"Kolona" pret fazën e dytë

I nisur nga koha që po jetojmë, nëpërmjet kujtimesh kalon nëpër momente të cilat shfaqin sekuenca që të rikthejnë në vitin 1999, në luftën e fundit në Kosovë. Është fjala për filmin “Kolona” të regjisorit të ri, Ujkan Hysaj, film ky i cili u paraseleksionua në Festivalin e Filmit në Berlin “Berlinale”.
“Kolona” kishte premierën interne në Kino ABC, duke shpresuar që premierën zyrtare do ta ketë në Berlinale, duke e kaluar edhe fazën e dytë të seleksionimit.
Edhe regjisori i filmit, Ujkan Hysaj thotë që këtë film e pret një rrugë e gjatë nëpër festivale. Ai shpreson që pas fazës së parë filmi do të kalojë fazën e dytë në Berlinale.
Ndërkohë për idenë e filmit, Hysaj thotë që nuk ka dashur të bëjë një film patetik, apo të paraqes luftën që i kujton publikut atë që ka përjetuar, mirëpo nëpërmjet një ëndrre apo një kujtimi të tregojë një ngjarje të luftës, e cila shikohet nga perspektiva e kohës së sotme.
“Ndërsa mesazhi i filmit del nga baba, i cili e sakrifikon djalin e tij, për arsye morali, amanetit të shqiptarit apo besës që ai e ka dhënë. Ky në fakt ka qenë mesazhi që kam dashur ta qes në pah”, theksoi Hysaj.
Në film, rolet kryesore janë jetësuar nga aktorët: Sunaj Raqa, Arbnesha Grabovci Nixha, Irena Cahani, Don Raqa, Vlado Jovanovski, Vedat Haxhiislami, Enis Krapi, Bislim Muqaj etj.
Arbnesha Grabovci, njëra nga aktorët kryesore në film, tha se pavarësisht premierës së mbyllur të filmit, ajo kishte një emocion që nuk e kishte pritur.
Ndërsa po të me të njëjtin emocion kanë shkuar edhe xhirimet e filmit.
“Në fakt ky film na ka kthyer në atë periudhë kohore tmerri që e kemi pasur, dhe ndonjëherë është dashur t’i rikthejmë skenat, nga emocionet e tepruara, që rrallë herë ndodh gjatë xhirimeve, e këtë fenomen e kemi pasur gjatë xhirimeve”, theksoi Grabovci.
Emocionet dhe momentet e veçanta, të cilat i ka përjetuar gjatë xhirimeve, i shpalos edhe aktori Vedat Haxhiislami, i cili edhe në film luan rolin e një aktori e njëkohësisht të ushtarit serb. Ai për rolin e tij, thotë që deri në fund ka pasur dilema ngaqë momentet në film i ka përjetuar edhe vet gjatë periudhës së luftës.
“Ne kemi qenë viktima, në kolonë kam qenë edhe vet, dhe e kisha një parafytyrim se si mund të ishte tjetri. Apo një ushtar serb, rolin e të cilit e kam luajtur unë”, theksoi Haxhiislami.
Ai gjithashtu pohoi që mirë ishte të jesh artist edhe në film, mirëpo vështir kur vendos ta mbytësh një fëmijë. “Skena më rrëqethëse e që në fakt më ka dhënë emocion të veçantë, e edhe problem për ta realizuar ka qenë ky moment”, u shpreh ai.
Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.