E Diel, 1 Nëntor 2026

Venger nuk heq dorë nga Çesk e Nasri dhe kërkon të blejë

Arsen Venger ka bërë të ditur se po punon natë e ditë, për të sjellë lojtarë të rinj te Arsenal. Sidoqoftë, ai nuk mund të ofrojë garanci se Çesk Fabregas dhe Samir Nasri do të mbeten në Londër edhe sezonin e ardhshëm. Objektiv i rëndësishëm i trajnerit francez është sulmuesi i Lilës, Zhervinjo, por jo vetëm kaq. Arsenali po ashtu planifikon t’i shpenzojë rreth 20 milionë euro për qendërmbrojtësin e Boltonit, Geri Kahill dhe rreth 25 milionë të tjerë për mesfushorin e Valencias, Huan Mata. Venger premton se po kërkon fytyra të reja për ta forcuar skuadrën e tij. “Mund të premtoj se do të punojmë shumë. Kemi kaluar netë të tëra duke kërkuar për ata që dëshironim t’i arrijmë. Ne kemi ekip kualitativ dhe po kërkojmë lojtarë në nivelit tonë. Unë i kuptoj njerëzit që thonë se ne kemi para dhe se duhet të shpenzojmë, por nuk është vetëm kjo. Ne dëshirojmë ta gjejmë kualitetin për të cilin kemi nevojë”, deklaroi trajneri francez për mediat angleze. Venger në fund tha se do të mundohet të luftojë deri në fund për ta mbajtur Fabregasin në Londër, por edhe Nasrin. Kjo deklaratë e trajnerit francez të “topçinjve” vjen menjëherë pasi lojtarët e Arsenalit kanë filluar që t’i bëjnë thirrje publikisht menaxherit të tyre, që të fillojë blerjen e lojtarëve. Një prej tyre që guxon të dalë hapur është edhe gjysmësulmuesi i ri Teo Uolkot. “Ne duhet të mbajmë lojtarët më të mirë dhe trajneri ka thënë se ai do të shpenzojë mirë dhe do të përmirësojë ekipin. Kjo do të jetë thelbësore. Ne luajmë futboll të mirë, por na duhet skuadër më e madhe. Jam i sigurtë se do të vijnë disa lojtarë të mirë”, theksoi Uolkot.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›