndonjë romantik i vonuar, që, i tronditur prej prishjes së traditës në vendin e vet, kërkonte botë të tjera pa cene. Para se të prekte vendin e shqipeve (M. Lambertz-i është një prej albanologëve ngulmues për shpjegimin e etnonimit shqiptar prej totemit shqype, shqipe), ai kishte bërë kërkime tek arvanitasit e Greqisë dhe tek arbëreshët e Italisë. Kurse në vitet që qëndroi në Shqipërinë e Veriut udhëtoi nga Shkodra, Gruda, Lezha, Kruja, Tirana, Durrësi, në malësitë e Shoshit dhe Shalës, midis rrjedhës së Drinit dhe Valbonës, si dhe nëpër Mirditë.
Pa dyshim, Maximilian Lambertz-i është i vetmi ndër albanologët e huaj që iu kushtua jo vetëm gjuhës shqipe, arkeologjisë, historisë, etnologjisë, por dhe njërës prej dijeve më të vona të saj, folkloristikës. U mor thuajse me të gjitha format e shfaqjes së traditës gojore: në poezi e në prozë, me përrallën, këngën rituale, eposin heroik legjendar (të cilit i kushtoi studimin Epika popullore e shqiptarëve (Die Volksepik der Albaner, Halle 1958), një prej monografive më të rëndësishme të traditës së studimeve për ciklin e kreshnikëve, përkthyer për nevojat e studiuesve prej gjuhëtarit E. Çabej në vitet 1970 dhe mbetur në arkivat e instituteve të trashëgimisë deri në fundin e shekullit të kaluar).
Midis Drinit dhe Vjosës përmban një prej koleksioneve që Lambertz-i mblodhi e përzgjodhi prej botimeve shqiptare të shekullit të romantizmit e në vijim, të cilat duket qartë se i njihte tërësisht; nga shtypi letrar dhe ai politik i fillimeve të periudhës shtetërore; si dhe nga bartësit jo të pakët që takoi vetë gjatë qëndrimit në Shqipëri. Janë poezi e përralla të botuara gjermanisht dhe të krahasuara me motive të ngjashme të popujve të Europës dhe të kulturave e qytetërimeve të tjera.
Kriteri mbi bazën e të cilit ai ka bërë zgjedhjen e lëndës është, para së gjithash, ai i primitivitetit, irracionalitetit dhe arkaizmit, si shenja të sigurta të lashtësisë së një kulture. E njëjta zgjedhje vërehet si për poezinë, ashtu dhe për prozën. Nuk ka epikë historike, as legjendare; por nuk ka as lirikë të ritualeve themelorë të jetës së njeriut: lindjes, rishtarisë, martesës, vdekjes. Lambertz-in e intereson më shumë ajo pjesë e traditës gojore që mund të quhej para-poezi dhe që shpesh herë ska një kuptim të shpërfaqur, ska rrjedhshmëri, ska personazhe, ska fabul. Këto janë kryesisht vjersha-lodra, që shoqërojnë dhe rregullojnë argëtimet e fëmijëve; në të shumtën e rasteve rrojkezime asemantike dhe agramatikore, me përzierje fjalësh pa lidhje prej shqipes dhe prej gjuhësh të ndryshme (siç gjenden dhe në koleksionistë të tjerë), që ushtrojnë kujtesën dhe edukojnë një shije formale të poezisë tek ata (ini mini, donomini; eshtem beshtem).
Ka pastaj një lloj tjetër vjershash, të cilat mund të quhen dhe ushtrime logjike, si gjedhja e vjershave për numrat, të cilat i këndojnë të rriturit për ti mbajtur mend të vegjlit. Një lloj i tretë i poezisë së zgjedhur nga Lambertz-i janë ato që vënë në provë logjikën e pjesëmarrësit në lojë, duke krijuar varg pas vargu, nga një për çdo pjesëmarrës, ciklin e plotë të një veprimi zinxhir, pa lidhje poetike dhe as ndonjë shkak përmbajtësor, mjafton që vargu të fqinjësojë me vargun, të ketë lidhje me një prej fjalëve të atij paraprirës.
