Kolumbia, çerekfinalisti i parë
Një super Kolumbi e mposhti pa problem Bolivinë me rezultat 2:0, për t’u bërë skuadra e parë që kualifikohet në çerekfinale të Copa Americas.
Njëherësh, kolumbianët e siguruan edhe pozitën e parë në Grupin A, pasi kanë grumbulluar shtatë pikë, pas tri ndeshjesh.
Sulmuesi i Portos, Falcao ka qenë trim i ndeshjes, pasi që realizoi të dyja golat për ekipin e verdhë, të parin në minutën e 14-të, kur me mjeshtri e mposhti portierin kundërshtar Arias, pasi iu shmang mirë pozitës jashtë loje, kurse të dytin e shënoi 14 minuta më vonë nga penalltia.
“Jam i lumtur, grupi i futbollistëve është i kënaqur. Jemi kualifikuar dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Po japim gjithçka sepse dëshirojmë ta fitojmë çdo ndeshje. Grupi ishte i vështirë, por ne e arritëm pozitën e parë, për këtë jemi entuziastë”, tha Falcao pas ndeshjes.
Në anën tjetër, Bolivia pas kësaj humbjeje eliminohet nga ky kompeticion, pasi që ka grumbulluar vetëm një pikë nga tri ndeshje. Argjentina dhe Kosta Rika do ta kërkojnë pozitën e dytë, pas përballjes së tyre.