Messi beson në kualifikim

Argjentina nuk e ka nisur mirë aventurën në Copa America, duke regjistruar dy barazime në po aq ndeshje. Së pari, ekipi i Sergio Batistas barazoi me Bolivinë, e më pas edhe me Kolumbinë. Mirëpo, Lionel Messi, i shumëkritikuar me paraqitjet e tij për Argjentinën, beson se mikpritësi i këtij evenimenti do të ecën përpara.
“Ndihem mirë dhe shikoj përpara me besim. Jam optimist, do të arrijmë të fitojmë dhe të kualifikohemi në çerekfinale”, deklaroi ylli i Barcelonës për të përditshmen argjentinase ‘Ole’.
Në ndeshjen e tretë, të hënën mbrëma (sonte), Argjentina do të luajë ndaj Kosta Rikës dhe i nevojitet fitorja për të shkuar në çerekfinale. Messi është kritikuar ashpër nga argjentinasit, të cilët thonë se ai nuk luan njëjtë për vendin e tij si në Barcelonë. Futbollisti më i mirë në botë i dy viteve të fundit nuk arriti të shënojë asnjë gol për Albiceleste, por ai shpreson ta gjejë rrugën drejt rrjetit në duelin e tretë.