Kolonat në Merdare, për shkak të pagesës së sigurimeve

( E plotësuar) Bashkatëdhetarët të cilët po presin në kufij për të hyrë në Republikën e Kosovës thonë se vonesat më të mëdha u vijnë nga Policia e Kosovës dhe jo nga ajo serbe, për shkak të procedurave për pagesën e sigurimeve.
Një qytetar nga komuna e Podujevës i ka thënë gazetarit të Indeksonlie se ai është vonuar shumë pasi ka hyrë në pjesën e Kosovës për shkak të procedurave të pagesës së sigurimit.
Ndërkohë që Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani e ka mohuar këtë mundësi duke thënë se Policia e Kosovës po punon me kapacitete të plota por se mund të ndërkohë që ndonjë qytetar të “mllefoset” nga pagesat që duhet kryer.
....
Edhe gjatë ditës së sotme po vazhdon pritja e gjatë në kufi e qytetarëve të Kosovës të cilët po kthen ne vendlindje për festat e fundvitit.
Kolona e automjeteve të cilat janë duke pritur për të hyrë në Kosovë raportohet se është e gjatë.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës Baki Kelani, situata në Merdarë është e qetë dhe se në territorin e Republikës së Kosovës pritjet zgjasin vetëm pesë deri në dhjetë minuta.
“Ndërsa nga Serbia për në të hyrje të Republikës së Kosovës koha e pritjes është dy deri në tre orë për shkak të numrit të madh të qytetarëve që janë duke ardhur për festat e fundvitit” ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani për Indeksonline.
Sipas Kelanit Policia e Kosovës ka shtuar kapacitetet e veta policore për të përshpejtuar dhe mundësuar kalimin me të shpejtë të qytetarëve dhe për të ju shmangur pritjeve të gjata në kufij.
“Edhe pala serbe është duke punuar pa ndërprerë po jo me intensitet të shtuar si policia kufitare e Kosovës” ka theksuar Kelani.
Ndërsa në vendkalimin te Dheu i Bardhë pritjet në dalje të Republikës së Kosovës janë të shkurtra dhe zgjasin përafërsisht 10 minuta ndërkohë që në hyrje të Kosovës qytetarët presin deri në një orë.
Kjo nuk është hera e parë që bashkatdhetarët po ballafaqohen me kolona të gjata gjatë hyrjes në Kosovë. As fillimi i zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit nuk po arrin t’i shmangë pritjet e gjata në pikëkalimin kufitar të Merdarës./Indeksonline/