Të gjitha këto janë këngë popullore zakonisht të quajtura banale, në shumicën e rasteve mbetur të pambledhura, përveçse prej mbledhësve të hershëm të folklorit. Ato qëndrojnë më përpara në raport me një qerthull këngësh tradicionale të fëmijëve, si ato të ciklit të kullanave, rrushajeve, rusicave, kalimereve, llazoreve; si këngët e të kremteve fetare dhe kalendarike; këngët e lëvdimit të natyrës dhe të marrjes së saj me të mirë; të cilat kanë një përmbajtje të shtjelluar, fabul të rregullt, kuptim të qartë dhe funksion të dukshëm.
Nëse do të bëhej një renditje duke iu referuar shkallës më të lartë të përjashtësisë (objektivitetit) në poezinë popullore tradicionale, atëherë do të nisnim prej epikës politike, epikës historike, epikës legjendare, lirikës së dasmës, lirikës së dashurisë, lirikës rituale të lindjes, ninullave, vajtimeve, lirikës rituale fetare, lirikës rituale të shërkruome – sakrale-mitologjike, dhe vetëm së fundmi do të mbërrinim tek vjershat-lodra, vjershat ushtrime logjike e fantazie që ka mbledhur e botuar në librin e tij Lambertz-i.
Këto ngjajnë si këngët popullore më të kodifikuara, por, në të vërtetë, ato paraqiten kështu kryesisht për shkak të arkaizmit të gjedhes krijuese, jo për ndonjë fshehje magjike të kumtit. Ato janë të tilla sepse nuk janë krijuar për të pasur qëllim etik apo didaktik, nuk përcjellin kurrfarë porosie morale, thjesht ndikojnë për të marrë pjesë në një formë kolektive argëtimi duke treguar kujtesë (për fjalët dhe shprehjet agramatikore që janë me shumicë), një shkallë minimale arsyetimi (të ndjekësh rendin sipas parimit të shoqërimit të idesë), si dhe të verifikosh disa njohuri shumë të thjeshta (vjershat që u japin një kuptim konkret numrave, sidomos numrave simpatikë: njëshi – Perëndia Atë; dyshi – Hyji sundues në tokë e në qiell; treshi – trinia ose tre patriarkët: Abrahami, Isaaku dhe Jakobi; katra – katër ungjilltarët; pesa – pesë porositë e kishës; gjashta – nuk e dimë, ndoshta numër antipatik; shtata – shtatë shukërmendet, gjithnjë sipas shprehjes së Buzukut; teta – tetë mëkatet; nënta – nëntë ikona shenjtorësh; dhjeta – dhjetë ndalimet – duhet thënë se në versionet shqip këto shenjime janë laicizuar dhe kanë marrë barazime të tjera).
Pikërisht kjo është një arsye pse koleksioni i M. Lambertz-it, i riardhur në shqip prej përkthimit nga gjermanishtja, me një përpjekje për tiu afruar gjuhës lokale të burimit, por jo duke shkuar tek burimi vetë, i shërben pasurimit prapavajtës të traditës së vjershërisë popullore shqiptare, e cila, si të gjitha traditat gojore popullore, shpesh ka qenë e çliruar prej çfarëdo qëllimi përmbajtësor dhe funksioni social.
Kjo mënyrë të lodruari me gjuhën njëherësh u shërben fëmijëve dhe për të provuar një prej përbërëseve bazë të poezisë, rimën, qoftë dhe krejt formale dhe pa asnjë prirje kërkimi apo talenti: Po erdhi shkopushi, që godet qenushin: zjarrushi, që djeg shkopushin; ujushi, që shuan zjarrushin; kaushi, që piu ujushin; dhe së fundi, sigurisht, kasapi, që theri kaun.
Koleksioni i përrallave është më i plotë. Në të vërtetë, më shumë se përralla, në kuptimin terminologjik që ka marrë kjo fjalë në folkloristikën shqiptare, ato janë rrëfime në formën e shëmbëlltyrave, të cilat tregohen jo në mjedise familjare, siç është skema bazë e komunikimit të përrallës, por në mjedise më të gjera: në dasma dhe ngjarje të tjera publike të jetës së njeriut; në kuvende, në o
