E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolumbi, qindra njerëz evakuohen nga zona e vullkanit

Sipas njoftimeve, autoritetet vendase kanë dhënë alarmin në qytetin e Pastos, për shkak të zhurmave të herëpashershme që janë dëgjuar ditët e fundit nga vullkani aktiv i Galeras. Një banore e zonës rrëfeu zhurmat e ditëve të fundit që kishte dëgjuar nga mali vullkanik.

“Dëgjova zhurma shumë të fuqishme, kështu që vendosa që të merrja vajzat e mia dhe të lëvizja nga banesa ime drejt një strehe më të sigurt”, u shpreh një banore e Pastos.

Gustavo Adolfo Ricaurte, kryeoficeri i zonës, pohoi se me qindra banorë kanë lëvizur nga banesat e tyre drejt strehave të sigurta, të cilat janë siguruar nga qeveria kolumbiane.

“675 persona, ose rreth 176 familje janë strehuar deri tani në ambiente të sigurta. Autoritetet e sigurisë na kanë njoftuar që vullkani mund të aktivizohet shumë shpejt, kështu që ne do të jemi në gatishmëri për të shmangur çdo lloj aksident”, pohoi Ricaurte.

Sipas raportimeve të policisë kolumbiane, llogaritet që rreth 8 mijë persona jetojnë në zonën e rrezikut në afërsi të vullkanit.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›