U besojnë të njëjtëve
Shumica e skuadrave të Superligës edicionin e ri - që fillon në muajin gusht - do ta nisin me trajnerët e njëjtë. Udhëheqësit e shumicës së skuadrave ua kanë besuar postet atyre trajnerëve me të cilët e kishin përfunduar kampionatin e kaluar.
Edhe pse i lëshoi nga dora dy trofe në edicionin e shkuar, Prishtina detyrën e trajnerit sërish ia ka besuar Ramiz Krasniqit. Ndërkohë, Besa ka konfirmuar mbetjen e Valdet Shoshit, sikurse Trepça ’89, e cila e ka vazhduar edhe për një vit kontratën me Gani Sejdiun.
Ndërkohë, edhe pse KEK-u tani po përballet me krizë të madhe financiare, trajneri Mentor Miftari ka vendosur t’i mbetet besnik skuadrës nga Kastrioti. Kurse, Fidaim Haxhiu ka pohuar për Express se kryetari i Trepçës, Nexhmedin Haxhiu, ia ka besuar detyrën e trajnerit për edicionin e ri.
Po ashtu, Bekim Isufit i është shpërblyer me vazhdim të kontratës kontributi i tij të cilin e dha për ta rikthyer Dritën në Superligë. Gjithashtu, drejtuesit e Lepencit kanë vendosur që ekipin edhe në sezonin e ri ta udhëheqë Selajdin Zeneli, me të cilin ekipi nga Kaçaniku e largoi Ballkanin nga Superliga për t’u inkuadruar vetë.
Kështu, shtatë trajnerë tashmë e kanë të qartë të ardhmen e tyre, por këtë siguri nuk kanë edhe pesë kolegë tjerë të tyre, të cilët ende nuk e dinë se a do të mbesin pjesë e skuadrave në të cilat punuan gjatë edicionit të kaluar.
Ata janë: Fadil Ademi i Hysit, Ajet Shosholli i Vëllaznimit, Tahir Lushtaku i Drenicës, Behajdin Gjinali i Lirisë dhe Muharrem Sahiti i Gjilanit.
Kampioni i ri i Kosovës, Hysi aktualisht është në bisedime me trajnerin e njohur Afrim Tovërlani. Kjo ka bërë që Ademi, me të cilin bardhezinjtë e fituan trofeun më të çmueshëm, ta ketë të paqartë të ardhmen e tij.
Sigurisht se Ademi do të mbetet pjesë e shtabit teknik të Hysit. Por, nuk dihet se a do të jetë trajner apo ndihmëstrajner. Kjo varet nga rrjedhja e bisedimeve mes drejtuesve të klubit dhe Tovërlanit.
Edhe Behajdin Gjinali e ka të paqartë të ardhmen e tij te Liria. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë vendosur t’i ulin shpenzimet për sezonin e ri dhe shkaku i kësaj bardhezinjtë mund të mbesin pa lojtarët kryesorët kryesorë. Trajneri Behajdin Gjinali i ka thënë Express-it se do të mbetet pjesë e bardhezinjve vetëm nëse nuk i largohen lojtarët kyç nga ekipi.
Nën ethe është edhe Muharrem Sahiti, i cili me sukses ia doli ta rikthejë Gjilanin në elitën e futbollit kosovar prej Ligës së Parë. “Nuk e di. Duhet të mendoj mirë para se të vendosi. Fillimisht dua ta shoh strategjinë dhe synimet e klubit për sezonin e ri, pastaj do të vendosi për të ardhmen time”, tha Sahiti.
Kurse Vëllaznimi dhe Drenica aktualisht nuk kanë fare kryesi. Kjo ka bërë që trajnerët e tyre ta kenë të paqartë të ardhmen. Ajet Shosholli, i cili që dy vite mezi po e shpëton Vëllaznimin pa rënë nga Superliga, kërcënon me largim nëse klubi gjakovar nuk synon të luftojë për ndonjë pozitë më të lartë të tabelës.
“Ende nuk ka shenja rreth formimit të kryesisë së re. Nëse riorganizohet klubi për të luftuar për mesin e tabelës, do të vazhdoj punën, por nëse nuk riorganizohet, atëherë nuk besoj se do të vazhdoj aty”, tha Shosholli.
Tahir Lushtaku është i lidhur ngushtë me Drenicën. Por, ai mund ta braktisë stolin e trajnerit, nëse kuqezinjtë shpejt nuk bëhen me kryesi të re dhe të riorganizohen për stinorin e ri.